foto-coverNë reklamën e re për vitin akademik 2017-2018 Universiteti Europian i Tiranës i ka besuar imazhin e tij 10 pedagogëve të shquar në fusha të ndryshme dhe një slogan të ri në latinisht “Maiora Premunt”, që vjen si një premtim në nisjen e dekadës së dytë të jetës së këtij universiteti
 
“Maiora Premunt” – Gjëra të mëdha na Presin! Me këtë slogan Universiteti Europian i Tiranës ka nisur fushatën e re për vitin akademik duke bërë një premtim të madh për studentët e ardhshëm.
 
Premtimi vjen me imazhin dhe përvojën e 10 pedagogëve të shkëlqyer shqiptarë, figura aktive dhe kontributorë në debatin e ideve në Shqipëri.
 
Ky universitet ka spikatur gjithmonë me ‘gjetjet’ në çdo fushatë komunikimi në prag të çdo viti të ri akademik, por këtë radhë reklama, e realizuar nga agjencia PR-Unit pranë UET-it, ka një risi: Konservatorizëm.
 
Imazhi i 10 pedagogëve më të njohur në fushat e tyre, ekonomistë, historianë, sociologë etj., i jep fytyrën konservatore kësaj fushate që iu drejtohet të rinjve maturantë, por jo vetëm, edhe prindërve të tyre, pasi janë ata që investojnë për të ardhmen  e fëmijëve.
 
Pjesë e këtij spoti publicitar janë Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, Rektori, prof. dr. Tonin Gjuraj, historiani i njohur Ferit Duka, albanologia Nevila Nika, ekonomistët Selami Xhepa dhe Luljeta Minxhozi, antropologu Aleksandër Dhima, prof. Anni Dasho nga Teknologjia e Informacionit, Shpend Bengu nga Artet Vizuale dhe Erleta Mato nga Shkencat e Edukimit.
 
Një element i veçantë në këtë fushatë komunikimi është edhe logoja e re e UET, e cila tashmë është plotësuar edhe me siluetën e projektit të kampusit të ri të Universitetit Europian të Tiranës, që do të ndërtohet në zonën e Saukut.
 
Nga “E bën dot?” te “Maiora Premunt”
 
Të nesërmen e licencimit të UE, 23 shtator 2006, u hodh bomba e parë mediatike me posterin “Vojo Kushi mbi tank”, ideuar mbi një nga pikturat më të famshme të realizimit socialist, me të njëjtin titull që mban firmën e Sali Shijakut. “E bën dot?” do të pasohej nga shtatë foto të tjera të të njëjtit karakter, me nocionin e sfidës.
 
Nga fotot provokuese të vitit të parë, UET vijoi me sloganin “Cilësia na diferencon”, duke i kushtuar vëmendje asaj që ofronte arsimi privat në raport me atë shtetëror. Kur studentët u diplomuan dhe nisi të krijohej rrjeti ALUMNI kudo nëpër institucione edhe universiteti iu përshtat fazës së re të jetës së tij me sloganin “UET është kudo”.
 
Në vitin e 10-të të jetës zgjodhi një tjetër slogan provokativ, që përkonte me plotësimin e bilancit të një dekade për UET-in, por dhe me ndryshimet e vrullshme që po ndodhnin kudo në botë me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ose siç u quajt, epoka teknologjike.
 
“Një epokë e re po vjen”- ishte shprehje që iu drejtohej të rinjve që të bëheshin pjesë e kësaj sfide, duke huazuar shprehjen e një prej sociologëve më të njohur sot në botë, Lord Anthony Giddens, gjatë marrjes së “Doctor Honoris Causa” nga UET.
 
Me sloganin e ri dhe me planet e reja për një kampus të madh dhe hapjen e degëve të reja UET sfidon veten me “Gjëra të mëdha na presin”. Kështu, në këtë fushatë të re për vitin akademik 2017-2018, UET vjen në një dimension konservator, një frymë disi e ndryshme nga ajo e viteve më parë, duke i ofruar publikut me imazhin dhe përvojën e 10 pedagogëve të shkëlqyer shqiptarë, figura aktive dhe kontributorë në debatin e ideve në Shqipëri.
 
