aureli-foto-e-madheProfil/ Studenti i Marrëdhënieve me Publikun, kitarist i grupit të njohur LYNX: Si më ndihmojnë studimet në karrierën si muzikant
 
Grupi LYNX është një ndër grupet rock më të famshme shqiptare, me hite të ndryshme, si: “S’dua të mbarojë”, “Gjysma ime më e mirë”, “Gjithmonë” e shumë të tjera. Si talente janë dalluar që në adoleshencë, kur në vitin 2007 nga performanca nëpër klube arritën të ngjiteshin në skenën e tyre të parë të madhe në Top Fest 6, me këngën “Shqiptaria”. Që prej aty vazhduan pjesëmarrjen e tyre nëpër festivale prestigjioze në vend, dhe kënga e tyre më e fundit “Sot” ishte pjesëmarrëse në Festivalin e 55-të në RTSH. 
 
Një ndër djemtë që nisi këtë rrugëtim është Aurel Gjini, kitaristi i grupit. Aktualisht student në Universitetin Europian të Tiranës, Aureli na tregon rreth eksperiencës si muzikant dhe studimeve për Marrëdhënie me Publikun-Komunikim dhe si shkolla ka për t’i shërbyer më mirë karrierës së tij dhe grupit. 
 
Aurel ti je një figurë publike tashmë, së bashku me pjesëtarët e grupit, por edhe një student në UET. Si arrin t’i ekuilibrosh këto dy pjesë të jetës tënde, aspektin publik dhe atë personal?
 
Është e thjeshtë, nuk është e vështirë. Thjesht duke qenë po i njëjti person që kam qenë edhe më parë, duke bërë gjërat e zakonshme si çdo moshatar i imi dhe student si puna ime. 
 
Si e vendose të vish në UET, pse pikërisht zgjodhe të vazhdoje studimet e tua këtu?
 
Kisha dëgjuar për këtë shkollë, fjala e mirë që më kishin thënë është se pedagogët janë shumë të përgatitur. Vendosa që të vazhdoj ciklin Master Shkencor për “Marrëdhënie me Publikun e Komunikim”, pasi atje ku isha në ciklin Bachelor nuk e kishte një Master në tillë.
 
Duke qenë një student VIP, si të shohin studentët e tjerë?
 
Nuk kam ardhur në fakt me idenë se meqë jam artist ta përdor këtë gjë në favorin tim, përkundrazi, në UET jam një student si gjithë të tjerët, vij për të ndjekur leksionet, bëj provimet, kam krijuar shoqëri me personat që frekuentojmë lëndët e njëjta dhe nuk më ka krijuar asnjë problem background-i im.
 
Duke qenë se ti je muzikant, pse zgjodhe që t’i vazhdoje studimet Master? Pse të mos vazhdoje thjesht me karrierën muzikore që e kishe stabilizuar ndërkohë?
 
Unë pjesën e karrierës e vazhdoj, dhe e vazhdoj ashtu siç e kam nisur, e nisa autodidakt me mësimin e kitarës vetë. Arsyeja pse vazhdova studimet ndërkohë më ndihmoi pasi dega ku unë jam më shërben për atë pjesë të Marrëdhënieve me publikun që ne bëjmë.
 
Ka pasur ndonjë ndryshim në jetën tënde pas nisjes së studimeve për MPK? A merresh ti me pjesën e PR të grupit tënd?
 
Merrem, në fakt që kur kam filluar Masterin këtu (qesh). E kam vënë re që më dëgjohen mendimet më shumë te vendimmarrja për marrëdhëniet me publikun dhe e marketingut. Këtu unë po zhvilloj disa lëndë për marketing që kanë qenë goxha të nevojshme.
 
Ndryshimi ka të bëjë me faktin se këtu kam mësuar gjëra më shumë, që siç e përmenda më lart më kanë shërbyer, jo vetëm për grupin, por edhe në përgjithësi, pasi jam një njeri që besoj shumë te komunikimi për çfarëdolloj situate, problemi që do një zgjidhje, unë jam shumë pro komunikimit fillimisht, pra çdo gjë zgjidhet me komunikim.
 
Më the që e ke nisur mësimin e kitarës në mënyrë autodidakte. Si nisi grupi, nga u njohët, nga lindi ideja e grupit LYNX?
 
Grupin e kam nisur unë, nisi në fillim si për qejf. Në fillim kitarën e nisa për t’iu rënë në sy vajzave në gjimnaz (qesh). Normalisht, duke pasur idhuj grupe botërore të mëdhenj, duke parë edhe artistë shqiptarë, sepse kohët kanë qenë më ndryshe kur nisi grupi kur unë isha 14 vjeç, dhe lindi ideja në mënyrë naive “Pse mos ta bëjmë edhe ne një grup?”. Kështu vazhdoi me një shok që e njihja që në moshën 10 vjeç, ai kishte pasion baterinë, aq sa dinim vendosëm ta bënim këtë grup. Me ndryshime në periudha të ndryshme, por deri sot ka rezultuar që arritëm 9 vite si grup.
 
A ke ndonjë sugjerim për artistët e tjerë të rinj si ty që vazhdojnë studimet në UET, për pjesën e menaxhimit të karrierës dhe studimeve?
 
Të dyja aspektet e jetës bëhen, janë të mundura, varet pastaj edhe te gjithsecili se çfarë synimesh kanë në jetë, nëse e kanë muzikën primare dhe vazhdojnë studimet ndërkohë, si unë që duan të marrin njohuri shtesë duke menduar se i shërben për atë që bën, apo e kanë muzikën dytësore, dhe po vazhdojnë studimet për t’u bërë një specialist i fushës që i intereson. Sigurisht që nuk diskutohet se të dyja bëhen, me pak vullnet dhe dëshirë janë goxha të arritshme, nuk është se UET të impenjon apo të pengon në këtë aspekt.
 
Intervistoi: Vanjela Bellovoda/ studente në UET