julia-me-gjyshen
Profil: Studentja me statusin “paraplegjik dhe tetraplegjik”: Pengesat fizike nuk mund të jenë pengesë për ëndrrat
 
E dëmtuar që foshnjë në palcën kurrizore, Julia Kuburi, ka probleme me funksionimin e gjymtyrëve. Por pengesa fizike nuk u bë asnjëherë pengesë për ëndrrat e saj. Me gjyshe Suzanën në krah ajo ndoqi studimet në UET për Financë-Bankë dhe u diplomua shkëlqyer.
 
 
Nga Elda Dedja
 
Është ceremonia e diplomimit në UET. Kudo që hedh sytë, sheh studentë dhe prindër të lumtur. Të qeshurat dhe përqafimet e përzemërta mes të pranishmëve e vërtetojnë më së miri se gëzimi do të jetë kryefjala e ditës. Studentët fillojnë të ngjiten një nga një në podium, teksa dëgjojnë emrin e tyre të thërritet, për t’u “shpërblyer” me diplomën pas 3 viteve studime. Kjo ditë përfaqëson të gjithë përkushtimin dhe devotshmërinë që ata kanë treguar në vite.
 
Mes tyre është edhe një vajzë simpatike, e cila i ngjitet podiumit ngadalë duke u mbajtur krah gjyshes së saj. Të dyja fytyrat janë të qeshura dhe krenare; më në fund ëndrra u bë realitet!
 
Julia Kuburi sapo është diplomuari në UET në degën Financë-Bankë, ku ka përfituar dhe një bursë sociale nga ky universitet . Ajo është një vajzë e zgjuar dhe e fortë, të cilën jeta e ka përballur me një problem të madh shëndetësor, por njëkohësisht e ka bekuar me një karakter të rrallë dhe një familje që i ka qëndruar pranë në çdo hap.
 
Kur Julia ishte foshnjë ka kaluar një temperaturë të lartë dhe mjekët që e kanë kuruar kanë ndërhyrë në mënyrë të gabuar duke i dëmtuar kështu funksionimin normal të gjymtyrëve. Kjo është arsyeja përse Julia ka nevojë për ndihmë gjatë veprimtarive të saj fizike.
 
Dhe fati i rezervoi në çdo hap dashurinë dhe përkushtimin e gjyshes së saj, Suzana Dema.
 
Rrugëtimi i gjyshes krah mbesës studente
 
Me gjyshen në krah Julia mbaroi gjimnazin dhe më pas universitetin. Ajo e përcillte çdo ditë për në auditor, pasi Julia nuk arrin të ketë drejtpeshim të trupit dhe kur tenton të ecë vetë mund të rrëzohet.
 
Po përveç gjyshes asaj i janë gjendur shokët e klasës dhe pedagogët, duke ia lehtësuar në maksimum ndjekjen e studimeve dhe provimet, ku i është dhënë mundësia që t’i bëjë me gojë pasi nuk mund të shkruajë mirë për shkak të problemit që ka dhe me duart.
 
Eksperienca e universitetit është një eksperiencë që mbahet mend gjatë. Është periudha në të cilën çdo i ri mund të investojë për veten në mënyrë që të ketë të ardhmen që dëshiron. Shpesh cilësohet si periudha më e bukur e jetës, në të cilën angazhimi yt primar është të shndërrohesh në versionin më të mirë tëndin.
 
Edhe për Julian, kjo eksperiencë ka qenë e tillë, e bukur dhe mjaft e vlefshme.
 
“Dëshira ime më e madhe ka qenë të mësoj, kjo është arsyeja përse i kam ndjekur të gjitha leksionet rregullisht. Gjithnjë i kam frekuentuar orët me interesin më të madh për të marrë njohuri të reja. Ndërkohë që edhe marrëdhënia me miqtë dhe pedagogët ka qenë e shkëlqyer. Më janë gjendur gjithnjë pranë kur kam patur nevojë. Gjithçka ka qenë shumë pozitive”, shprehet Julia.
 
“Jam përkujdesur për Julian që në vegjëli, veçanërisht gjatë shkollës së mesme. Edhe atje, njëlloj si këtu, Julia ka patur mbështetjen e mësuesve të cilët kanë qenë gjithnjë dashamirës, mirëkuptues dhe të gatshëm për ta ndihmuar kurdoherë. Vështirësitë kanë ekzistuar sigurisht, por për mua Julia është gjithçka. Çdo gjë e kam bërë me dashurinë më të madhe për të. Krahas përkujdesjes sime, Julja ka patur mbështetje të pakushtëzuar edhe nga pjesa tjetër e familjes, nga nëna, babai, gjyshi i saj, tezja të cilët me të njëjtën dashuri janë kthyer në mbështetje për të”, rrëfen znj. Suzana për gazetën Mapo.
 
Një zonjë vërtet fisnike, të cilës, teksa e dëgjon tek flet mund t’i kuptosh në fjalë dhe shikim, jo vetëm krenarinë që ndjen për mbesën e saj por edhe dashurinë e pamat tek e cila gjen motivim për të ecur përpara.
“Julia është gjithçka për mua. Nëse e shoh atë të lumtur ndihem edhe unë e lumtur. Pavarësisht gjithçkaje nuk e kam menduar kurrë të dorëzohem. Pasioni dhe përkushtimi me të cilin Julia ka mësuar gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë motivimi im. Kjo punë e palodhur sot shpërblehet, dhe për mua nuk ka emocion më të madh”.
 
Ëndrrat për karrierë
 
Diploma nuk është fundi i një ëndrre për Julian, por vetëm fillimi i saj.
 
“Të marr diplomën sot, për mua është një dëshirë e realizuar. I jam përkushtuar me mish e me shpirt kësaj dëshire dhe fakti që jam sot këtu, me këtë diplomë në dorë, do të thotë shumë për mua. Më shumë se kurrë jam e motivuar të vazhdoj studimet e mia në master. Besoj në degën Financë-Bankë ose Menaxhim Biznes, kjo mbetet për t’u parë, sidoqoftë dëshirat e mia për një të karrierë të suksesshme shkojnë përtej diplomimit të sotëm. Do të kisha shumë dëshirë që karrierën time ta zhvilloja në SHBA. Kam patur të gjithë mbështetjen e nevojshme deri më sot, nga familja si dhe stafi pedagogjik, ndaj besoj se edhe në të ardhmen kështu do të jetë”.
 
Pas diplomimit Julia mban në dorë një tufë me lule, e cila i është dhuruar nga pedagogët e saj në UET. “Është nga pedagogët e mi. Dëshiroj t’i falënderoj shumë. Më kanë qëndruar gjithnjë pranë. Jo vetëm që më kanë trajtuar me shumë ngrohtësi por mbi të gjitha më kanë dhënë kurajë, më kanë vlerësuar për atë që jam. Kjo nuk është pak”.
 
Të njëjtin vlerësim ka edhe gjyshja e saj, e cila marrëdhënien që kanë krijuar pedagogët me mbesën e saj e vlerëson pa masë.
“Jo vetëm pedagogët por në përgjithësi stafi i Universitetit Europian të Tiranës është për t’u falënderuar për punën e palodhur, asistencën dhe dashamirësinë e treguar gjatë gjithë këtyre viteve. Vërtet, që në përmbyllje të këtyre tri viteve shkollë mirënjohja për ta është e madhe”.
Ndërkohë, e pyetur se nëse ka një mesazh për nënat të cilat mund të përballen me të njëjtat vështirësi si ajo, znj. Suzana është përgjigjur: “U them vetëm të kenë kurajë. Të gjitha nënat, po nuk patën vullnet nuk fitojnë gjë. Këtë gjë kam bërë, i kam dhënë vetes kurajë dhe u përkushtova vërtet ndaj qëllimit tim. Kam ardhur me Julian në Universitet edhe kur kam qenë sëmurë. Asnjë ditë nuk ka munguar në shkollë, për tri vite rresht. Por këto janë sakrifica të cilat për njerëzit e tu më të shtrenjtë bëhen me sinqeritetin më të madh. Të gjithë në familje kemi patur të njëjtin parim; vullnet, përkushtim dhe dashuri. Sot ia dolëm. Sot ka fituar jo vetëm Julia, por të gjithë ne. Të shohësh që mbesa jote ndihet e lumtur, e suksesshme, e realizuar…nuk e di nëse ka lumturi më të madhe se kjo…”.
Krenaria e saj, për Julian është me vend. Të shohësh një vajzë të re e cila, hapat e saj drejt suksesit nuk i ndal para asgjëje, është me të vërtetë kënaqësi. Por mbi të gjitha është frymëzim, sepse njerëz të tillë janë të rrallë. Njerëz të cilët e dinë se po të punojnë fort për të qenë të zotë në jetë, i kanë të gjitha dyert e hapura. Njerëz të cilët kanë një dëshirë dhe punojnë realisht për ta realizuar atë… Është po aq kënaqësi të shohësh njerëz si znj. Suzana, sypatrembur dhe fisnikë, që dinë t’i përballojnë sfidat e jetës me kurajë dhe vendosmëri.
Pikërisht nga njerëz të rrallë si Julia dhe gjyshja e saj, mëson se virtytet e njeriut ende vlejnë në këtë botë, mëson se dashuria të jep më tepër forcë nga ç’mund ta kishe imagjinuar, mëson se zotësia shpërblehet me sukses dhe ëndrrat mund të bëhen realitet…