polis-16Me një bord këshillimor ndërkombëtar, me standarde të larta cilësie në përzgjedhjen e artikujve shkencore dhe e tëra në anglisht, revista Polis e Universitetit Europian të Tiranës bëhet dritarja e re nëpërmjet të cilës shkenca shqiptare i flet botës. 
 
Anglishtja është sot “lingua franca” e akademisë dhe anglishtja dhe standardet ndërkombëtare janë e vetmja rrugë me të cilën universitetet shqiptare dhe kërkimi shkencor në Shqipëri mund t’i qaset botës akademike jashtë kufijve.
 
Në këtë kuadër Universiteti Europian i Tiranë në traditën e botimit të disa revistave shkencore së fundmi ka realizuar botimin e tyre tërësisht në anglisht me borde këshillimore ndërkombëtare dhe me kritere të forta cilësie për botim.
 
Kryeredaktori i kësaj reviste, dr. Elvin Gjevori, i cili vjen pas një eksperience akademike europiane, e quan botimin në anglisht dhe plotësimin e standardeve të larta shkencore, një sfidë të re të universitetit dhe pjesë e përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e tij.
 
Janë disa risi që sjell Polis sipas Gjevorit; E para, ka një bord këshillimor ndërkombëtar me disa nga kërkuesit shkencor më të spikatur të rajonit; E dyta, Polis bazohet mbi procesin e ‘double blind peer review’, ku artikulli i sjellë për botim vlerësohet nga dy ekspertë të fushës për të vendosur nëse duhet botuar apo jo; E treta, artikulli kalon nëpër disa faza revizioni, bazuar në sugjerimet e vlerësuesve, deri sa të arrijë nivelin e kërkuar për t’u botuar; E katërta, Polis ka një faqe web të dedikuar, www.polis.uet.edu.al ku mund të aksesohen, pa pagesë, të gjithë numrat e botuar në shqip dhe këto që do të jenë në anglisht dhe e fundit, nuk ka pagesë për të botuar në Polis dhe të gjitha shpenzimet mbulohen nga Universiteti Europian i Tiranës.
 
“Të botosh në Polis të duhet cilësia dhe jo paraja. Këto elemente e dallojnë Polis nga të gjitha revistat e tjera në Shqipëri dhe i japin asaj një karakter të mirëfilltë shkencor, ku qëllimi kryesor nuk është fitimi, por prodhimi dhe përçimi i dijes shkencore”, thekson Gjevori.
 
Administratori i UET, Henri Çili, duke përshëndetur ekipin që punuan për numrin e ri të revistës Polis, tha se “UET, jo vetëm kapi një standard, i cili është kapur me revistën Economicus, pra botimi në anglisht, por arriti të botohet plotësisht në gjuhën e standardeve”.
 
Sipas tij universitetet shqiptare e kaluan fazën e akreditimit dhe tani duhet të bëhen gati për një fazë të re, në të cilën duhet të bëhen pjesë e rankimeve ndërkombëtare.
 
Dekani i Fakultetit Juridik në UET, prof. dr. Ferit Duka, i cili është edhe drejtor i revistës Polis, vlerësoi metodën shkencore të punës së Gjevorit dhe e cilësoi këtë numër në anglisht, si nga pikëpamja e përmbajtjes, si nga pikëpamja estetike, një revistë autoritare.
 
Revistat kanë qenë pasqyra më e mirë me të cilën jemi përballur në punën shkencore me publikun, -tha presidenti i UET-it, prof. dr. Ardian Civici.
 
Duke bërë një historik të shkurtër të botimit të revistave shkencore në UET, Civici tha se ka ardhur koha që ato të jenë të afta të futen në sistemin ndërkombëtar të vlerësimit.
 
