IP1Bordi këshillimor i IEP-së, i përbërë nga personalitete nga bota e politikës, medias, biznesit dhe akademisë u prezantua dje në Universitetin Europian të Tiranës
 
Emri i Gramoz Pashkos, liberalit të parë shqiptar, një nga liderët e lëvizjes demokratike të “Dhjetorit 1990”, ka bërë bashkë sot miq të tij dhe dashamirësit e ideve liberale. Instituti që mban emrin e tij prezantoi në një ceremoni të veçantë në Universitetin Europian të Tiranës Bordin Këshillimor, ku bëjnë pjesë deputeti i PD-së, Genc Ruli, deputeti i PS-së, Ervin Bushati, Preç Zogaj, gazetarët Armand Shkullaku, Mustafa Nano dhe Eni Vasili, sipërmarrësi Behar Male, pedagogia Belina Budini dhe drejtohet nga Selami Xhepa, ekonomist dhe pedagog. IEP është një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga Iniciativa Europiane për Edukim (EEI) si agregim i më shumë se 10 viteve veprimtari në mbështetje të lirisë ekonomike, inovacionit, lirisë së shtypit, botimeve dhe debatit të ideve, kreativitetit dhe trashëgimisë kulturore. IEP do të promovojë përmes 5 programeve vlerat e demokracisë liberale, ekonomisë së lirë të tregut dhe europianizimin.
 
Themeluesi i këtij instituti, Henri Çili, tha se “Prej vitesh në kuadrin, qoftë të vokacionit personal ose të kolegëve, por qoftë dhe të mundësive që na ka krijuar Universiteti Europian i Tiranës ose potencialin ekonomik, kemi zhvilluar një sërë projektesh apo iniciativash të cilat kishte ardhur moment që t’i strukturonim në një projekt të vetëm. Ku kishte më mirë sesa emërtimi i këtyre veprimtarive tona jofitimprurëse në kuadrin e një instituti europian dhe ku kishte më mirë për të shprehur filozofinë ose frymën e aksionit tonë se sa emri i profesor Gramoz Pashkos, i cili me idetë, pikëpamjet, vokacionin e tij nga fillimi i tranzicionit shqiptar ndoshta dhe më parë dhe deri kur u nda tragjikisht nga jeta është me të vërtetë një rast suis jeneris i botës intelektuale shqiptare”. Ai theksoi se “ka ardhur koha që të vlerësojmë kohën moderne shqiptare me simbolet dhe me produktet e saj kulturore. Ne në Universitetin Europian të Tiranës jemi përpjekur ta bëjmë këtë me çmimin Kadare, çmimin Pashko, bursat Pashko dhe së fundmi me emërtimin e Institutit Europian Pashko”.
 
Pse një institut për idetë liberale?!
 
Presidenti i bordit këshillimor të Institutit Europian Pashko, prof. as. dr. Selami Xhepa tha se idetë liberale janë sot më të nevojshme se kurrë në situatën politike dhe ekonomike të vendit dhe atë globale. “Zhvillimet që po ndodhin në botë në veçanti pas vitit 2008, por u shoqëruan me një tërmet politik në vitin 2016 dhe këto tronditje të mëdha me mënyrën se si po funksionon shoqëria duke filluar nga kjo periudhë sigurisht që pozojnë sfida globale, por dhe Shqipëria nuk mund të qëndrojë jashtë këtyre trendeve. Këtu vijmë te konteksti lokal, te zhvillimet që ne kemi, të cilat influencohen nga këto lloj zhvillimesh dhe kësaj i bashkohen dobësitë që ka paraqitur sistemi ynë në veçanti gjatë këtyre 30 viteve gati drejt një shoqërie demokratike” u shpreh ai.
 
Ndërsa themeluesi Çili theksoi se “Ne kemi nevojë të rithërrasim në vëmendje traditën liberale shqiptare, e cila nuk ka qenë asnjëherë shumicë, fitimtare por nuk ka qenë asnjëherë e munguar dhe shkëlqen me pakicën e saj, me të qenit minoritare në këtë vend ndoshta që prej viteve ‘20, në epoka të ndryshme ka ngritur krye, i ka dhënë kuptim epokës së saj dhe ndoshta herë-herë dhe ka shpëtuar gjendjen”.
 
Një i majtë në ‘prehrin’ liberal
 
Deputeti socialist Ervin Bushati është pjesë e bordit këshillimor të këtij instituti që promovon idetë liberale. Çfarë kërkon një i majtë në këtë bord ishte pyetja që iu bë zotit Bushati, i cili në fakt për nga shkollimi që ka është më afër këtyre ideve. Ai vjen nga “shkolla e Çikagos” nga ku Milton Friedman trumbetoi idetë e tij liberale. Bushati e sheh liberalizmin si ndërtim urash në shoqëri.
 
