Hygerta 1Hygerta Aruçi, një vajzë shumë ambicioze dhe e fokusuar në arritjen e objektivave që i ka vendosur vetes, studion në degën e Juridikut në UET. Falë punës dhe aftësive të saj, ajo është zgjedhur të jetë kryetare e Klubit të Vullnetarëve. Me shumë dëshirë dhe kënaqësi vendosi të ndajë me ne përgjegjësitë që ka si kryetare dhe mënyrën se si funksionon ky klub.

“Klubi i vullnetarëve, fillimisht m’u paraqit si një alternativë mes shumë klubeve studentore që zhvillohen në UET. Zgjodha të regjistrohesha pikërisht në këtë klub sepse isha e sigurt që do të më jepte mundësinë për t’u përfshirë në aktivitete vullnetare, që synojnë reduktimin e problemeve të vazhdueshme që zhvillohen çdo ditë në Shqipëri”.

Ndryshe nga anëtarët e tjerë, ajo mbart përsipër një tjetër përgjegjësi, ndaj së cilës nevojitet seriozitet dhe përkushtim maksimal, të qenit kryetare.

“Posti i kryetares është sa i bukur, aq edhe me obligime të shumta. Përgjegjësia kryesore lidhet me frymën e ndërgjegjësimit të anëtarëve të tjerë të klubit për të ndihmuar në realizimin e nismave të ndërmarra nga ky klub dhe gjithashtu, për të krijuar një fushatë ndërgjegjësuese mes studentëve të UET, për t’i realizuar këto nisma dhe për të mbledhur sa më shumë kontribute. Për më tepër, mes përgjegjësive të mia është edhe koordinimi i takimeve dhe mbledhjeve të mbajtura duke propozuar nismën e radhës, si dhe përzgjedhja e rasteve që propozohen në këtë klub”. Ndër të tjera, Hygerta tregon edhe mënyrën e funksionimit të Klubit të Vullnetarëve. “Takimet zakonisht zhvillohen çdo dy javë, por mund të kemi edhe mbledhje më të shpeshta në rast të paraqitjes së një rasti të veçantë. Çdo anëtar ka të drejtë të propozojë nisma dhe gjithashtu të jetë pjesëmarrës në realizimin e tyre”. Rreth përfitimeve që ka marrë nga ky klub ajo shprehet në këtë mënyrë: “Përfitimi më i madh është kënaqësia që përjetohet kur shikon që nismat e ndërmarra përfundohen me sukses. Por gjithashtu kur vëren momentet në të cilat rritet fryma e solidaritet, humanizmit dhe ndërgjegjësimit për të qenë pjesëmarrës, por edhe për të ndihmuar në realizimin e rasteve. Ndihem krenare jo vetëm në arritjen e qëllimeve personale, por edhe kur realizohet synimi i grupit”. Hygerta flet gjithashtu edhe për klubet e tjera që zhvillohen në UET dhe rëndësinë e tyre. Ja se si është shprehur ajo: “Jam regjistruar në klubin “Juristët e rinj”, ku jam edhe koordinatore e klubit. Gjithashtu jam anëtare e klubit të sociologjisë dhe atij të përkthimit. Arsyeja, është që të kem mundësi të angazhohem në jetën aktive të UET, por edhe për të përfituar eksperienca nga zhvillimi i këtyre klubeve studentore. Të gjitha klubet kanë rëndësinë e tyre, por unë përsëri do të zgjidhja klubin e vullnetarëve dhe atë të juristëve për nga rëndësia dhe ndikimi që ato kanë në jetën dhe në qëllimet e mia”. Studimet në fushën e juridikut janë primare për të dhe iu është përkushtuar maksimalisht, pa lënë pas dore edhe aktivitete të tjera.