BrumbulliUniversiteti Europian i Tiranës nis zbatimin e projektit “Praktika në auditor”, ku 20 për qind e lëndëve në Master do të jepen nga CEO të kompanive të mëdha ose ekspertë të njohur të fushave të ndryshme. Në kuadër të edukimit financiar ishte i ftuar në një leksion të hapur me studentët e masterit për Financë-Bankë, Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave.
 
Nga bankat e shkollës në punë është vetëm një mit. Tani është puna që vjen në auditor. Nëpërmjet një programi bashkëpunimi mes universitetit dhe kompanive më të mëdha në vend, drejtues të këtyre kompanive ose ekspertët më të mirë të fushave të ndryshme do të jenë pjesë e mësimdhënies në Universitetin Europian të Tiranës. Bëhet fjalë për projektin “Praktika në auditor”, që parashikon 20 për qind të leksioneve të jepen jo nga pedagogët e lëndës, por nga ekspertë që vijnë direkt nga tregu i punës. Në këtë mënyrë studentët njihen me mënyrën si funksionon tregu i punës dhe kompanitë në vend, si dhe vendosin kontakt të drejtpërdrejtë për intershipe dhe punësim pas diplomimit.
 
  
Drejtoresha e Programeve Master në UET, dr. Orkida Ilollari thotë se kjo është një risi që ofron UET këtë vit dhe lindi si nevojë e lidhjes mes universitetit dhe tregut të punës. “Kemi futur konceptin që në çdo lëndë Master, do të jetë ndonjë profesionist i fushës që do të japë përvojën e kompetencën e fushës”. Emrat e CEO-ve dhe ekspertëve që do të japin mësim janë përcaktuar që në fillim të vitit dhe kjo praktikë do të përfshijë gjithë programet master në UET.
 
Në këtë kuadër, më datë 9 Mars ishte ftuar dhe Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, i cili foli mbi sistemin bankar në një leksion të hapur, ku i ftuari iu përgjigj të gjitha pyetjeve të studentëve. Sipas z. Brumbulli për shoqatën e bankave ky leksion vjen në vazhdën e edukimit financiar të publikut. Në këtë kuadër në fund të Marsit kjo shoqatë organizon me UET-in edhe “Javën e parasë”, ku studentët përfshihen me projektet e tyre në një konkurs të organizuar si qëllim të njohjes së sistemit bankar.
 
Ilollari thotë se “është bërë traditë që shumë banka në mbarë botën i kushtojnë një vëmendje gjithnjë e më të madhe edukimit financiar të publikut në përgjithësi, por nga ana tjetër edhe gjeneratave të reja. Edukimi financiar dhe ekonomik i publikut përputhet me mjaft interesa të bankës qendrore në fusha të ndryshme të veprimtarisë së saj, si politika monetare, mbikëqyrja bankare, informimi i konsumatorit mbi produktet dhe shërbimet bankare, si dhe përfshirja financiare e publikut. Nga ana tjetër ndihmon edhe brezat e rij dhe qytetarët të përfitojnë nga mundësitë që ofron sot sistemi financiar dhe teknologjitë që po e transformojnë atë. Gjithashtu, ndihmon konsumatorët të kuptojnë më mirë rreziqet që lidhen me administrimin e financave dhe lehtëson marrjen e vendimeve të duhura financiare”.
 
 
 
Brumbulli: Universiteti, si formues i specialistëve të rinj të bankave
 
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatave të Bankave, z. Spiro Brumbulli, në një leksion të hapur me studentë të fakultetit Ekonomik në UET u fokusua te “Biznesi dhe lidhja me Sektorin Bankar”. Pikat kryesore ku z. Spiro Brumbulli u ndal në këtë leksion të hapur kryesisht me studentët e masterit ishin: 1. Bankat si biznes dhe lidhja me bizneset e tjera. 2. Sektori bankar është ndihmës apo barrierë pas krizës së fundit globale? 3. Kreditimi dhe moskreditimi i biznesit. 4. Rëndësia e rrezikut reputacional të sektorit bankar; dhe 5. Digjitalizimi Bankar në Shqipëri.
 
