ardit-cuniProfil/ Studenti i Marrëdhënieve me publikun-Komunikim në UET: Fama në muzikë nuk më shpërqendron nga ndjekja e studimeve
 
Gjërat kanë lindur natyrshëm për Ardit Çunin. Nuk e kishte menduar që në moshë kaq të re do të bëhej person publik, por duke punuar fort çdo ditë ka arritur suksesin. Fillimi është paksa i vështirë për çdokënd kur haset me një botë tjetër si “Bota e televizionit”. Arditin e kemi parë që shfaqet shpesh në syrin e publikut, duke lançuar këngë të reja, intervista në median e shkruar dhe të folur, kaq i përfshirë, sa fansat e tij janë kuriozë se kush fshihet pas suksesit.
 
Këngëtari me tepër pozitivitet dhe buzëqeshje na tregon: “Pas suksesit tim fshihet një skuadër e tërë e cila punon dhe më kuron në çdo dalje timen. Mundohem që të shfaqem siç jam në jetën e përditshme, të përcjell të njëjtat emocione dhe të jem sa më afër fansave. Unë jam aty për shkak të atyre dhe sigurisht që një ndër sekretet kryesore për të marrë feedbackun është të jesh gjatë gjithë kohës në kontakt me ta. Bota artistike është e egër por edhe e bukur, unë mundohem të shoh anën pozitive edhe kur ‘bërrylat’ nuk mungojnë”.
 
Karriera
 
Në qoftë se ju pëlqen të këndoni dhe mbi të gjitha këndoni nëpër shtëpi, dihet që një ditë një hapësirë më e madhe ju pret, kështu ka ndodhur dhe me Arditin. Nuk kanë munguar dhe bashkëpunimet e shumta që ka realizuar Arditi, të veçanta dhe me risi, më mbresëlënësin ai veçon bashkëpunimin me producentin fitues tek Eurovizion (Loreen/ Euphoria). Ka qenë një ëndërr e bërë realitet, ndoshta shumë artistë do ta dëshironin. Gjithashtu një projekt që ka bërë bujë dhe ai si dhe publiku e ka shumë përzemërt është “Jena Na” që ka sjellë suksesin më të madh në karrierën e tij duke u renditur plot 6 herë në vend të parë. Gjithashtu, duket se artisti përzgjedh bashkëpunime me këngëtaret femra më ‘In’ të momentit, ai veçon  Elvana Gjatën dhe Samanta Karavellën. Gjithashtu, Ardit është dhe student i Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, ai arrin të kapë ritmin me të cilin ecën universiteti kur ditët pothuajse i ka të mbushura me turne.
 
Studimet
 
Universiteti Europian i Tiranës për Arditin ishte siç ai e kishte imagjinuar. Në UET Arditi po studion për një degë të cilën e pëlqen shumë dhe e ndihmon sigurisht në menaxhimin e vetes pikë së pari dhe meqenëse komunikimi është pika më e fortë e tij ai është i kënaqur me veten dhe ajo çfarë i ofrohet, kjo vihet re me dëshirën e madhe kur flet për UET. Për sa i përket ritmit arrin ta menaxhojë shumë mirë, i rregullt me frekuentimin e universitetit, realist dhe me modesti pohon se “Nuk jemi akoma në nivelet botërore që të mos kemi kohë për të shkuar në universitet disa orë në ditë pavarësisht angazhimeve të shumta apo koncerteve. Muzika është pasion, por shkolla është profesion ndaj i kushtoj vëmendje të veçantë”.
 
Si mund të ecësh në jetë sipas Arditit? “Ëndrra kemi të gjithë, por pak punojnë për t’i arritur ato. Unë mendoj që nuk ka justifikime që të ndalojnë për të arritur ëndrrat apo synimet që i ke vënë vetes nëse vërtet i do aq sa thua. Unë do të thosha të shfrytëzosh çdo moment në të mirën tënde, ta përdorësh atë për të ndërtuar marrëdhënie dhe të punosh fort për t’ia arritur qëllimit. Asgjë nuk është e rastësishme, edhe ato të cilat na duken të tilla janë projektuar diku lart më parë. Kryesorja është të mos dorëzohesh asnjëherë, vetëm në këtë mënyrë do vazhdosh të luftosh”.
 
Nga Erlinda Kasaj, studente e Marrëdhënieve me publikun, UET