kryesore-fq-2-3Studentët e degës Financë-Bankë në Universitetin Europian të Tiranës dolën nga skema e leksionit klasik duke ndërtuar një skenë debati mbi shkollat më të famshme të mendimit ekonomik
 
Nëse shteti do të kishte 100 lekë çfarë do të bënte me ta, sipas tri shkollave më të njohura të teorisë ekonomike?
Me këtë pyetje nisi debati mes studentëve të vitit të dytë Financë-Bankë në Universitetin Europian të Tiranës. Grupet e studentëve u ndanë sipas tri shkollave më me ndikim në ekonominë e shekullit të shkuar; asaj neomarksiste, neoklasike dhe shkolla liberale austriake.
Ka të paktën 3 variante se si mund të shpenzoheshin këta 100 lekë dhe për këtë vijnë në ndihmë shkollat e teorive ekonomike. Studentët dhanë përgjigjet bazuar mbi thelbin e teorisë ekonomike që ata mbronin.
Shkolla neomarksiste do t’i përdorte për ndërtimin e fabrikave apo investime të tjera nga shteti, që do të sillnin punësim dhe prodhim. Shkolla austriake ose përfaqësuesi më i njohur i saj, Friedrich August von Hayek, do t’ia jepte privatit që t’i zhvillonte dhe ta linte të lirë ekonominë pa ndërhyrjen e shtetit, ndërsa shkolla neoklasike, që përfaqësohet me ekonomistin John Maynard Keynes do të hapte një tender për të nxitur konkurrencën në ekonomi.
 
Duke dalë nga salla klasike e leksioneve ku profesori flet dhe studentët mbajnë shënime, dy profesorët e ekonomisë në UET, prof. dr. Adrian Civici dhe prof. asoc. dr. Selami Xhepa u dhanë mundësinë studentëve që të ishin ata “profesorët” e debatit  mbi teorikë ekonomike.
 
Në mbrojtje të secilës teori studentët u përballën me njëri-tjetrin duke i dhënë vetes mundësinë që dijet e marra në shkollë t’i debatonin hapur me argumentet dhe kundër-argumentet.
 
Ata që kishin zgjedhur të uleshin në krah të Marksit e kishin më të vështirë mbrojtjen e teorive marksiste në ekonomi për shkak të historisë së Shqipërisë me diktaturën komuniste e ngritur mbi teorinë kryesore të Marksit për ekonomi të centralizuar dhe barazinë shoqërore.
 
Por jo fort të lehtë e kishin mbrojtjen edhe studentët e ulur në mbrojtje të teorive liberale në ekonomi, duke pasur parasysh krizat ekonomike që ka kaluar sistemi kapitalist.
 
“Qëllimi kryesor i këtij debati është që t’i vëmë studentët përballë argumentimit të dijeve  që kanë mësuar gjatë gjithë vitit, në mënyrë që të jenë të aftë të kenë disa përgjigje për çështje kyç të ekonomisë, si: Menaxhimi i mirë i kapitalit, si krijohet pasuria, si krijohen të ardhurat, drejtësinë sociale, si luftohet inflacioni etj.”, u shpreh profesor Civici.
 
Studentëve iu ngritën disa “kurthe” me situata hipotetike dhe iu kërkua nga profesorët që të gjenin zgjidhjet përkatëse bazuar në teoritë e tri shkollave.
 
Një ndarje me thikë apo një kombinim i teorive ekonomike?
 
Në fund të debatit mes studentëve, profesor Selami Xhepa bëri një analizë se çfarë përfaqësojnë këto shkolla të teorisë ekonomike dhe pse ato në shumicën e rasteve nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por përkundrazi, një kombinim i tyre sjell më shumë stabilitet në ekonomi.
 
“Shkolla marksiste barazinë sociale e konsideronte si objektiv të rëndësishëm. Por në tërësinë e vet, shkolla marksiste ka qenë gjithmonë e shquar për të kërkuar të bëjë mrekulli duke futur dorën te xhepi i individit, te xhepi i tjetrit. Ndërsa te shkollat neoklasike, pra po fus dhe atë austriake, po i vë në një emër sepse në fakt janë një, kërkonin një ndërhyrje të vogël të shtetit në ekonomi, duke i besuar zhvillimit të kapitalit privat.
 
Beteja që edhe ne sot e kësaj ditë përpiqemi që të adresojmë është cila është mënyra më e mirë për të zgjidhur sfidat dhe shqetësimet me të cilat përballemi sot. Teoritë dhe shkollat nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk i vendosim në kontekstin  e zgjidhjeve pragmatike për sfidat me të cilat përballet shoqëria dhe në kontekstin e kohës kur ishte Keynsi, nuk ka asnjë dyshim që shkolla kejnsianiste ishte zgjidhja e vetme dhe ndoshta shpëtimi i shoqërisë kapitaliste në atë periudhë. Ishte periudha kur ligji i kërkesës dhe ofertës siç themi ne ekonomistët me ato dy kurbat e famshme edhe zgjidhin si me magji çdo lloj sfide dhe çdo lloj problemi, nuk funksionoi. Kështu që teoria kejnsianiste ishte jashtëzakonisht e rëndësishme në atë kontekst, por që nuk funksionoi më tutje dhe kjo i dha jetë shkollës hajekiane dhe kryesisht shkollës monetariste, të cilat e vendosën kontrollin mbi ekonominë duke kontrolluar variablin monetar. Mirëqenia nuk mund të ndërtohet pafundësisht siç thoshte Keynsi, që sa herë kemi kriza, rrisim prokurimet publike, bëjmë dhe një tender më shumë. Nuk është kjo mënyra sepse duke bërë një tender më shumë arrin atje ku vajti ekonomia greke, borxhi të rrënon, të merr përpara dhe për rrjedhojë në vend që të prodhojmë mirëqenie dhe prosperitet, mbjellim rrënim ekonomik, por edhe rrënim social, psikologjik”, -tha Xhepa.
 
 
 
 
 
Besnik Agaj: Dua të jem pjesë e shkollës së mendimit ekonomik
 
Studenti i vitit të dytë Financë-Bankë në UET, Besnik Agaj, ishte një mbrojtës i zjarrtë i ideve liberale në ekonomi duke u pozicionuar në shkollën austriake të mendimit ekonomik. Ai e gjeti veten duke debatuar me studentët e shkollës neomarksiste si dy qasje krejt të kundërta të teorisë së ekonomisë.
 
Duke folur për Suplementin Mapo Universitet ai thotë se e ka zgjedhur këtë degë studimi jo për të punuar në bankë, por për t’u bërë pjesë e shkollës së mendimit ekonomik në Shqipëri në gjurmët e profesorëve të tij, Xhepa e Civici.
 
“Kam zgjedhur Financë-Bankë si një degë e  ekonomisë,  tek e  cila shoh shumë zhvillim në vitet e ardhshme. Kam qenë gjithmonë shumë i tërhequr nga ekonomia, nga mënyra se si paraja lëviz se si menaxhohet dhe absolutisht ka dhe përbërje politike në të. Ishte një debat shumë konstruktiv megjithëse pak me nota miqësore me shkollën marksiste. Një debat që absolutisht na thyen atë rutinën e leksionit dhe na bën ne të mendojmë përtej asaj çfarë lexojmë nëpër rreshta. Ishte një eksperiencë e këndshme. Absolutisht si idhuj ne shohim gjithmonë profesorët tanë,  Civici e Xhepa, të cilët bazën teorike e kanë shumë të fortë, por absolutisht të përkrahur nga një bazë e madhe praktike. Do të doja ta provoja veten pas bankave të shkollës në profilin tim, jo si ekonomist ose financier, sepse këtu nuk e kemi genuine atë pjesë, do të doja ta shihja dhe në shkollën e mendimit ekonomik pse jo, do të ishte diçka shumë e bukur”, shprehet ai.
 
