970Z8240 "Çfarë prodhojnë universitetet dhe çfarë pret tregu i punës"- ishte tema që mblodhi në një tryezë diskutimi ekspertë akademikë në Universitetin Europian të Tiranës këtë javë. Takimi i ngushtë i ekspertëve u mundësua nga PERFORM, me pjesëmarrjen e Dr. William Bartlett, nga London School of Economics. Gjatë takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit të Dr. Bartlett mbi Ballkanin Perëndimor, publikuar nga Komisioni Europian. Fokus i prezantimeve dhe diskutimeve ishte Shqipëria, numri i lartë i të diplomuarve dhe numri i lartë i papunësisë te të rinjtë. Pyetjeve se çfarë duhet të bëjnë universitetet, por edhe qeveria për të përmirësuar këtë fenomen, studimi i përgjigjet me një sërë rekomandimesh të cilat do të prezantohen në Samitin e Krerëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Trieste 2017.
Rekomandimet u diskutuan nga aktorë prezent nga fusha të ndryshme si shoqëria civile, akademia, sektori privat i punësimit dhe ai shtetëror. Pikat kryesore të diskutimeve do t'i bashkangjiten rekomandimeve që do të prezantohen në Trieste.
Tryeza u moderua nga Prof. As. Dr. Selami Xhepa, zv/rektor për Kërkimin Shkencor në UET i cili theksoi se debati duhet të fokusohet në rëndësinë e komunikimit mes punëdhënësve dhe universiteteve në Shqipëri. Ai vlerësoi studimin e Dr. Bartlett, i cili sipas tij, përmban gjetje mbi të cilat duhet të reflektohet dhe të punohet më tej nga të gjithë aktorët e arsimit të lartë në vend.
Nga Universiteti i Tiranës diskutoi Elton Skendaj, i cili parashtroi problemin nga prespektiva e pundhënësve. Sipas tij, jo të gjithë punëdhënësit kanë kulturën e pranimit të të sapodiplomuarve dhe shumë prej tyre nuk ofrojnë trajnime për ta. Ai sugjeroi që arsimi i lartë në Shqipëri të jetë arsim i profesionalizuar, pra të drejtohet nga kërkesa e tregut të punës, pasi tregu është mbingopur me diploma në Biznes apo në Drejtësi.
Dr. Elona Karafili, solli eksperiencën e universitetit Polis, një universitet që i mëshon fort vetpunësimit dhe aftësive për inovacion të të diplomuarve në fusha të tilla si dizajni, arkitektura dhe planifikimi urban.
Prof. Dr. Marenglen Spiro, rektor  i universitetit Marin Barleti foli mbi nevojën e kualifikimit të profesorëve për të ndjekur metodat e reja në mësimdhënie. Sipas tij është e nevojshme ngritja e instituteve multidisiplinare në arsimin e lartë shqiptar.   
Dr. Besarta Vladi, këshilltare e Mininistres për Inovacionin dhe pedagoge në UET, tha se për studentët është e nevojshme angazhimi i tyre në punë vullnetare gjatë studimeve, për të marrë eksperiencë dhe për të përfituar aftësitë specifike në fushën e tyre të studimeve.
Në tryezë mbi çështjen e aftësimit të studentëve për t’u përgatitur për tregun e punës diskutuan edhe Dr. Ariana Çela, nga New York University of Tirana, Stefania Sechi nga UNDP dhe Prof. As. Dr. Oltjana Zoto, pedagoge në UET.
Sipas ekspertëve, studimi i KE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të shërbejë si një udhëzues për universitetet dhe për studentët, që nis që me zgjedhjen e degës së studimit, një karrierë që duhet të jetë në sinergji me atë që kërkon më shumë tregu i punës sot.