IMG 2896Mendimi i Friedrich Hayek përbën një ndër shtyllat më solide të mendimit liberal që prej viteve ’70 e deri në ditët e sotme. Pas librit “Hayek, liberalizmi përballë etatizmit” nga profesor Adrian Civici, shtëpia botuese UET Press ka sjellë në shqip dialogun autobiografik “Hayek-u për Hayek-un” me përkthim të Presidentit të Institutit Pashko Selami Xhepa.

Hayek, ndryshe nga shumë ekonomistë të tjerë, pati mundësinë të shihte suksesin e ideve të tij të aplikuara në Mbretërinë e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

 

 

Në promovimin e librit sot në Universitetin Europian të Tiranës, profesor Adrian Civici solli në vëmendje edhe një detaj interesant.

“Shumë vite më parë kur Thatcher nxori nga çanta librin e Hayek dhe u tha të gjithëve se këtë libër mbaj unë me vete dhe këtë libër duhet të lexoni ju të gjithë që të kuptoni se ç’po bëj unë dhe ç’duhet të bëjë Britania e Madhe, në fakt ishte surprizë e madhe për të gjithë sepse pak kishin dëgjuar për një personazh kaq brilant, i cili pas debatit të famshëm me Kejnesin, për gati 30 vjet kaloi në harresë deri sa në vitin 1974 mori çmimin Nobel në ekonomi.”

Në dialogun autobiografik Hayek flet për momentet më pikante gjatë jetës profesionale, akademike dhe kontaktet që ka pasur në institucionet më prestigjioze të kohës.


kopertina 3“Leximi i këtij libri është një nxitje për t’u thelluar në diskutimet e teorisë ekonomike, por edhe në filozofi, në shkenca politike, në sociologji. Nuk është nga ato librat e ftohtë dhe shpesh herë formal të ekonomisë, por ka pjesët më pikante të debateve dhe të konkluzioneve të tij”, tha profesor Civici.


Ndërsa Selami Xhepa e konsideroi përkthimin e këtij libri një shërbim që i bën botës akademike dhe intelektuale në Shqipëri.


“Mendoj se një nga kontributet që njeriu mund të bëjë është të sjellë në gjuhën e tij figurat më interesante në botën e filozofisë në një vend si Shqipëria ku raporti i shoqërisë sonë me dijen është disi problematik. Në morinë e aktiviteteve që organizon UET, më simpatiku është aktiviteti i ditës së premte, ku njeriu krijon një raport tjetër i cili është raporti me dijen ndërkombëtare, por edhe atë shqiptare. Hayek-un kam kohë që e kam përkthyer, por prita që të vinte në shqip më parë mësuesi i tij, Ludwig von Mises që e ka përkthyer profesor Civici”, u shpreh Presidenti i Institutit Pashko, Selami Xhepa.


Në parathënien e librit ai shkruan se “Hayek nuk besonte se ekonomiksi mund të studiohej në izolim nga shkencat e tjera të dijes. Vetë ishte i tillë dhe prandaj është e vështirë që  vepra e tij të gjendet si pjesë e kurrikulumeve universitare. Hayek nuk ishte një ekonomist në kuptimin që i japim ne sot këtij termi; ai ishte një teoricien pedant i shkencës. Kontributet e tij në teorinë e ekonomisë, epistemologji, etikë, ligj, filozofi, politikë dhe psikologji i japin Hayekut statusin e një ekonomisti lider të shekullit të njëzetë.”