olluriAdil Olluri: Kemi 5 autorë, të gjallë, më të mirët e letërsisë shqipe
U  promovua dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, libri “Romani postmodern shqiptar”, i autorit Adil Olluri. Studiuesi arrin të japë për herë të parë një renditje, me tre autorë postmodernë shqiptare, të përfshirë në trajtimin e tij: Rexhep Qosen, Ridvan Dibrën dhe Bashkim Shehun, të cilët janë ndër pesë prozatorët së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe. Një studim mbi romanin postmodern shqiptar,nxjerr për herë të parë një listë emrash ku klasifikon autorët më të mirë, të gjallë, që ka letërsia artistike shqiptare.
Autori i studimit është Adil Olluri, me librin “Romani postmodern shqiptar”, promovuar dje në mjediset e UET Press, botimet “Mapo”. Studiuesi arrin të japë për herë të parë një renditje me tre autorë postmodernë shqiptarë të përfshirë në trajtimin e tij: Rexhep Qosen, Ridvan Dibrën dhe Bashkim Shehun, të cilët janë ndër pesë prozatorët së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe. Kjo është nga çështjet letrare pak të diskutuar apo të cekur se çfarë ofron në këtë rast letërsia artistike shqipe, qoftë nga format, alternativat, të krijimit dhe të shkrimit artistik, por nisur nga një model. Olluri ka treguar që në hyrje të librit se takimin e parë me një sërë veprash artistike postmoderne në letërsinë shqipe e ka pasur me romanet e Rexhep Qoses. Leximi i tyre e bëri të kuptojë se letërsia shqipe ka një autor të formuar në frymën e modelit postmodern, i cili në shkrimin e tij ka përdorur shumicën e elementeve esenciale të këtij modeli. Ai na jep formatin e autorit, që i ka dhënë letërsisë sonë një kontribut të rëndësishëm, duke e integruar në sistemin e saj të vlerave edhe romanin postmodern. Pas leximit të romaneve të Rexhep Qoses, interesi i studiuesit rritet për t’u takuar edhe me romane të tjera të letërsisë dhe prozës bashkëkohorë shqiptare, të cilat kanë natyrë dhe elementë postmodernë në vetvete. Kështu, kërkimet mbi postmodernen e çuan në disa romane, si ata të Ridvan Dibrës “Triumfi i Gjergj Elez Alizë”  dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, pastaj të Bashkim Shehut “Angelusnovus” dhe “Rrethi”; ata të Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, romani i Vath Koreshit “Ulku dhe Uilli”, ai i Bashkim Hoxhës “Heronjtë e viagrës”, si dhe romani i Kujtim Rrahmanit, “Secili citonte Biblën”. Këto paraqesin një model postmodern të shkrimit letrar, që për Ollurin evidentojnë praninë e këtij formacioni stilistik në prozën tonë bashkëkohore, që ishte nga nxitjet e autorit për t’iu afruar studimit edhe në disertacion masteri. Në secilin roman janë analizuar elementet postmoderne, duke ndjekur një mënyrë pune ku çdo romani i kushtohet një hapësirë e veçantë. Sipas studiuesit, me Qosen fillon inaugurimi i shkrimit letrar postmodern në letërsinë shqipe, pastaj vazhdon me romanet e Shehut, Dibrës, Koreshit, Blushit, Rrahmanit dhe Hoxhës. Pra, Olluri kontribuon në këtë punim me një projekt konkret me analizimin e elementëve postmodernë në romane shqiptare, duke tejkaluar çështje të vlerësimit me synimin e të qenit ilustrues me shembuj konkretë në romanet e cekura më lart. Nga ky korpus romanesh, sipas autorit ka një paradigmë, ku del se proza bashkëkohore shqiptare, sikurse bashkëmotrat e saj perëndimore, ka autorët dhe veprat e saj karakterizuese të postmodernizmit letrar, referuar si frymë dhe formacion stilistik. Nga ky mendim, është e rëndësishme të thuhet se koha nuk ka mbetur më prapa për kulturën letrare shqipe, ku Olluri e shpreh pa ngurrim se ka ndjekur modelet e letërsive të mëdha e të zhvilluara botërore. Detyrimisht, konkluzioni mbërrin në finalizimin e një çështjeje letrare pak të diskutuar, apo të cekur se çfarë ofron në këtë rast letërsia artistike shqipe, qoftë nga format, alternativat, të krijimit dhe të shkrimit artistik, por edhe nga ky model. Kështu Olluri mbërrin të rendisë tre autorë postmodernë shqiptarë, të përfshirë në këtë trajtim Rexhep Qosen, Ridvan Dibra dhe Bashkim Shehun të cilët janë ndër pesë prozatorët sipas të tij së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe.