foto-coverForumi Gjimnaz-Universitet me temë “Roli i mësuesit kujdestar”, organizoi të shtunën në UET takimin me drejtues të gjimnazeve private
 
Arsimi privat është një faktor i rëndësishëm në nxitjen e rritjes së cilësisë edhe për arsimin shtetëror. Duke investuar te cilësia shkollat private të arsimit parauniversitar në vend janë kthyer në një faktor të rëndësishëm të sistemit arsimor në tërësi. Drejtues të gjimnazeve private në vend u mblodhën këtë të shtunë në forumin e 10-të Universitet-Gjimnaz, që organizohet nga Universiteti Europian i Tiranës. Të shtunën ishte takimi i dytë i këtij forumi me gjimnazet private pas takimit me afro 200 drejtues të gjimnazeve publike në vend javën e shkuar, më 8 Prill 2017.  Gjatë diskutimeve u vu theksi te roli i rëndësishëm i arsimit privat në Shqipëri në nxitjen e rritjes së cilësisë dhe në sistemin shtetëror, ndërsa më tej u vu theksi te kualifikimi i mësuesve dhe roli i pazëvendësueshëm i mësuesit kujdestar, jo vetëm si mësues, por si mentor, si udhëheqës i nxënësit.
  
Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici vlerësoi shumë cilësinë e prurjeve nga gjimnazet private në UET. “Universiteti varet shumë nga çfarë prodhoni dhe çfarë cilësie nxënësi apo maturanti del nga gjimnazet tuaja. Kështu që ne jemi të interesuar, jo vetëm për të trajtuar sot një temë si roli dhe e veçanta, apo çfarë pritet nga mësuesi kujdestar, por dhe një vijimësi dhe një bashkëpunim për tu ndjerë të dyja palët si pjesë e një trupi  të vetëm në rezultatin final të studentit” -tha ai.
 
Profesor Civici theksoi se mësuesi nuk është thjesht një dhënës i dijeve, por një orientues për nxënësin, ashtu si dhe pedagogu për studentin.  “Sot dija është bërë aq e shpejtë dhe aq e madhe sa askush nuk pretendon që mund ta zotërojë, aq më tepër që me këto zhvillime që ka bota, pritet që në vitet e ardhshme çdo 2 javë dija e botës dyfishohet. Kështu që sado biblioteka dhe libra të kesh mbrapa, është e pamundur që të pretendosh që di diçka ose di shumë. Kjo tendencë po zëvendësohet me tendencën e arsyetimit, kreativitetit, të dish të mendosh dhe të arsyetosh dhe pastaj të dish të veprosh në kushtet e kësaj dinamike kaq të shpejtë. Nëse ne e zbresim këtë koncept dhe logjikë sot edhe te mësuesi kujdestar, në fakt ajo që po kërkohet është pikërisht kjo, që mësuesi kujdestar të mos kujdeset thjesht si shkon nxënësi, por ta orientojë dhe formojë këtë nxënës, që më vonë do të bëhet student, se si të sillet dhe si të orientohet në këtë botë kaq dinamike, ku dijet evoluojnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme”, – u shpreh Civici.
 
Ai vuri theksin te roli që mësuesi dhe pedagogu ka që ta ndihmojë studentin të mësojë të orientohet, të arsyetojë dhe të mësojë të veprojë me koncepte moderne, në këtë det të madh dijesh, duke ditur të dallojë informacionin nga njohja dhe dija.  “Përtej anës formale të orëve të punës, marrëdhënies me nxënësit, ndoshta duhet diskutuar figura që duhet të ketë mësuesi kujdestar. Çfarë përfaqëson ai për një nxënës, çfarë e orienton dhe si e mëson që të arsyetojë në mënyrë kreative dhe jo shabllon. Nëse ne e formojmë me metodë nxënësin dhe studentin ajo do të jetë ndryshe dhe shumë më cilësor në raport me dijen, profesionin, karrierën e tij se sa thjesht një nxënës që lexon shumë” – përfundoi profesor Civici.
 