 
 
Arta Rryta: Debati na ndihmon të kuptojmë më mirë teoritë ekonomike
 
“Unë zgjodha Financën për faktin se është një nga degët që të jep më shumë për sa i përket ekonomiksit, për sa  i përket pjesës analitike në mënyrën se si ne shtjellojmë koncepte dhe gjëra të ndryshme. Normalisht që zhvillimi apo progresi i një vendi bazohet tek ekonomia e këtij vendi dhe ne duhet të jemi të aftë të kemi një njohje të politikave si fiskale dhe monetare që të jemi të aftë që më vonë të ndërmarrim veprime sa më të mira të mundshme për ne dhe për vendin tonë”, u shpreh për Suplementin Mapo Universitet, Arta Rryta, studentja e vitit të dytë Financë-Bankë në UET.
 
Ajo e cilëson debatin si një mënyrë të re të të mësuarit, që i ndihmon studentët të kuptojmë më mirë teoritë ekonomike që mësojnë në shkollë.
 
“Unë jam shumë e atashuar te pjesa e shkollës austriake sepse mbron individualizmin edhe duhet të kemi padyshim një njohje ideologjike për të qenë të aftë, që të ndërmarrim veprime të ndryshme për sa i përket ekonomisë dhe politikës sepse sipas shkollës neoliberale debati na krijon një qasje ndryshe për sa iu përket koncepteve, se si ne duhet të mos i marrim gjërat thjesht të mirëqena, por të jemi të aftë të argumentojmë dhe të krijojmë një bindje tonën mbi çdo fenomen që ndodh”, thotë ajo.
 
 
 
Mustafa Saliko: Teoritë marksiste t’i përshtatim në kapitalizëm
 
Në një pozicion të vështirë u gjendën herë pas herë studentët që ishin ulur në tryezën e shkollës neomarksiste, ku iu duhej të mbronin teoritë e Marksit, mbi të cilat u ngrit edhe komunizmi famëkeq në Shqipëri.  Por për studentin Mustafa Saliko teoritë e Marksit nuk ishin e keqja e komunizmit, pasi ai kërkonte shtet social dhe barazi, diktaturat që lindën mbi komunizëm nuk kishin të bënin me mendimet e tij.
 
“Për sa i përket debatit u ndjeva mirë te shkolla marksiste, më pëlqente pavarësisht se Shqipëria ka një të kaluar të hidhur me komunizmin, por është më shumë te barazia sociale që sot ne e luftojmë me anë të shumë organizatave, por pabarazinë e shohim përditë. Një shkollë ideale e një shoqërie do të ishte një përzierje e marksizmit me një shtet social, me shkolla të tjera dhe me një sistem kapitalist brenda normalisht, jo vetëm me sistemin shtetëror. Mendoj se  e adhuroj pjesën e marksizmit vetëm nga pjesa sociale, nga pjesa që i bëjnë njerëzit të mos kenë ato dallimet fetare, raciste apo të luftës së klasave”, u shpreh ai për Suplementin Mapo Universitet.
 
Ai beson se shkolla që ka zgjedhur do t’i japë dijet e nevojshme që t’i zbatojë në jetë për të ndihmuar ekonominë e vendit. “Kam zgjedhur që të studioj për Financë-Bankë pasi në Shqipëri, ka shumë vende dhe shumë biznese që falimentojnë për shkak se nuk kanë informacion se si ta trajtojnë biznesin e tyre për të qenë më produktiv, duke e marrë që nga lënda e parë si të sigurohen dhe zakonisht funksionon ose me hile ose falimentojnë. Mendoj se e zgjodha këtë degë sepse ka një rrugë më të drejtë për të ecur dhe për t’u zhvilluar”, shprehet Saliko.