“Ne kemi botuar 4 revista, në varësi me fakultetin dhe drejtimet që ka patur UET, Polis që ka qenë e para, Economicus, Justicia dhe Educacio. Në fakt në kuadrin e një reforme për ta koncentruar punën shkencore, për ta bërë më direkte, më konkrete, dhe natyrisht më cilësore është menduar që tashmë të kalojmë në një botim me dy revista kryesore në UET; Revista Polis që ka brenda përveç problematikave të shkencave sociale, marrëdhënieve ndërkombëtare, sociologji, edukimin dhe një pjese të së drejtës dhe revista Economicus që përveç pjesës së ekonomisë, financave dhe menaxhimit ka edhe pjesën e teknologjisë së informacionit dhe gjithë zhvillimeve të informatikës”, theksoi Civici.
 
elvin-gjevori5 risitë që sjell Polis për kërkimin shkencor shqiptar 
 
Pse një revistë në anglisht, kush mund të botojë te Polis dhe çfarë kriteresh ndiqen në publikimin e një artikulli shkencor? Intervistë me dr. Elvin Gjevori, kryeredaktor i Revistës Shkencore Polis në UET.
 
Z.Gjevori, revista Polis promovoi të premten numrin e saj të parë krejtësisht në anglisht. Pse në anglisht?
 
Që nga marrja e akreditimit të plotë anglez, në UET është thelluar puna për ndërkombëtarizimin e universitetit. Duke qenë se një nga objektivat kryesorë të UET është që të shkojë përtej akreditimit drejt rankimit ndërkombëtar, përdorimi i anglishtes si lingua franca e kërkimit shkencor është domosdoshmëri. Prandaj dhe Polis iu nënshtrua një procesi reformimi të thellë, ku anglishtja është reflektimi fundor i ndryshimit esencial të mentalitetit te punës. Pra, anglishtja është e rëndësishme, por jo elementi më i rëndësishëm. Në vetvete shkrimi në anglisht është një instrument që përdorim për të ndërkombëtarizuar universitetin dhe për të mundësuar që të komunikojmë me kolegët tanë përtej hapësirës së vogël shqiptare.
 
A mund të themi se kjo revistë është përshtatur me standardet e pranuara ndërkombëtarisht siç janë Thomson Reuters dhe Scopus?
 
Ne jemi në fillimet tona dhe kemi ende shumë rrugë për të bërë që të vendosim standarde solide shkencore dhe t’i institucionalizojmë ato. Gjithsesi, mund të them që standardet e revistave të huaja shkencore kanë qenë udhërrëfyesi ynë kryesor në reformimin e revistës. Prandaj, jam besimplotë se brenda disa viteve ne do të konsolidohemi si revista kryesore dhe më e besueshme për shkencat sociale dhe humane në Shqipëri.
 
Në Polis kemi si synim që në një periudhë afatmesme t’i bashkëngjitemi një shtëpie botuese ndërkombëtare dhe më pas të rankohemi në Scopus me faktor impakti. Këta janë objektiva shumë ambiciozë dhe kërkojnë kohë dhe shumë punë. Gjithsesi, vështirësia e punës nuk na step por na shton përkushtimin dhe vendosmërinë që të qëndrojmë korrektë në respektimin e standardeve shkencore ndërkombëtare.
 
Çfarë ndryshimesh të tjera ka kjo revistë shkencore?
 
Ka një mori risish të cilat lidhen nga një qëllim i vetëm: aplikimi i praktikave më të mira dhe arritja e një standardi të lartë shkencor.
 
E para, Polis ka një International Advisory Board me disa nga kërkuesit shkencor më të spikatur të rajonit dhe nga rajoni. Ato përbëjnë shtyllën ideore të revistës dhe janë instrumentalë në ruajtjen e standardit shkencor dhe ndjekjen e procedurave të standardizuara për botimet shkencore.
 
E dyta, Polis bazohet mbi procesin e ‘double blind peer review’, ku artikulli i sjellë për botim vlerësohet nga dy ekspertë të fushës për të vendosur nëse duhet botuar apo jo.
 
E treta, artikulli kalon nëpër disa faza revizioni, bazuar në sugjerimet e vlerësuesve, deri sa të arrijë nivelin e kërkuar për t’u botuar. E katërta, Polis ka një faqe web të dedikuar, www.polis.uet.edu.al ku mund të aksesohen, pa pagesë, të gjithë numrat e botuar në shqip dhe këto që do të jenë në anglisht.
 
E fundit, nuk ka pagesë për të botuar në Polis dhe të gjitha shpenzimet mbulohen nga Universiteti Europian i Tiranës. Të botosh në Polis të duhet cilësia dhe jo paraja. Këto elemente e dallojnë Polis nga të gjitha revistat e tjera në Shqipëri dhe i japin asaj një karakter të mirëfilltë shkencor ku qëllimi kryesor nuk është fitimi, por prodhimi dhe përçimi i dijes shkencore.
 
Sa e vështirë është të botohesh te Polis, cilat janë kriteret e pranimit të artikujve nga stafi drejtues?
 
Të prodhosh dhe të botosh artikuj shkencorë është jo pak e mundimshme. Ne e respektojmë mundin e studiuesve dhe si rrjedhojë pranojmë vetëm më të mirët. Nuk është e lehtë të botosh te Polis. Me kalimin e viteve dhe konsolidimin e revistës do të bëhet akoma dhe më e vështirë. Te Polis jemi në kërkim të artikujve që kanë diçka të qenësishme për të ‘thënë’; pra ata artikuj që kanë risi teorike, empirike ose metodologjike. Në Shqipëri ne vuajmë nga mungesa e studimeve serioze dhe metodike për një sërë problematikash akute dhe Polis ka synim që të bëhet një nga instrumentet kryesore të prodhimit të dijes që ka relevancë edhe për politikëbërjen.
 
Sa e rëndësishme është për një universitet revista shkencore dhe kërkimi shkencor?
 
Universiteti pa kërkimin shkencor nuk ka kuptim. Universiteti nuk është thjesht një vend ku përçohet dija, por pikë së pari dhe mbi të gjitha është një hapësirë ku prodhohet dija. Një pedagog i mirë duhet medoemos të jetë dhe një kërkues shkencor i aftë. Universitetet tona kanë çaluar jo pak në këtë fushë dhe si rrjedhojë edhe mësimdhënia e tyre ka qenë e cunguar dhe shpeshherë e bazuar në njohuri të vjetruara. Kërkimi shkencor është esencial për t’u bërë pjesë e konsorciumeve kërkimore ndërkombëtare dhe përthithjen e fondeve që ofrohen nga Bashkimi Europian apo organizata të tjera. Me pak fjalë, kërkimi shkencor, pavarësisht se është pjesa më pak e dukshme e universitetit, është mekanizmi kyç që vë dhe mban në lëvizje gjithë mekanizmat e tjerë.
 
Ku është Universiteti Europian i Tiranës në këtë drejtim dhe çfarë objektivash ka në vazhdim?
 
Kërkimi shkencor është një fushë dinamike dhe universiteti po bën përpjekje të vazhdueshme që stafi të jetë i trajnuar në metodat më të avancuara dhe të jetë në gjendje që të botojë në revista të rankuara. Për këtë qëllim në korrik ne zhvilluam disa trajnime 3-ditore ‘Pedagog +’ që të rrisnim cilësinë e produktit shkencor të stafit të UET. Trajnimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Nëpërmjet trajnimeve dhe financimeve të kërkimit shkencor ne besojmë që stafi në një periudhë afatmesme do të botojë në revista të rankuara në mënyrë periodike. Duhet theksuar se kërkesat që ka UET ndaj stafit si dhe burimet dhe mbështetja që i vihen në dispozicion janë një risi e cila nuk është praktikë e përhapur në Shqipëri. Në këtë mënyrë ne shpresojmë që përveç përmirësimit të produktit shkencor në UET, të ofrojmë edhe një kuadër të organizimit të punës që të përdoret nga institucionet e tjera të arsimit të lartë.
 
Kush i lexon revistat shkencore? A ekziston frika se shkencëtarët i flasin vetëm njëri-tjetrit si në një rreth vicioz? Ç’duhet bërë sipas jush për ta nxjerrë shkencën jashtë mureve të universiteteve te shoqëria?
 
Revista shkencore në përgjithësi lexohen nga kërkues të tjerë pasi gjuha që përdoret aty është teknike dhe jo rrallëherë e drunjtë. Pra, është e vërtetë që shpesh shkencëtarët i flasin njëri-tjetrit pa qenë të aftë të depërtojnë në diskursin publik. Prandaj ka një nevojë akute që shkenca t’i flasë shoqërisë në një gjuhë që të jetë e kuptueshme dhe në një mënyrë që të jetë interesante. Jetojmë në botën e ‘sound bite’ 10-sekodësh dhe duam apo nuk duam duhet t’i përshtatemi një shoqërie e cila ka aftësi të kufizuara vëmendjeje. Por kjo nuk do të thotë që të ulet standardi shkencor. Një nga gjërat që mund të bëhet, dhe që bëhet te MAPO prej vitesh, është përmbledhja në formë të shkurtuar dhe të thjeshtë e gjetjeve të kërkimeve shkencore në artikuj gazetareske. Gjithashtu, ne duhet të jemi më aktivë në rrjetet sociale ku mund të shpërndajmë informacione të përmbledhura. Pra, duhet që kërkuesit të dalin nga zona e tyre e komfortit dhe të komunikojnë me shoqërinë duke përdorur mjetet më efikase të komunikimit masiv. Në këtë mënyrë edhe kërkimi shkencor bëhet sipas standardeve, edhe publiku informohet dhe familjarizohet me punën e një bote që nga jashtë mund të duket e huaj dhe e ftohtë.
 
Në universitetet më prestigjioze në botë shtrohet sot pyetja: Si mund të bëhet shkenca e dobishme për zhvillimin ekonomiko-social, kulturor etj., të një shoqërie? Po në Shqipëri a e kanë universitetet këtë synim, si mund të arrihet kjo?
 
Shkenca, nëse bëhet në mënyrë rigoroze dhe me seriozitet, është gjithmonë e dobishme sepse dija është gjithmonë e dobishme. Siç thoshte Platoni, dija është një e mirë në vetvete; nuk ka pse të justifikohet. Ajo që ju i referoheni është aplikimi praktik i dijeve shkencore. Për nga natyra e tyre disa degë janë më aplikative se të tjerat, por aplikueshmëria në ekonominë e tregut nuk duhet ngatërruar me dobishmërinë. Një gjykim i tillë do të ishte dritëshkurtër dhe do të deformonte kërkimin dhe dijen shkencore. Fillimisht universitetet shqiptare thjesht duhet të fokusohen në prodhimin e dijes nëpërmjet kërkimit të strukturuar shkencor. Më pas, bazuar në eksperiencën pozitive, mund të profilizohen në prodhimin e dijes me qëllime më aplikative. Kjo është një rrugë e gjatë që kërkon shumë më tepër staf e shumë më tepër fonde se sa kemi aktualisht. Prandaj revista si Polis janë me shumë rëndësi sepse na japin mundësi që të bëhemi pjesë e konsorciumeve ndërkombëtare kërkimore ku mund të përfitojmë eksperiencë dhe fonde.
 
Në themel e gjithë struktura universitare bazohet në kërkimin shkencor. Nëse bëhet ashtu siç duhet dhe me seriozitet, me kohë, gjërat e tjera si: ndërkombëtarizimi, rritja e financimit, dhe dobishmëria publike do të vijnë. Polis është hapi i parë i një filozofie të re që ne po aplikojmë. Në vetvete nuk është i mjaftueshëm por është i domosdoshëm që të arrijmë një nivel më lart dhe ta çojmë UET drejt standardeve të universiteteve anglosaksone.
 
Suplementi Mapo Universitet; Kliko për më shumë; Revista ‘Polis’ UET: Shkenca shqiptare me standarde ndërkombëtare