isa-fidaProfil ALUMNI/ Gjatë studimeve për Menaxhim Biznes në UET, Fida guxoi me sipërmarrjen e tij  startup dhe ia ka  dalë me sukses
Isa Fida, është një ndër të rinjtë shqiptarë të cilët, falë dëshirës për të punuar, këmbënguljes dhe shpirtit inovator, gëzon sot sipërmarrjen e tij. Edhe pse ende mjaft i ri në moshë, Isa Fida ia ka dalë mbanë të krijojë biznesin e tij dhe ta menaxhojë atë suksesshëm. Ish-studenti i Universitetit Europian të Tiranës ka dhënë një intervistë për gazetën Mapo në lidhje me këtë sipërmarrje, të quajtur “FidaHost”. Isai ka studiuar në drejtimin Informatikë-Ekonomike me profil Menaxhim Biznesi në Universitetin Europian të Tiranës ku ka kryer studimet 3-vjeçare Bachelor dhe pastaj edhe Masterin po në UET, Informatikë Ekonomike me profil Administrim Biznesi. Ai është një prej studentëve të kësaj dege që kanë guxuar me sipërmarrjet e tyre startup-e dhe ia kanë dalë me sukses. Ai e prezantoi sipërmarrjen e tij gjatë aktivitetit “StartUp Europe Comes to Universities”, një iniciativë e Komisionit Europian dhe e rrjetit StartUp Europe University, që u mbajt për të dytin vit radhazi në UET.

Cila është sipërmarrja juaj?

Unë jam i fokusuar te biznesi online dhe kam disa vite që kam krijuar biznesin tim, të quajtur FidaHost (web: FidaHost.com). FidaHost është një kompani që ofron shërbime për hostimin të webfaqeve në internet, ku tashmë numëron mbi 400 klientë aktivë, duke filluar nga klientët më të vegjël që hostojnë një blog apo web personal, kompani që kanë një faqe për biznesin e tyre, deri te shërbimet më të avancuara të hostingut, si: ofrimi i serverëve të dedikuar, cloud etj., për kompani më të mëdha që prezencën online ia kanë besuar FidaHost-it.

Si ka lindur ideja për këtë sipërmarrje?

Kontakti im i parë me internetin është që në moshën 10-vjeçare, isha tepër ambicioz dhe më tërhiqte shumë teknologjia, gjithnjë kam dashur të kem njohuri sa më të shumta rreth “botës online”. Në moshën 12-vjeçare kam hapur websitin tim të parë thjesht për hobi, pasi atë kohë nuk mendoja që interneti është një burim i mirë fitimi. Pas një farë kohe, duke marrë më shumë njohuri reth webit dhe gjuhëve programuese unë fillova të punoj si freelancer duke krijuar website për të tjerët. Në fillim për persona të afërm dhe pastaj për biznese të ndryshme, deri sa erdhi një kohë që unë kisha krijuar një buxhet timin dhe mendova që duhej të zgjeroja edhe më tepër aktivitetin tim online, kështu që vendosa të hap FidaHost.com, duke krijuar një plan biznesi dhe duke qenë ndër kompanitë e para të hostimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Tashmë FidaHost në treg operon prej rreth 7 vitesh, ndërsa e regjistruar si biznes sh.p.k. ka rreth 3 vite.

Gjithashtu, në kuadër të FidaHost.com unë kam udhëhequr edhe shumë fushata marketingu online për shumë kompani të njohura në Shqipëri, si universitete, parti politike dhe persona publikë.

A ka qenë e lehtë për ju të ndërtoni këtë startup? Cilat mund të jenë disa nga sfidat më të vështira me të cilat jeni përballur në rrugën tuaj? Çfarë ju ka motivuar për të ecur përpara?

Siç thashë edhe më parë, gjithmonë më ka tërhequr teknologjia, por gjithashtu edhe ideja që të krijoj diçka për veten time. Kur nis e mendon për krijimin e një biznesi, aq më tepër në moshë të re fillimisht duhet që të kesh një plan biznesi dhe të mendosh se si mund ta zhvillosh sa më shumë atë ide. Mua personalisht fillimisht kur e kam menduar për krijim e një biznesi në mendje më vinin pa fund pyetje dhe të them të drejtën edhe shumë dilema dhe hezitime, por fundja mendova se gjithçka që do humbja ishte koha që do merresha dhe një buxhet personal që e kisha krijuar, por duhet thënë që kisha avantazhin se isha i rri në moshë dhe mund të provoja përsëri edhe nëse do dështoja.

Të kesh një biznes është një sfidë e madhe por e bukur për çdo person. Biznesi ka sfida të shumta të përditshme, nga sfidat më të vështira që kam hasur është kur klientë të FidaHost kanë pasur probleme me produktet apo shërbimet e FidaHost. Premtimi i FidaHost është 99% uptime, pra produkti/shërbimi që ne ofrojmë nuk duhet assesi që të ketë probleme apo klienti të mos ketë qasje, kjo është një sfidë mjaft e madhe dhe e përditshme për ne pasi që gjithmonë mundohemi ta mbajmë premtimin që iu japim klientëve, në të kundërt mund të krijohen pakënaqësi te klientët dhe nga përvoja që kemi pasur nëse krijohen pakënaqësi te klientët, ai klient që largohet nuk kthehet më, por krijon dhe një efekt zinxhir pasi feedback-u i keq që mund të japi mund të shkaktojë humbjen e klientëve të tjerë. Kështu që sfida më e madhe për ne është që t’i mbajmë klientët e kënaqur pavarësisht gjithçkaje.

Kur punon për diçka tënden të jep një ndjesi shumë të bukur dhe çdo ditë e më shumë angazhohesh që ta zhvillosh dhe ta zgjerosh sa më shumë atë ide. Unë gjithmonë kam dashur të krijoj një biznes timin dhe kam besuar se mund t’ia dal edhe përpos sfidave apo problemeve që mund të hasen gjatë rrugës dhe mendoj që ky është edhe motivi më i madh që më ka bërë të eci përpara.

Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë startup-in e tyre?

Unë mendoj që sipërmarrja duhet të jetë një nga opsionet kryesore për çdo të ri, kështu që çdo i ri duhet të fillojë sa më parë që të mendojë për një ide biznesi që ta mbajë sa më të motivuar për të punuar sa më shumë në krijimin e diçkaje që do ta bëjë të ndihet krenar për punën e tij. Çdo i ri duhet të fillojë të ndërtojë të ardhmen e tij tani, sepse sa më parë filloni duke punuar drejt qëllimit tuaj, aq më shpejt do arrini njohuritë dhe eksperiencën tuaj. “Në qoftë se nuk fillon të ndërtosh ëndrrat e tua, do të të punësojnë të tjerët të realizosh ëndrrat e tyre”, thënie.

Intervistoi: Elda Dedja