FUGAStudentët e UET leksion mbi komunikimin politik të PS-së
 
I ftuar nga një grup studentësh, Drejtori i Komunikimit në Partinë Socialiste, Endri Fuga zbuloi për rreth një orë strategjitë e fushatës së komunikimit që PS do të ndjekë në zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti.  
 
Studentë të interesuar të  Komunikimit, Shkencave Politike  apo Marrëdhënie Ndërkombëtarë,  kureshtarë  për t’u njohur nga afër me mënyrat dhe rrugët që një nga partitë më të mëdha politike në vend përdor për të komunikuar me elektoratin, por edhe simpatizantë  ishin mbledhur për leksionin “Komunikimi politik; një hap para zgjedhjeve”, një leksion që  kësaj here nuk u servirej nga pedagogët e fushës, por nga  një aktor i rëndësishëm në Partinë Socialiste, Endri Fuga drejtori i Komunikimit të kësaj partie. 
Pikërisht pesë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit  2013, atëherë ku edhe komunikimi me publikun dhe të gjitha kanalet e tij, veprojnë  intensivisht për të përçuar mesazhin e politikanëve tek zgjedhësit,  Endri Fuga pranoi ftesën nga Universiteti Europian i Tiranës për një bisedë të hapur me studentët, të cilët kishin mundësinë e një bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë me njeriun që këshillon kryetarin e Opozitës në komunikimin me qytetarët. 
Në pjesën e parë të bisedës, Fuga u ndal në strategjitë e ndjekura nga partia socialiste në zgjedhjet parlamentare të 2009 dhe ato vendore të 2011, të cilat, u shpreh ai, “Duhen vlerësuar si fushata te cilat kane sjellë e një risi në ligjërimin politik”. Fushata e 2013-ës,  shtoi ai është edhe e treta të cilën ai e menaxhon,  nga viti 2009.  “Për mua është e rëndësishme të dëgjoj pyetjet tuaja, pasi kështu kuptoj ku qëndrojnë paqartësitë dhe ku ai vlen të thellohemi më shumë”, tha Fuga.  Mënyra interaktive e leksionit nga Fuga, u dha mundësi studentëve të Shkencave të Komunikimit por edhe pedagogëve të tyre, të  shprehnin komentet dhe këndvështrimet e tyre për pika të ndryshme të strategjisë dhe kanaleve kryesorë të komunikimit, si edhe të merrnin përgjigje nga një burim i dorës së parë për pyetje që lidheshin me fushatën elektorale dhe filozofinë që Partia Socialiste do të ndjekë në këto zgjedhje. 
 “Kur je pjese e forumeve politike është shume e rëndësishme mënyra e komunikimit me njerëzit. Leksioni i Fugës për mua është leksion me vërtet perfekt për t’u dëgjuar nga të gjithë të rinjtë që kanë dëshirë të hyjnë në fushën e politikes, ku ai tregoi mënyrën më të mirë për të bërë një fushatë të suksesshme në ditët e sotme”- u shpreh  Adela Sanxhaku,  studente e Masterit në Universitetin Publik të Tiranës,  e cila iu përgjigj ftesave online të studenteve organizatorë të eventit dhe iu bashkua leksionit. 
Ky leksion vuri në pah  rëndësinë që po merr komunikimi dhe format e tij në Partitë Politike, por edhe në të gjithë jetën sociale.  Sipas Fugës, shkencat e Komunikimit në Shqipëri janë ende në fazë embrionale, por që po shohin një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit. 
U diskutua më tej mbi strategjitë e  komunikimit të aplikuara në zgjedhjet parlamentare të  2009-ës dhe  ato lokale të 2011-ës, motivet që shtynë për të përdorur këto strategji, u fol mbi indikatorët matës të ndikimit në publik, tendencat e  zhvillimit të komunikimit në vendin tonë, rrugët e reja të mediave sociale të cilat kanë marrë peshë mjaft të rëndësishme që prej fushatës së 2011-ës si  edhe pritshmëritë e fushatës elektorale 2013 në komunikimin e PS-së  me publikun.
 “Leksioni i hapur me z. Fuga ishte në një fare mënyre një hapje drejt botes dhe risive të  komunikimit. Ajo çka ai propozonte dhe paraqiste si taktika të PS, ishin një risi më vete, për komunikimin politik në botë dhe informimin e drejtë e praktik të qytetareve. Te japësh mesazhin në kohë rekord dhe te pa censuruar është primare e këtë e sjell vetëm bota online” –  tha student Flogert Muça në përfundim të leksionit . 
Kjo ishte hera e parë që në UET zhvillohej një leksion i tillë, ku lektor ishte një figurë kaq e rëndësishme e fushatës së një prej partive më të mëdha në vend. 
“E kemi marrë vesh pak a shumë mënyrat e ndryshme të komunikimit që  partitë politike përdorin, të paktën që prej zgjedhjeve të 2005-ës, por deri tani  asnjëherë nuk jemi përballuar me këto figura publike. Ndaj ka  rëndësi të madhe duke e nxjerrë komunikimin politik nga niveli i thashethemet  tek përballja direkte”,  ishte i mendimit drejtori i Departamentit të Shkencave Politike në UET, Klejd Këlliçi.