Doktorantët e parë të UET, nga ish-studentë në pedagogë 
 
Në vitin 2011 Shkolla Doktorale në Universiteti Europian i Tiranës hapi dyert duke u dhënë mundësinë studentëve që kërkonin të ndiqnin karrierën akademike që të ndiqnin edhe ciklin e tretë të studimeve. 
Përveç doktorantëve të jashtëm, UET mbështeti 10 studentët më të mirë të tij që sapo kishin përfunduar studimet master, duke u dhënë mundësinë të ndiqnin doktoraturën dhe të nisnin një karrierë akademike si asistentë pedagogë në UET. 
Kështu universiteti nuk ishte vetëm një univers akademik, por edhe një univers, ku gjithkush me vullnet e dëshirë mund të realizojë ambiciet e tij të mëtejshme.
Plot 6 vite më pas ata kanë tani titullin “Doktor Shkencash” dhe një eksperiencë të gjatë mbi supe si pedagogë. Disa prej tyre e ndaj këtë eksperiencë me Suplementin Mapo Universitet. 
Lulzim Hoxha, Anjeza Xhaferraj, Vilma Spahiu, Blerta Aliu dhe Irena Myzeqari ndajnë me suplementin Mapo Universitet eksperiencën e tyre të doktorimit dhe të kalimit nga ish-studentë në pedagogë. 
 
 
Anjeza XhaferrajPas një eksperience anglo-sanksone në studimet e saj Anjeza Xhaferaj u bë pjesë e projektit të UET në vitin 2011 që mbështeti doktorantët e parë që të realizonin ambicjen akademike. 
Ajo sapo ishte kthyer nga studimet Master për Politika Evropiane të zhvilluara në Universitetin Sussex, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe u bë pjesë e studimeve doktorale dhe mësimdhënies në UET duke qenë se kishte kryer studimet Bachelor në UET  me rezultate të shkëlqyera.
Ja si e përshkruan ajo këtë eksperiencë:
“Gjatë studimeve doktorale m’u dha mundësia për të dhënë mësim në nivelin Bachelor në lëndën e Partive Politike dhe Sistemeve Elektorale dhe atë të Shkrimit Akademik. Tranzicionin tim nga studente në pedagoge e ndihmoi shumë bashkëpunimi me Prof. Asoc. Odeta Barbullushi, e cila udhëhoqi temën time të doktoraturës dhe me të cilën bashkëpunova ngushtë në zhvillimin e lëndëve Analizë e Politikës së Jashtme, Çështja Shqiptare dhe Politika e Jashtme e Shqipërisë dhe Metoda Kërkimi, titullare e të cilave ajo ishte. Gjithmonë, në kuadër të aspektit akademik, kjo periudhë shënjon edhe fillimin e botimit të artikujve të parë akademik dhe pjesëmarrjen në konferenca të rëndësishme shkencore brenda dhe jashtë vendit”
Sipas Xhaferajt, projekti në vetvete ishte sa i ri, aq edhe i vjetër. Ishte i ri, sepse praktikohej për herë të parë nga UET dhe përgjithësisht universitetet shqiptare, por ishte i vjetër në konceptim sepse praktikohet nga universitete prestigjioze në botë. 
“Studentëve doktoralë u jepet mundësia të japin mësim dhe marrin pjesë në projekte të universitetit teksa në të njëjtën kohë zhvillojnë edhe doktoraturën e tyre. Risia ishte se studentët e parë doktoralë ishin ish-studentë të UET të cilët kishin zhvilluar një ose të dyja ciklet në UET. Në këtë kontekst, duke u dhënë mundësinë për të dhënë mësim pranë një pedagogu me eksperiencë, UET ndihmoi jo vetëm për t’i dhënë një start karrierës akademike të studentëve, por edhe për të çertifikuar studentët e diplomuar prej tij”, thekson ajo. 
Në këtë kontekst Anjeza beson se “projekti rezultoi të ishte i suksesshëm”.
Ajo e ka përfunduar doktoraturën dhe vazhdon të punojë si lektore me kohë të plotë në UET dhe kurrikulën e saj si pedagoge janë shtuar edhe lëndët e Metodave të Kërkimit dhe Lëvizjeve Politike. Gjithashtu ajo thekson se i është dhënë mundësia të japë mësim edhe jashtë vendit, si në rastin e programit Ersamus+, në Universitetin e Varshavës, si dhe në kuadër të një tjetër bashkëpunimi me universite perëndimore dhe të rajonit, është pedagoge në Masterin e Përbashkët në Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje.