Autorë, përkthyes

Hartimi dhe botimi i teksteve universitare diktohet nga kushtet specifike të disa disiplinave dhe nga nevoja e aplikimit të tyre në kulturën, ekonominë dhe në ligjet shqiptare, si dhe nga synimi për të plotësuar kërkesat e studentëve për literaturë.

 

 

Nëse jeni pedagog dhe dëshironi të botoni një tekst me UET Press, ne inkurajojmë, kryesisht, botime të pedagogëve tanë, por mirëpresim edhe botime nga jashtë. UET-Press synon që këto punime të jenë autentike, të karakterizohen nga zbatimi i kritereve të rrepta akademike dhe të jenë në përputhje me kriteret universitare e kërkimore perëndimore. Pavarësisht gjinisë së botimit, të gjitha materialet shkencore që paraqiten për botim duhet të shoqërohen me dy recensa nga specialistë të fushës. Teksti, monografia, esseja etj., paraqitet nga një pedagog (në përgjithësi nga ai i lëndës përkatëse) dhe i nënshtrohet diskutimit mes specialistëve të departamentit. Pas miratimit për botim në departament, përgjegjësi i departamentit hyn në kontakt me drejtorin e “UET Press” dhe plotëson formularin përkatës të kërkesës për botim; ky i fundit paraqet të gjithë dosjen e botimit në mbledhjen e radhës së Këshillit Botues; në varësi të politikave të botimit dhe të prioriteteve të UET, Këshilli vendos miratimin ose jo për botim. Drejtori UET Press së bashku me përgjegjësin e departamentit që ka bërë propozimin, krijojnë lidhjet dhe hartojnë procedurat e mëtejshme për çdo rast, por gjithmonë duke vënë në dijeni për vendimin autorin.

Nëse kërkoni të fusni një tekst të ri, përkthim, ne inkurajojmë vetëm titujt më të njohur dhe më të përdorur sot në botën universitare perëndimore dhe më gjerë, me synimin që në auditorët e UET-it të qarkullojnë dijet më të përditësuara dhe arritjet më të mira në nivel akademik botëror. Burimet për lëndën që do të përkthehen dhe do të botohen nga UET-Press zgjidhen, kryesisht, nga kolanat me profil profesional të botimeve të Universitetit të Oksfordit, të Universitetit të Cambrixh-it apo nga botimet universitare franceze e  italiane e më gjerë, sipas rasteve ose kërkesave të paraqitura. Këto tekste përzgjidhen dhe miratohen fillimisht nga ekipet e specialistëve në departamentet përkatëse të fakulteteve të UET-it, të cilët përcaktojnë se cilët tituj do të përdoren si tekste bazë për procesin mësimor dhe cilët si literaturë shtesë. Hallka e parë është gjithmonë departamenti. Për përkthimin e tyre ne bashkëpunojmë me përkthyes profesionistë ose përkthyes-pedagogë të disiplinës përkatëse, prej të cilëve kërkojmë t’u përmbahen të gjitha parametrave cilësore të përkthimit. Nëse mendoni se përmbushni këto kushte, ju lutemi të kontaktoni me ne. Tekstet e përkthyera i nënshtrohen një redaktimi shkencor sa i takon përmbajtjes dhe një tjetër sa i takon termave të përdorur nga specialistë të fushës, në bashkëpunim të plotë me përkthyesit.

Pas një pune të kualifikuar dhe me përgjegjësi, si dhe pas redaktimit e përmirësimit gjuhësor, librat kalojnë në shtyp dhe botohen, duke respektuar ligjet e shtetit shqiptar për botimet dhe librin, duke respektuar Copyright-in e nënshkruar kontrata me autorët, marrjen e ISBN-së, katalogimin e librave në bibliotekat kombëtare dhe atë të UET etj.

Autorë, që punën dhe veprën e tyre ja kanë besuar "markës" UET Press

 

 

Adrian Civici/ Alastair Campbell/ Aleksandër Meksi/ Amik Kasoruho/ Anthony Giddens/ Arben Cici/ Artan Fuga/ Baton Haxhiu/ Behgjet Pacolli/ Belina Budini/ Ben Blushi/ Blendi Fevziu/ Bujar Kapexhiu/ Daut Gumeni/ David Smajl/ Dritëro Agolli/ Edlira Gjuraj/ Fatos Tarifa/ Ferit Duka/ Henri Çili/ Ilir Ikonomi/ Ilir Keko/ Luljeta Progni/ Mark Marku/ Mentor Nazarko/ Muhammad Yunnus/ Mustafa Nano/ Nebi Bardhoshi/ Nevila Xhindi/ Peter Murphy/ Preç Zogaj/ Romeo Gurakuqi/ Sabri Hamiti/ Shaban Murati/ Shkëlzen Maliqi/ Sokol Balla/ Spartak Ngjela/ Tedi Papavrami/ Teuta Keçi/ Tonin Gjuraj/ Valbona Nathanaili