foto-coverMaturantët në të gjithë vendin janë përfshirë nga ethet e zgjedhjes më të rëndësishme të jetës së tyre; dega që do të studiojnë që përcakton në një farë mënyre dhe profesionin e tyre në të ardhmen.
 
Edhe 6 ditë kanë mbetur nga përfundimi i afatit të parë të regjistrimeve, deri më 29 korrik, dhe të rinjtë shqiptarë duhet të nxitohen me mençuri në plotësimin e formularit të regjistrimit që të mos përballen me ndonjë surprizë të pakëndshme, të mos fitojnë degën që duan për shkak të ndonjë gabimi në plotësimin e këtij formulari.
 
Pasi të kenë vendosur se cila është dega e tyre e preferuar, hapi i parë që duhet të kenë parasysh është vendosja e preferencave të tyre në formular, emri i degës dhe i universitetit, ku ata dëshirojnë të vijojnë studimet e larta.
 
Këtë mundësi do ta kenë vetëm maturantët që e kanë mesataren e përgjithshme mbi notën 6, sipas kritereve të miratuara nga Ministria e Arsimit. Nxënësit me notë mesatare poshtë 6-ës mund të studiojnë në kolegjet profesionale të larta, por jo në universitetet shqiptare.
 
Hapi i parë që duhet të kryejnë kandidatët për vitin e ri akademik është pagesa e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 (dy mijë) lekë në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare elektronike të QSHA­së: www.qsha.gov.al.
 
Faza e parë e regjistrimit parashikon plotësimin e formularit online sipas datave për të gjitha rrethet.  Çdo maturant aksesohet në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; email etj.
 
Ministria ka sqaruar se janë nga 1 deri në 10 preferenca në formular. Maturantët mund të zgjedhin të plotësojnë një ose dy, por jo më shumë se 10. Në këtë pikë nuk ka rëndësi renditja e preferencave, pasi universitetet do t’i zgjedhin studentët e ardhshëm në bazë të kritereve të tyre të mesatares dhe në bazë të kërkesave që kanë për çdo degë.
 
Faza e dytë është shpallja e fituesve.
 
Kjo do të bëhet më datë 28 Gusht 2017 dhe maturantët mund të kërkojnë emrat e tyre në faqet e universiteteve ku kanë aplikuar,  por edhe në faqen e qendrës së shërbimeve arsimore.
 
Data 29 gusht shënon dhe nisjen e regjistrimit për në universitet aty ku është shpallur fitues. Ky afat përfundon më 11 shtator.
 
Por maturantët duhet të jenë të vëmendshëm pasi kanë vetëm 48 orë kohë për t’u paraqitur pranë universitetit ku janë shpallur fitues.
 
“Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda afatit 48 orësh, ai humbet të drejtën e regjistrimit në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë”, thuhet në udhëzim.
 
Nga ana tjetër udhëzimi i ministrisë iu jep mundësinë që nëse ndryshojnë mendje ata kanë mundësinë të çregjistrohen nga zgjedhja e parë për të provuar një mundësi të dytë me një aplikim të ri në raundin e dytë. Këtë veprim mund ta bëjnë vetëm më datë 12 shtator me një kërkesë me shkrim pranë universitetit përkatës.
 
Një shans i dytë
 
Të gjithë ata që nuk kanë fituar të drejtën e studimit në raundin e parë, kanë pasur provime të maturës për vjeshtë ose nuk kanë fituar degën që kanë dëshiruar ka dhe një shans të dytë e raundin e dytë të regjistrimeve që nis më 15 shtator dhe përfundon më 22 Shtator 2017.
 
“Sigurisht që në raundin e dytë duhet të bëjnë llogaritë shumë mirë, si qëndrojnë shanset për të fituar”, thotë Rezana Vrapi, drejtore e AKP-së.
 
Nga data 1 tetor deri më 14 tetor të gjithë ata që janë shpallur fitues në këtë raund mund të regjistrohen.
 
Kujdes! Kur plotësoni preferencat tuaja në aplikim mos u nisni vetëm nga dëshira dhe prirjet tuaja, por llogarisni dhe mesataren që keni duke e përballur me kriteret që çdo degë kërkon për kandidatët e saj. Degë të caktuara, për shembull, si Mjekësia kërkojnë një mesatare të lartë për t’u pranuar në universitet.
 
Gjimnazistët para 2017-ës dhe ata që vijnë nga jashtë
 
Studimet në universitet për vitin akademik 2017-2018 nuk penalizojnë ata që kanë përfunduar gjimnazin në vitet e mëparshme dhe për ata të rinj që vijnë nga jashtë vendit.
 
Ja çfarë parashikon udhëzimi i ministrisë për këta kategori:
 
“Për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm përpara vitit shkollor 2016-2017 dhe që kanë aplikuar me formularin A1 Z, nga drejtoritë e institucioneve arsimore, ku ata kanë kryer aplikimin, hidhen deri më 30 qershor 2017 në Portalin Online të Maturantit të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të  gjitha viteve të arsimit të mesëm.
 
Për të gjithë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe që kanë aplikuar me formularin AIZ, nga drejtoritë e institucioneve arsimore, ku ata kanë kryer aplikimin, hidhen deri më 30 qershor 2017 në Portalin Online të Maturantit të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të  gjitha viteve të arsimit të mesëm.
 
 
 
Kriteret për aplikim për universitet:
 
Maturantët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm;
Plotësojnë kriterin e notës mesatare 6;
Plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga IAL-të, për programet e studimit për të cilat aplikojnë;
Nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer.