doktoraturat-uetNë vitin 2011 me hapjen e Shkollës Doktorale UET mbështeti ambicjen e 10 studentëve të shkëlqyer për të nisur karrierën akademike. Pas përfundimit të doktoraturës disa prej tyre punojnë si pedagogë në UET dhe punimet e tyre shkencore do të publikohen në kolanën Thesis të UET-Press

Ishte vera e vitit 2011 kur Universiteti Europian i Tiranës në prag të 5-vjetorit të themelimit hapi Shkollën Doktorale duke pranuar studentë edhe në ciklin e tretë të studimeve.

Me anë të një projekti “doktorantët e tij” UET mbështeti me bursa studimi 10 studentët më të mirë që kishin përfunduar studimet Bachelor e Master në UET. Ideja ishte krijimi i një lloj “fidanishteje” të pedagogëve të rinj, produkt akademik i vetë universitetit, në të treja ciklet e studimit.
Projekti i dha kështu jetë ambicjes akademike të këtyre të rinjve për t’i gjetur disa vite më pas në auditoret e këtij universiteti si pedagogë kompetentë të lëndëve të tyre.
Punimet shkencore të 5 prej tyre, të kryera në fusha të ndryshme akademike, po bëhen gati të botohen nga UET-Press si pjesë e kolanës Thesis.

Lulzim Hoxha, Anjeza Xhaferraj, Vilma Spahiu, Blerta Aliu dhe Irena Myzeqari janë doktorantët më me fat të këtij projekti që po i shijojnë frytet e ambicjes së tyre të hershme dhe të punës disa-vjeçare të shndërrimit nga studentë në pedagogë.
Lulzim Hoxha prej disa vitesh jep mësim në universitet, një ambicje e realizuar falë përfundimit të studimeve të doktoraturës.
“Ky projekt ishte shumë i rëndësishëm për karrierën time si doktorant dhe si pedagog i ri për t’u bërë pjesë e botës akademike”- thotë Lulzim Hoxha, i cili jep mësim në Shkencat Politike dhe është anëtar aktiv i klubit të filozofisë “Russell”. Në një intervistë të dhënë 6 vite më parë kur u bë pjesë e projektit ai e shihte UET-in si “një rrugëtim që nuk do të marrë fund kurrë”. Një nga momentet më të rëndësishme të eksperiencës së tij si doktorant në UET ai konsideron “përfshirjen graduale në mësimdhënie, duke nisur si fillim me seminaret derisa në korrik të vitit 2015 përfundova doktoraturën dhe m’u krijua hapësira për t’u angazhuar në orët e leksionit”.

Për Vilma Spahiun, e cila është doktoruar për çështje të sigurisë kombëtare, bota akademike është një eksperiencë e fuqishme, të cilën ajo e përkufizon; “luftë dhe paqe”.
“Një periudhë e domosdoshme për kuptuar botën akademike në tërësinë e saj në lidhje me avantazhet, disavantazhet, pasionin, rritjen profesionale. Përvoja si doktorante më ka shërbyer për të përforcuar bindjen që jeta akademike është në të njëjtën kohë, paqe dhe luftë”, shprehet ajo.
Vilma e kujton momentin kur e telefonuan nga universiteti për t’i bërë të ditur se ishte përzgjedhur ndër studentet ekselente për të vijuar doktoraturën, si një moment që përcaktoi dhe të ardhmen e saj. “Ky projekt ishte një gjetje shumë e mirë, vleresimi, motivimi, besimi, beteje, sfide për të gjithë grupin e studentëve ekselentë të 2011-ës”- thotë ajo.

Anjeza Xhaferaj është një tjetër sukses i këtij projekti. Ajo është sot një nga zërat publikë të angazhuar në fushën e shkencave politike dhe ftohet shpesh në debate televizive.
Anjeza u bë pjesë e projektit të UET në vitin 2011 pas një eksperience anglo-sanksone në studimet e saj Master. Sipas Xhaferajt, projekti në vetvete ishte sa i ri, aq edhe i vjetër. Ishte i ri, sepse praktikohej për herë të parë nga UET dhe përgjithësisht universitetet shqiptare, por ishte i vjetër në konceptim sepse praktikohet nga universitete prestigjioze në botë. Por, ajo që është më e rëndësishme, ajo beson se “projekti rezultoi të ishte i suksesshëm”.

Irena Myzeqari, ish-studente e shkëlqyer në Shkencat e Komunikimit, që tani gjendet përballë studentëve të rinj, të cilët presin prej saj t’u ndriçojë rrugën në studimet e tyre të saponisura.
Përvojën si doktorante në UET e cilëson si “një nga periudhat më frytdhënëse”, pasi siç shprehet ajo, “pata mundësinë të mësoja më shumë për veten dhe të vija në provë gjithë aftësitë që kisha fituar në studimet e mia bachelor dhe Master”.
“Ishin vitet kur unë mora leksionet e para të kulturës organizative dhe të punës, kuptova vit mbas viti se cilat detyra dija ti bëja më mirë e cilat jo si edhe koha kur unë iu përkushtova shumë një objekti të vetëm studimi, doktoraturës sime në Shkencat e Komunikimit. Midis orëve në auditor me studentët, punës si asistente në shkollën doktorale, orëve intensive të studimeve doktorale dhe kohës se dedikuar kërkimit, unë u rrita dhe e kthej kokën shpesh mbrapa për të kuptuar më mirë të tashmen time dhe në cilat hapa duhet të ndërtoj të ardhmen”- shprehet Myzeqari.

Projekti i 2011-ës ishte viti i parë i një etape të re edhe në jetën e Blerta Aliut, e sapodiplomuar në Fakultetin Juridik në atë kohë me rezultate ekselente.
“Përfshirja në stafin akademik dhe regjistrimi në doktoraturë përmes një burse, përbën gur themeli në përgatitjen profesionale, përmes një procesi të gjatë, të lodhshëm e të bukur. Përtej shpirtërores që përfaqëson lidhja me UET-in, kjo marrëdhënie e gjatë dhe e qëndrueshme me dijen, më ka lejuar të krijoj dhe të zhvilloj një komunikim dinamik sa të nevojshëm aq dhe të gjerë, më shumë se sa do kisha parashikuar, herën e parë që shkela në dyert e saj”- shprehet ajo duke kujtuar atë moment që do të shënonte dhe karrierën e saj akademike.
Për të 5-të pedagogët e rinj duket e largët dita kur nisën doktoraturën dhe bashkë me të edhe një eksperiencë të re, të bukur dhe të vështirë, me kërkim shkencor, konferenca ndërkombëtare, artikuj, leksione dhe emocione para komisionit të profesorëve në mbrojtjen e doktoraturës. Por gjithë ky rrugëtim shënoi në fakt rritjen e tyre, njerëzore dhe profesionale.

doktoraturat-uet1