Kukulla Barbie, Spiderman-ë, superman-ë, shtëpi kukullash, makina, motorë e shumë e shumë lodra të tjera bënë t’u shkëlqenin sytë 50 fëmijëve tek i çmështillnin me padurim nga ambalazhi.
Një grup studentësh të ekselencës në Universitetin Europian të Tiranës së bashku me pedagogët e tyre, zv/rektoren Nevila Xhindi dhe rektorin Tonin Gjuraj kaluan një paradite krejt të pazakontë duke luajtur, kënduar e kërcyen me fëmijët e kësaj shtëpie duke u dhuruar jo vetëm lodra, por edhe disa çaste ngrohtësie. Universiteti Europian i Tiranës është një prej insitucioneve arsimorë me ndjeshmëri të lartë sociale e qytetetare, i cili që prej themelimit të tij ka përqafuar gjithnjë nisma në ndihmë të njerëzve në nevojë, me donacione, kontribute , fushata sensibilizuese por edhe me dhënien e bursave për studentët e shkëlqyer, bursa sociale për shtresat në nevojë, komunitetet e ndryshme si romë apo egjiptiane dhe për fëmijët e policëve të rënë në detyre, etj. Kësaj here menduan që kontributin e tyre ta çonin edhe përtej kryeqytetit, duke shpërndarë ndihma e dhurata edhe në rrethe.


Në shtëpinë e fëmijës 0-6 vjeç në Shkodër edukohen dhe ushqehen rreth 50 fëmijë, nga këta 30 janë jetimë-biologjikë dhe socialë ( ku prindërit për shkak të pamundësive dhe kushteve të këqija ekonomike i lënë fëmijët atje për t’i parë disa herë në vit). Ndërsa mëse 15 fëmijë të tjerë kryesisht të komunitetit egjipitian kalojnë një pjesë të ditës aty duke marrë ushqim, marrin edukim e ngrohtësi. Rektori i UET, Tonin Gjuraj pasi i uroi fëmijët për festat e fundvitit u shpreh: “Ky duhet të jetë një apel për institucionet qeveritare e jo qeveritare për shoqërinë civile e për të gjithë shoqërinë që të kenë më tepër vëmendje ndaj këtyre fëmijëve , ndaj kësaj kategorie që ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për ta që të integrohen”. Ndërsa, Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës, Eva Luli tha: “Falenderoj UET-in për gatishmërinë që tregoi duke sjellë këto dhurata që edhe ata si të gjithë fëmijët e tjerë të gëzojnë këto festa të fundviti. Gëzimi më i madh për ta nuk janë vetëm dhuratat, por edhe pjesëmarrja, sepse përfaqësuesit e UET erdhën me një grup studentësh të cilët luajtën, kënduan dhe kalun një ditë shumë të bukur dhe kjo është një mbështetje dhe kënaqësi shumë e madhe për ta”, përfundoi ajo.