Në një intervistë për MAPO-n ai vlerëson bashkëpunimin mes bankave dhe UET-it në disa drejtime, duke e konsideruar arsimin e lartë si pikën fundore ku formohen specialistët e rinj të sistemit bankar.
 
Ju jeni ftuar nga shkolla Master për të mbajtur një leksion të hapur në kuadër të praktikës në auditor, një projekt i ri që UET-i ka nisur për të patur 20% të leksioneve me CEO apo njerëz të shquar nga fusha të ndryshme të ekonomisë. Si e konsideroni këtë? 
 
Nuk është hera e parë që vijmë në UET. Bashkë me stafin e UET-it kemi kohë që bashkëpunojmë, mendojmë, shkëmbejmë mendime dhe opinione lidhur me gërshetimin më mirë të shkollës me praktikën, sidomos për studimet Master profesional, pasi janë më të prekshme duke qenë se pas këtyre studimeve, studentët janë menjëherë në tregun e punës. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi sot është një aktivitet konkret që ne si shoqatë edhe në kuadrin e edukimit financiar kontribuojmë dhe zhvillojmë takime me institucione dhe me opinionin publik. Por meqë kemi të bëjmë me një grup shumë të përzgjedhur dhe profesionistë të së nesërmes, siç janë studentët master në Financë dhe Bankë edhe tema është pak më profesionale dhe e detajuar për të folur për bankat dhe rolin e tyre në ekonomi. Për ndihmën dhe mbështetjen që i japin biznesit si dhe lidhjet e kërkesat që biznesi ka ndaj bankave.
 
Sektori bankar është drejtpërdrejt i lidhur me sektorin e arsimit të lartë, që do të thotë, ju gjeni aty burimet tuaja njerëzore. A ka një ngërç mes asaj që ju kërkoni dhe asaj që vjen nga universitetet? Si mund të zgjidhet kjo?
 
Kërkesat janë të pafundme dhe pretendimet për cilësi më të mirë sigurisht që nuk shterojnë asnjëherë. Në fakt sot duket sikur ka një super prodhim. Janë shumë shkolla të larta të profilit Financë-Bankë që prodhojnë dhe numri i atyre që merren çdo vit, në fakt është më i vogël se i atyre që dalin në treg. Për mua kjo është kontradikta e parë, pasi kemi më shumë të diplomuar se sa thith sektori bankar. Sektori bankar ka diku te 6000 punonjës dhe janë të gjithë pothuajse brez i ri, nuk kemi filluar daljet në pension, por midis këtyre që dalin ka një konkurrencë dhe me studentët që mbarojnë jashtë dhe konkurrenca është e fortë. E para, kemi një shumicë këtu brenda dhe e dyta, kemi ata që mbarojnë studimet jashtë. Bankat kanë një politikë të hapur dhe kërkojnë rekrutimin në bazë të politikave të tyre të konkurrimit me konkurs, intervistë, përzgjedhje dhe sipas niveleve. Për shembull, një njeri që konsiderohet si shumë i kualifikuar nuk mund të fillojë në pozicion të ulët, pasi dhe vetë personi që ka shumë kualifikim ka kërkesa për karrierë, për zhvillimin e karrierës së tij. Industria i është përgjigjur mirë tregut të punës dhe është nga më të privilegjuarat. Gjithë brezi i ri ka ëndërr të ketë një pozicion pune në bankë, por sigurisht që mundësitë janë të kufizuara, pasi nuk mund të jenë më shumë se sa ka nevojë industria.
 
A kualifikohen me aftësitë e duhura të cilat kërkon sistemi bankar? 
 