“Jemi dëshmitarë të një ndryshimi të madh global: si në Amerikë, Europë dhe kudo në rendin demokratik në çdo vend apo shoqëri të zhvilluar. Tregu politik po riformatohet kudo. Politika po transformohet dhe përshtatet si të kishte dalë nga një luftë e madhe botërore. Kriza financiare globale 2008-2014 ndoshta na mëson se e ardhmja e afërt do ketë kriza tregu global dhe konflikte ushtarake rajonale. Evolucion vs. Zhdukje. Shqipëria politike qëndron mbi një deltë të pasur, pjellore liberale – akoma të pashfrytëzuar. Liberalizmi është i bazuar mbi nevojën për një shoqëri më të hapur dhe harmonizuar duke investuar mbi politika racionale dhe të tregut të lirë. Tregu politik shqiptar do zhvillohet/përshtatet ose do të rilindë në një format dekonstruktivist tjetër më evolutiv. Liberalizmi tashmë si rrymë politike duhet: të kapitalizojë në politikën reale në fushë, të thjeshtojë mesazhin dhe vizionin sa më të rrokshëm për votuesin, investojë në politikanë karizmatikë si kudo në botën e re politike”, u shpreh Bushati duke argumentuar qëndrimin e tij si i majtë në mbështetje të liberalizmit.
 
“Tërheqja ndaj Pashkos, si një dimension kulturor”
 
Edhe prania e gazetarit dhe analistit të politikës, Mustafa Nano, në këtë bord u prit me interes për shkak se ai njihet si majtist në bindje. Edhe vetë Nano e pranon këtë kontrast, por thekson se është dimensioni kulturor i Pashkos që e tërheq dhe formati i këtij instituti.
 
“Sa ishte gjallë përpara se ta shikoja si një njeri të shkencës dhe ekonomisë, e shikoja gjithmonë si një njeri që rrezatonte kulturë. Ka qenë dimensioni kulturor i Pashkos që më ka atraktuar dhe përveç kësaj, më ka pëlqyer edhe nisma për të krijuar një institut të kësaj natyre. Më ka pëlqyer dhe fakti që një ent privat siç është Universiteti Europian i Tiranës, ndërmerr një nismë të tillë që nuk është e zakonshme në Shqipëri. Në Shqipëri privatët janë të fokusuar vetëm te fitimet dhe jo tek aktivitete të tilla që janë jofitimprurëse. Gjëja tjetër që më krijoi një lloj dëshire për t’iu bashkëngjitur kësaj nisme ishte edhe bordi. Janë njerëz me të cilët mendoj se mund të bëjmë një gjë të mirë, pasi është një kolazh i mirë profesional por edhe kulturor. Mund të them që është një nga bordet më të mira ku unë kam marrë pjesë. Po unë anoj majtas në bindje, por kur vjen puna tek identiteti i programuar ekonomik jam pak fleksibël, nuk është se jam shumë i futur në kafaz. Në planin ekonomik jam i hapur ndaj recetave ekonomike që herë pas herë një vend ka nevojë për t’u aplikuar, në mënyrë që të japë një stimul të mirë. Kështu që nuk kemi asgjë që mund të na pengojë në këtë mes”, -tha Nano.
 
 
 
Qendra UET
 
Nga 2009 është një qendër e inovacionit dhe e kërkimit. Synimi i saj është të kontribuojë në progresin dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet projekteve kërkimore. Qendra UET ndihmon në përforcimin e lidhjes midis dijes dhe kërkimit shkencor nga njëra anë dhe proceseve të zhvillimit, nga ana tjetër.
 
UET Press
 
Shtëpia botuese UET Press e ka filluar aktivitetin e saj në 2007 dhe në 10 vjet asaj i janë bashkuar figurat më të njohura të publicistikës shqiptare, politikanë, diplomatë, artistë, historianë. Autorët e UET Press kanë fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
 
Botimet Mapo
 
Që prej 2010 botohet gazeta MAPO, që ishte një ridimensionim i revistës Mapo, që filloi në 2006 dhe një vijim i kësaj të fundit, është bërë përfaqësuesja e zërit liberal në shoqërinë shqiptare. Gazeta vijon të botohet bashkë me dy revista, “Mapo” dhe “Madame Mapo”, duke qenë një zë i rëndësishëm në opinionbërjen në vend.
 
Fondacioni për Liri Ekonomike
 
Fondacioni për Liri Ekonomike (FLE) është një institucion i krijuar në vitin 2010, me qëllimin kryesor promovimin e ideve liberale ekonomike si dhe lobimin për liberalizimin e mëtejshëm të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Krijimi i Fondacionit për Liri Ekonomike synon promovimin e teorive ekonomike që mbështesin një derregullim sa më të madh të sektorëve të caktuar të ekonomisë.
 
Projekti krijim, kulturë, trashëgimi
 
Ky projekt është pjesë e IEP-së. Ai ka filluar në 2017 dhe ka për qëllim të subvencionojë dhe ndihmojë krijimet artistike, kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Synimi i projekti është rigjallërimi i trashëgimisë kulturore dhe subvencioni financiar për artin.
 
