Blerta AliuDoktorantët e parë të UET, nga ish-studentë në pedagogë 
 
Në vitin 2011 Shkolla Doktorale në Universiteti Europian i Tiranës hapi dyert duke u dhënë mundësinë studentëve që kërkonin të ndiqnin karrierën akademike që të ndiqnin edhe ciklin e tretë të studimeve. 
Përveç doktorantëve të jashtëm, UET mbështeti 10 studentët më të mirë të tij që sapo kishin përfunduar studimet master, duke u dhënë mundësinë të ndiqnin doktoraturën dhe të nisnin një karrierë akademike si asistentë pedagogë në UET. 
Kështu universiteti nuk ishte vetëm një univers akademik, por edhe një univers, ku gjithkush me vullnet e dëshirë mund të realizojë ambiciet e tij të mëtejshme.
Plot 6 vite më pas ata kanë tani titullin “Doktor Shkencash” dhe një eksperiencë të gjatë mbi supe si pedagogë. Disa prej tyre e ndaj këtë eksperiencë me Suplementin Mapo Universitet. 
Lulzim Hoxha, Anjeza Xhaferraj, Vilma Spahiu, Blerta Aliu dhe Irena Myzeqari ndajnë me suplementin Mapo Universitet eksperiencën e tyre të doktorimit dhe të kalimit nga ish-studentë në pedagogë. 
 
Projekti i 2011-ës ishte viti i parë i një etape të re në jetën e Blerta Aliut, e sapodiplomuar në Fakultetin Juridik në atë kohë.
“Përfshirja në stafin akademik dhe regjistrimi në doktoraturë  përmes një burse,  përbën gur themeli në përgatitjen profesionale, përmes një procesi  të gjatë, të lodhshëm e të bukur. Përtej shpirtërores që përfaqëson lidhja me UET-in, kjo marrëdhënie e gjatë dhe e qëndrueshme me dijen, më ka lejuar të krijoj dhe të zhvilloj një komunikim dinamik sa të nevojshëm aq dhe të gjerë, më shumë se sa do kisha parashikuar, herën e parë që shkela në dyert e saj”- shprehet ajo duke kujtuar atë moment që do të shënonte dhe karrierën e saj akademike. 
“Realisht, doktoratura nuk ishte pjesë e planeve të mija atë kohë, por u kthye në prioritet shumë shpejt. Një periudhë 4-vjeçare, me dilema dhe zgjedhje “akademike”  me një peshë të rëndë, që jo pak herë u kthyen në stres, lodhje  dhe pagjumësi, të cilat në fakt, kanë shërbyer tej mase shumë, për të shtruar një rrugë, në të cilën sot, eci më e sigurt dhe e bindur për atë ç’ka përfaqësoj personalisht dhe profesionalisht”, thotë Aliu, 6 vite më pas kur ka fituar statusin e pedagoges. 
Duke e konsideruar mbështetjen e universitetit ku studoi të fortë për rrugën e saj në jetë, Aliu thotë se kjo mbështetje që më është ofruar që prej 2006-ës, prej fillimit të krijimit të UET-it. “Është një mbështetje shumë e madhe, një pikë e fortë referimi për mua si studente dhe sot si pedagoge në Departamentin e së Drejtës Private të Fakultetit Juridik”- thekson ajo.