Evi KadanaEvi Kadana është student i degës Juridik në UET. Ai është përzgjedhur senator i grupit të tij pasi ka dëshmuar se zotëron aftësitë dhe përgjegjësitë e duhura për të mbajtur një post të tillë. Krahas kësaj, ka shfaqur interes të veçantë rreth klubeve studentore, ku ka qenë rregullisht pjesëmarrës aktiv duke ndarë idetë dhe mendimet e tij me të tjerët rreth çështjeve të ndryshme.

 

 

 

 

Pjesëmarrja në klubet studentore e ka ndihmuar për t’u rritur jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht.

“Një nga gjërat më të reja dhe interesante që gjeta në UET, ishte ekzistenca e klubeve studentore. Klubi i Sociologjisë, i drejtuar nga pedagogu ynë Klajdi Logu, ishte mishërimi më i mirë i asaj çfarë prisja dhe kërkoja nga një klub studentor, mundësinë e barabartë dhe të përhershme e të angazhuarit në debat, të organizuarit të debatit dhe diskutimit të temave për të cilat ne studentët kemi interes dhe janë bashkëkohore. Sepse të jep mundësinë që interesin, kuriozitetin që ke ndaj një subjekti në universitet, ta kultivosh përmes pjesëmarrjes në klubet studentore”.

Ai ndau me ne edhe mënyrën se si zhvillohet dhe funksionon Klubi i Sociologjisë.

“Klubi funksionon mjaft thjesht. Studentët që bëjnë pjesë në këtë klub njoftohen fillimisht për datën, orën e zhvillimit dhe temën mbi të cilën do diskutohet me anë të email-it apo grupit privat që i është dedikuar këtij klubi në rrjetin social Facebook. Në të gjitha rastet temat që janë për diskutim u lihen në dorë studentëve. Ata e përpunojnë dhe përgatisin në shtëpi duke e bërë kështu diskutimin mjaft interaktiv dhe tërheqës. Pedagogu udhëheqës bën një hyrje të shkurtër duke sqaruar studentët në lidhje me temën që do diskutohet duke pasuar fjalën te studentët të cilët kanë përgatitur artikullin në lidhje me këtë temë. Përmes pyetje-përgjigjeve dhe ideve të hapura që mund të shpreh çdo anëtar, ky klub bëhet aq miqësor sa të krijon përshtypjen sikur po diskutohet për një çështje të caktuar mes miqsh”.

Ndër të tjera, ai shprehet sa ka përfituar vërtet shumë nga pjesëmarrja në këtë klub: “Fillimet e mia në UET dhe në një qytet tjetër larg familjes e larg ambientit që isha mësuar më dukeshin vërtet të vështira. Klubi më ndihmoi shumë që të arrija procesin e socializimit dhe më dha efekte mjaft pozitive në fushën e lidershipit. Por ndihma më e madhe ishte përvetësimi i të folurës në publik, pjesë të cilën unë e kisha me ngurrim ta bëja për shkak se vija nga një qytet me dialekt tjetër. Vlen të përmenden edhe njohuritë e reja të marra nga ky klub, ku përmes fotove, videove dhe shkrimeve të ndryshme arrihet zgjerimi i horizontit të dijes. Thënë me fjalë të thjeshta, ky klub vërtet ia vlen të provohet dhe do ua sugjeroja të gjithë studentëve të cilët më parë nuk e kanë frekuentuar!”.