Komunikimi është cilësuar si një nga armët e forta të këtij universiteti, i cili ka ditur të thyejë tabutë e standardet e komunikimit publik dhe të krijojë impakt në publik me gjetjet e tij.
 
 
 
Prof. dr. Adrian Civici, Presidenti i UET-it 
 
UET, Universiteti i Biznesit. Kjo është filozofia jonë në epokën e ekonomisë së dijes. Misioni ynë është përgatitja e specialistëve më të mirë për tregun e punës. Qëllimi ynë është t’i ofrojmë botës së biznesit shqiptar dhe institucioneve njerëzit më të aftë, idetë me të avancuara. Objektivi ynë është shndërrimi i universiteteve në motorin lëvizës për zhvillimin e vendit. Me ju, studentë, me ju partnerët e botës së punës. 
 
Prof. dr. Tonin Gjuraj, Rektor i UET 
 
UET flet dhe vepron me gjuhën e standardeve. Ne tashmë kemi provën për këtë. Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë, QAA, ka akredituar universitetin me vlerësimin maksimal: Shumë mirë. 
 
Prof. asoc. dr. Selami Xhepa, zv.rektor për Kërkimin Shkencor
 
UET ka kapacitete dhe praktika të kërkimit shkencor. Te ne dija dhe kërkimi kanë një objektiv: dobishmërinë. Rezultatet e kërkimit dhe idetë për zhvillimin bëhen pronë e shoqërisë. 
 
Prof. dr. Ferit Duka, historian
 
UET, një emër që hyri kudo. Dje një projekt sfidues, sot një markë universitare e njohur për të gjithë. Një iniciativë që u rrit përditë në sytë e studentëve, pedagogëve dhe publikut. 
 
Prof. dr. Erleta Mato, Shkencat e Edukimit
 
UET edukon dhe kultivon mendimin kritik. Ne nuk jemi vetëm mësimdhënës,  jemi mentorë të studentëve tanë. I mbështesim ata për idetë, ëndrrat, projektet, si dhe për të realizuar potencialin e tyre.
 
Prof. dr. Luljeta Minxhozi, ekonomiste 
 
UET të siguron premisat për karrierë cilësore. Në një mjedis ekonomik që ndryshon vazhdimisht, edukimi ynë garanton hapat e duhur për projektin tuaj profesional. Me universitetin ju filloni lidhjen një ditë dhe e vijoni për gjithë jetën.
 
Prof. dr. Shpend Bengu, Artet Vizuale 
 
UET vlerëson, pëlqen dhe inkurajon kreativitetin. Mjafton të kesh imagjinatë dhe këtu mund të realizosh gjithçka. Projektet kulturore dhe artistike, idetë, krijimet tuaja janë në universitetin tonë në shtëpinë e tyre të natyrshme. 
 
Prof. dr. Anni Dasho, Teknologjia e Informacionit
 
UET është një pol teknologjie dhe inovacioni.  Në epokën e teknologjisë që ecën aq shpejt ju keni vendin ideal për t’iu paraprirë kohëve që po vijnë, kohë që janë aq sfiduese për imagjinatën dhe risitë që sjellin përditë. 
 
Prof. dr. Nevila Nika, albanologe 
 
UET ka tashmë historinë dhe traditën e tij. Sot nuk duhet me patjetër aq shumë dekada dhe shekuj për të ndërtuar një identitet. Në një dekadë ne kemi profilin, historinë dhe dëshminë tonë si universitet serioz dhe me traditë.
 
Prof. dr. Aleksander Dhima, antropolog 
 
UET zgjedh metodën më të avancuar, atë anglosaksone. Jepini vetes shansin për t’u bërë specialistët më të përgatitur të Shkencave sociale dhe humane. Ne kemi zgjedhur versionin bashkëkohor, si modelin më të avancuar.
 
Suplementi Mapo Universitet; Kliko për më shumë; Fushata e re e UET: Gjëra të mëdha na presin!