Unë shkollën e konsideroj shkollë, pavarësisht nëse është Bachelor apo Master. Për mua ka rëndësi që studenti që do të dali, duhet të jetë i formuar dhe të ketë bazat e tij. Duhet të kuptojnë çfarë është financa, si funksionon, në çfarë ambienti punon, me çfarë institucionesh, instrumentesh etj. Pra, ai duhet të ketë logjikën e gjërave. Fakti se a është ky i përgatitur për një vend pune të caktuar, është një pikëpyetje e madhe dhe mendoj se shkolla nuk duhet të synojë këtë sepse pastaj shkolla kthehet në një kurs trajnimi, gjë që nuk mund të tolerohet. Shkolla duhet të japë formimin, dijet të cilat janë afatgjatë. Pra, një student që përfundon sot studimet ka përpara rreth 40 vjet punë për të bërë dhe ai duhet të rezistojë, të konkurrojë në bazë të formimit të tij. Formimin e merr sot, nuk mund ta bëjë gjithmonë. Ndërsa për çështje të veçanta ai gjatë jetës së vet ndjek trajnime të caktuara, të cilat e ndihmojnë për të plotësuar boshllëqet teknike. Në bankë kanë ecur mirë kandidatët që kanë patur formim shumë solid. Pra, nuk kanë qenë vetëm me shprehi praktike të caktuara që merr këtë dhe çoje atje dhe bëjë kështu. Por një njeri që di të përshtatet në një ambient të caktuar sepse kur fillon marrëdhënien e punës në çdo institucion ke një periudhë prove ku 3 muajt e parë ti ambientohesh, njihesh me kompaninë, vendin e punës, politikat, programin dhe pastaj fillon të marrësh përsipër detyrat e tua. Shkolla nuk duhet të tentojë që të zëvendësojë këtë periudhë tremujore, pasi edhe po të dojë nuk e bën dot. Janë aq të larmishme eksperiencat dhe vendet e punës në ekonomi sa shkolla edhe të dojë t’i bëjë, e ka të pamundur. Shkolla duhet të forcojë formimin bazë fondamental. Ndërsa në Master jam dakord që duhet të ketë më shumë iniciativë të studentëve me kryerjen e punimeve. Pra, të mësohet me punën e pavarur, të mësojë instrumentet me kryerjen e punëve të ndryshme dhe aktivizimi sa më shumë në problemet e vendit apo dhe të tjera që rrjedhin edhe më gjerë se sa vendi. Kjo do të ishte një ndihmesë e tyre për të fituar sigurinë në vetvete. Ajo që i pengon sidomos këta që mbarojnë Master është se nuk ndihen të sigurt se çfarë do të bëjnë në vendin e punës. Nuk është se do të bëjë çudira, por nëse gjatë shkollës ai e ka nxjerrë frikën, ndihet i pavarur dhe i mirë në njohuritë e veta, në mekanizmat e vetë, në instrumentet që ka përfituar, ai nuk ka pse të trembet.
 
Cilat janë praktikat e bankave shqiptare në bashkëpunim me universitetet, konkretisht me UET-in, a merrni studentë me intership në trajnime, sa për qind e tyre punësohen? 
 
Nuk mund të them dot me shifër sepse këto varen nga bankat e veçanta dhe ne nuk kemi ndonjë statistikë sa nga secili universitet, por di që nga UET-i janë marrë, madje kanë bërë karrierë nëpër banka. Kështu që unë vij me qejf sa herë që më jepet mundësia në UET sepse shoh një ambient që lëviz, ka gjallëri, interes dhe përveç anës teorike që bëjnë plotësohen shumë mirë dhe me leksione të ftuarish, disa nevoja që studentëve iu duhen sidomos nëse kanë kërkesa për të punuar në mënyrë të pavarur dhe këto iu shërbejnë shumë mirë. Unë e vlerësoj këtë metodë që UET-i ka zhvilluar jo vetëm me industrinë bankare, por edhe me sektorë të tjerë sepse kam parë shumë njerëz të shquar, që vijnë mbajnë leksione, mbajnë lidhje me universitetin dhe kështu lidhja midis shoqërisë, ekonomisë dhe shkollës bëhet më e fortë.
 
Ekonomia është gjithmonë në zhvillim të vazhdueshëm, edhe teknologjia me të cilën punohet sot. Ndërkohë që universiteti ndoshta ecën me hapa pak më të ngadaltë në këtë drejtim. A keni ju kërkesa specifike për mastera, që këto lloj specializimesh në Master t’i përgjigjen direkt këtij ndryshimi ekonomik që reflektohet së pari, te bankat?
 
Ekonomia jonë nuk është shumë e komplikuar, është një ekonomi e vogël dhe për fat sistemi financiar është akoma shumë bazik, tradicional. Nuk kanë arritur të kërkohen instrumentet e sofistikuara financiare. Mendoj që në të ardhmen mund të ketë kërkesa, por investimi i shkollës mund të jetë shumë i madh. Mund të jetë për një vit, bie fjala për një grup prej 15-20 vetash, të cilët mund të mbulojnë për një periudhë afatgjatë, nevojat që mund të ketë sektori. Shkolla duhet të jetë e përgatitur nëse është në gjendje që ta përballojë këtë nevojë për një grup kaq të vogël dhe të bëjë investime që të ketë njerëzit e duhur të specializuar dhe t’i japim këtë fushë apo jo. Për shembull, me ndryshimet që po ndodhin pritet të ndryshojë edhe bankingu. Pra, ne pas 5-6 vjetësh nuk do të flasim më për bankingun siç është sot. Mjafton të kesh një celular në dorë, dhe banka është në dorën tënde. Shumë gjëra do të bëhen nëpërmjet teknologjisë, por kjo nuk do të thotë se banka nuk do të ketë nevojë për njerëz, për strategji, vizion apo marketing, absolutisht jo. Do të ketë nevojë për më shumë përkushtim ndaj klientit, ndërsa tani është e përkushtuar ndaj marketingut, shitjes që t’i japë klientit sa më shumë informacion për produktet. Nesër ti duhet të mendosh më shumë që t’iu paraprish nevojave të klientit. Çfarë do ai t’ia bësh gati sepse përndryshe do ta marri dikush tjetër qoftë ajo një bankë apo një institucion tjetër jo bankë, i cili futet në treg me një teknologji më të avancuar. Këto janë kërkesa të tregut dhe duhet të presim sepse nuk po ndodh as në Europë që të kemi një model dhe të themi që do të zbatojmë këtë. Jemi në një fazë që është në zhvillim, po ndodhin ndryshime të mëdha, por sërish nga ajo që vihet re, përgatitja bazë, formimi kryesor që r në shkollë është ai që të përgatit për të përballuar çdo sfidë në jetë. Nevojat e tjera që dalin mund të përballohen shumë kollaj dhe me trajnime. Ato që s’i bëjnë shkollat e larta sot janë mungesa e trajnimeve të shkurtra, 1-javore apo 2-3−ditore, por që janë për tema shumë specifike dhe mund të jenë tepër praktike. Ne detyrohemi të bëjmë shumë trajnime gjatë vitit dhe marrim trajnues të huaj, specialistë të mirëfilltë që kanë karrierë në bankë, në fusha të caktuara dhe i përdorim ata. Nëse këto burime do të jenë këtu atëherë pse jo të mos i bëjmë këtu. Mund të jetë një bashkëpunim i ardhshëm dhe universiteti mund të tentojë ta bëjë këtë. Kjo do të plotësonte më mirë nevojën praktike me dijet teorike. Por dijet teorike mbeten të tilla, formimi fondamental është më i rëndësishmi.
 
 
 
UET-Biznes
 
Në vazhdën e projektit 250+ lançuar në tetor të vitit të kaluar, UET është në kontakt të vazhdueshëm me biznesin, institucionet financiare, si dhe bën takime periodike për të kuptuar dhe marrë nga biznesi kërkesat e tyre rreth asaj çfarë ata kërkojnë sot nga akademia. Takimet e mëparshme janë bërë me drejtuesit e Birrës Stela, Bankën Raiffeisen, Shoqatën e Bankave, Dhomën e tregtisë dhe industrisë, Shoqatën e Eksportuesve Agroushqimore, Bankën Intesa Sanpaolo etj. Bordet e tregut të punës janë një tjetër ndihmë për trupën akademike, pasi takimet periodike me to janë tepër efektive për t’i shprehur dhe pasqyruar më pas në programet dhe syllabuset tona.