 
 
Mustafa Myrto, mësuesi i dy sistemeve
 
Profil/ Mësuesi 16-vjeçar që luftonte kundër analfabetizmit vijon të japë mësim edhe pse në pension. Kush është mësuesi që ka debatuar me Ramën e Pollon për strategjinë e arsimit 
 
Ishte viti 1962, kur analfabetizmi në Shqipëri ishte prezent në një shkallë të madhe. Mustafa Myrto ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë. Sapo kishte mbaruar shkollën 7-vjeçare dhe kishte përfunduar dhe 2 vite shkollë pedagogjike profesionale. Ai emërohet mësues në shkollat fillore të ngritura kundër analfabetizmit. Ishte vetëm një fëmijë dhe përpara kishte gra e burra e të moshuar që ishin futur në shkollë për herë të parë. Mësuesi-fëmijë i hyri kësisoj rrugës së tij të jetës herët, e cila u bë rruga e tij e vërtetë, profesioni i së ardhmes dhe i së tashmes. Sot është 71 vjeç dhe vijon të japë mësim dhe të drejtojë shkollën private  “Shekulli i ri” në qytetin e Fierit. Për 55 vite mësues nuk ka humbur asnjë pikë energjie nga dita e parë kur e nisi këtë profesion. Gjatë viteve fitoi siguri dhe eksperiencë, vijoi edukimin e tij pedagogjik me dy shkolla të tjera, pedagogjiken në Vlorë dhe më tej arsimin e lartë pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër. Një karrierë e ngritur vetëm mbi pasionin e punës në një sistem diktatorial, ku iu desh të mbante mbi supe edhe një histori familjare që regjimi komunist nuk e shihte me sy të mirë. Xhaxhi i tij që mbante të njëjtin emër, ishte vrarë si ballist dhe ky fakt e bënte më të vështirë punën e tij. Sot ai është kryetar i shoqatës kombëtare “Misionarët e Arsimit” me synimin për të hapur degët  në të gjithë Shqipërinë, një shoqatë që, sipas tij, kërkon të jetë një strehë për të gjithë mësuesit. Myrto ishte i pranishëm në forumin Gjimnaz-Universitet organizuar nga UET, ku diskutoi mbi rolin e mësuesit kujdestar në arsim. Duke folur për gazetën MAPO, ai thekson bindjen se në këto 27 vite demokraci arsimi ka shumë probleme.
 
Mësimdhënia, nevoja për strategji afatgjatë
 
“Arsimi shqiptar kërkon një operacion të thellë në përmbajtje. Ka pasur përpjekje, por kanë qenë sporadike, të bëra nga disa ministra. Ajo që mungon është një debat i gjerë publik, akademik dhe politik që të konkludojë me një konsensus parlamentar për një strategji afatgjatë për arsimin” – thotë Myrto.
 
Ai tregon se ka pasur debate publike me Edi Ramën, gjatë një takimi elektoral kur ishte kryetar i opozitës, dhe me dy ministra arsimi; Genc Pollon e Fatos Bejën, për pikëpamjet e tij.
 
“Edhe Ramës, edhe ministrave, u kam parashtruar qëndrimin tim; se është i nevojshëm një strategji zhvillimi e arsimit. Ne sot nuk dimë çfarë modeli kemi në arsim. Le të bëjmë një debat të gjerë dhe të zgjedhim modelin më të mirë, për të cilin biem dakord të gjithë. Këtë iu kam thënë dhe këtë kërkoj me ngulm akoma”, -thotë mësuesi që ka kaluar dy sisteme të ndryshme politike dhe arsimore.
 
Arsimi komunist vs arsimi sot
 
Mustafa Myrto e ka kaluar gjysmën e jetës në komunizëm, ku mësuesi nuk ishte thjesht një mësimdhënës, por shihej si një “komisar drite”. Ai ka qenë një mësues në fshatrat e Fierit, drejtor shkolle e inspektor arsimi dhe në vitin ’90 është dekoruar për punën e tij me urdhrin “Naim Frashëri”. Në një krahasim të dy sistemeve lidhur me arsimin ai shikon të mirat dhe dobësitë.
 
“Në atë kohë kishte rregull e disiplinë, por arsimi ishte i ideologjizuar. Mësuesi kishte një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në mungesë të priftërinjve dhe hoxhallarëve, mësuesi zuri një vend qendror, të respektuar dhe me autoritet në shoqëri. Por, nga ana tjetër, me anë të mësuesit diktatura komuniste realizonte objektivat e saj politikë. Para se të jepnim mësim ne shkonim atje në fshat te punëtorët dhe iu jepnim mësimet e partisë” -thotë Myrto.
 
Por, pavarësisht linjës politike të imponuar, Myrto beson fort se sistemi arsimor i diktaturës ka qenë i fortë e serioz dhe këtë e tregoi momenti kur u hap Shqipëria dhe populli shqiptar u përball me dinjitet me botën e qytetëruar pikërisht për shkak të arsimimit të tij.
 
Sot, në demokraci mësuesi i dy sistemeve shikon se ka një lloj amullie dhe mungesë vëmendjeje, jo vetëm nga shteti, por dhe nga shoqëria ndaj arsimit. “Sot sistemi arsimor është përshtatur me sistemet e botës së përparuar, por shkolla ka mbetur vetëm në dorë të mësuesit. Nuk ka një angazhim institucional të shoqërisë dhe ajo që thashë më lart nuk ka një strategji zhvillimi të plotë”.
 
Myrto i ka provuar të dyja anët e sistemit arsimor, atë shtetëror dhe atë privat. Pas 15 viteve në arsimin privat ai është i bindur se ai është një vlerë e shtuar në arsimin shqiptar dhe një ndihmë për rritjen e cilësisë edhe në arsimin shtetëror.
 
 
  
 
Klotilda Jaupi, studente, mësuese dhe drejtuese në arsim
 
Studentja e Masterit në Universitetin Europian të Tiranës, e cila jep mësim dhe drejton shkollën private 12-vjeçare “Sarina”
 
Forumi Gjimnaz-Universitet, takimi me drejtuesit e shkollave private parauniversitare që u mbajt në UET të shtunën,  ishte një emocion i dyfishtë për Klotilda Jaupin. Ajo kishte një lidhje të dyfishtë me këtë forum, vinte aty si drejtuese e një shkolle 12-vjeçare me traditë të gjatë në arsimin privat dhe njëkohësisht si studente e Universitetit Europian të Tiranës, ku po kryen shkollën Master. Pikërisht për këtë fakt Klotilda ishte përzgjedhur në panelin kryesor të këtij forumi, si një shembull i lidhjes jetësore që ka gjimnazi me universitetin. Duke folur në rolin e drejtueses, mësueses por edhe të një studenteje të masterit të shkencave në këtë forum Jaupi gjatë fjalës së saj vuri theksin te roli jetik i mësuesit për të përgatitur nxënës të mirë që do të jenë nesër studentë të suksesshëm. Ajo foli mbi rolin e saj në të tria dimensionet që përfaqëson dhe tregoi se cilat janë vështirësitë më të mëdha të një mësuesi. Jaupi tha se ‘natyrisht që pozicioni i drejtueses më ngarkon me përgjegjësi të mëdha, por pa lënë pas dore atë të mësueses”. “Mësuesi është një profesion që synon të krijojë liderët e së ardhmes. Nga ky profesion kërkohen shumë, por ndërkohë shumë gjëra të tjera janë lënë mënjanë”,  theksoi ajo. Më tej në fjalën e saj për temën “Roli i mësuesit kujdestar”, u shpreh se shpeshherë mësuesit duhet të bëjnë shumë orë pune edhe në orët e pasditeve kur ata janë në shtëpi, por këto orë nuk llogariten si orë punë duke i penalizuar në një farë mënyrë këta të fundit.  Ajo shtroi pyetjen që lind nga e gjithë kjo situatë, “Pse duhet të bëjë mësuesi diçka kur nga ana ligjore ai nuk ka se si ta mbrojë atë?”.  Për të mësuesi kujdestar është zëri që del i pambrojtur sepse ka një llogaridhënie të dyfishtë. “Ka  ardhur koha që mësuesi kujdestar të ketë një këndvështrim ndryshe dhe të jetë një revolucion i fuqishëm për edukimin e brezave të rinj”, përfundoi Jaupi.