 
 
Botimet Mapo, pjesë e IEP, Iljazaj drejtor
 
Tashmë Botimet Mapo, të cilat përfshijnë gazetën e përditshme MAPO dhe revistat “Mapo” dhe “Madame Mapo”, si pjesë e Institutit Europian Pashko do të vijojnë përçimin e një këndvështrimi liberal mbi ngjarjet politike, ekonomike, kulturore shqiptare ose bashkëkohore.
 
Gazeta MAPO, e cila nisi në 5 korrik të vitit 2010 si një edicion i përditshëm i Revistës “Mapo” të themeluar në vitin 2006, gjatë gjithë këtyre viteve ka mbështjellë rreth saj një gamë idesh dhe nuancash të mendimit liberal në Shqipëri, pa humbur gjithaq hapjen dhe debatin e ideve.
 
MAPO, bashkë me versionin e saj online Mapo.al, pozicionohet në tregun mediatik shqiptar jo vetëm si vijim i versionit print, si një mbijetesë për kulturën e shtypit të shkruar dhe debatin e ideve, por me inkuadrimin si program i Instituti Europian Pashko do të theksojë frymën liberale, këndvështrimin liberal në kulmin e debatit shumë të gjerë dhe një agresiviteti mjaft të madh të ideve populiste, nacionaliste, ekstremiste, puniste dhe populizmave të të gjitha llojeve.
 
Fryma e Instituti Europian Pashko e manifestuar në programin e Botimeve Mapo do të përqendrohet tek ato ide, ato frymëzime, të cilat përputhen me liberalizmin politik dhe ekonomik, duke nxitur debatin e brendshëm apo duke pasqyruar debatin e jashtëm gjithmonë e pozicionuar në raport me vlerat e liberale. Ervis Iljazaj, kontributor i këtyre mediave dhe së fundmi editorialist, është drejtor i ri i gazetës MAPO. Ervis Iljazaj është politolog, doktor i shkencave politike, lektor i shkencave politike dhe i politikës së krahasuar pranë Universitetit Europian të Tiranës.
 
 
 
Xhepa shpjegon IEP: Krahu kërkimor i UET, në mbrojtje të lirive ekonomike
 
Presidenti i Institutit Europian Pashko, prof. dr. Selami Xhepa, prezantoi dje bordin këshillimor dhe programet që përbëjnë bërthamën e Institutit Europian Pashko. Ai tha se IEP synon nxitjen e debatit shkencor dhe akademik mbi sfidat e zhvillimit të shoqërisë, promovimin e lirisë ekonomike, nxitjen e debatit publik nëpërmjet botimeve dhe mediatizimit të shkencës, siç janë botimet Mapo dhe UET Press dhe mbrojtjen e zhvillimin e trashëgimisë kulturore.
 
Presidenti i bordit këshillimor të IEP, prof. dr. Selami Xhepa tha se idetë liberale janë sot më të nevojshme se kurrë në situatën politike dhe ekonomike të vendit dhe atë gobale. Duke folur për Institutin ai tha se ky do të shërbente si krahu kërkimor i UET. “Instituti Europian Pashko, i cili sapo është themeluar si pjesë e ristrukturimit të korporatës së Iniciativës Europiane për Edukim, është krahu kërkimor i Universitetit Europian të Tiranës. Struktura drejtuese e institucioneve të kësaj natyre kërkon që në krye të saj të jetë një Bord Besimi, ku përfshihen personalitete të spikatura të vendit të cilët duhet të sigurojnë objektivitetin dhe paanësinë e veprimtarisë së institucionit dhe vendosjen e interesit publik si ankorën orientuese të punës së tij” u shpreh ai. Instituti Europian Pashko është një organizatë jofitimprurëse themeluar nga Iniciativa Europiane për Edukim, si agregim i më shumë se 10 viteve veprimtari në mbështetje të lirisë ekonomike, inovacionit, lirisë së shtypit, botimeve dhe debatit të ideve, kreativitetit dhe të trashëgimisë kulturore. IEP udhëhiqet nga vlerat e aksionit afirmativ, europianizimit të shoqërisë shqiptare, reformizmit, liberalizmit ekonomik dhe politik, për nder të ideve të profesor Gramoz Pashkos, emrin e të cilit mban ky institut, falë dashamirësisë së familjes Pashko. Gramoz Pashko, profesor, ekonomist liberal, figurë sui generis intelektuale, një nga liderët e lëvizjes demokratike të “Dhjetorit 1990” dhe themeluesi i universitetit të parë privat në Shqipëri në vitin 2002. IEP do të promovojë nëpërmjet pesë programeve vlerat e demokracisë liberale, ekonomisë së lirë të tregut dhe europianizimin. “Instituti do të ketë gjithashtu dhe një Bord këshillimor me personalitete të huaja që do të na ndihmojnë të integrojmë punën tonë me institucionet homologe në vendet perëndimore. Në veçanti drejtuesi i Institutit Adam Smith në Londër, dr. Eamonn Butler do të shërbejë si mentori i veprimtarisë sonë, së bashku me shoqatën e Austrian Economists të drejtuar nga dr. Barbara Kolm”, -tha Xhepa.