hera-behariHera Behari është studente në degën Financë-Bankë, dhe është për të dytin vit radhazi, pjesë e Rrjetit të Ekselencës së Universitetit Europian të Tiranës. E karakterizuar nga vullneti dhe përkushtimi ndaj punëve që merr përsipër, ajo ia ka dalë mbanë të ketë rezultatet e larta akademike që ka.
“Fakti që bëj pjesë në grupin e studentëve ekselentë është vlerësim për rezultatet mësimore dhe gjithashtu stimul për të përvetësuar gjithmonë e më shumë dije. Nga ana tjetër, përkthehet në përgjegjësi të shtuar për të qenë sistematike dhe për të ruajtur rezultate të larta mësimore”, shprehet Hera në lidhje me të qenit një studente ekselente.
Ajo është bërë pjesë e UET duke qenë fituese e bursës së ekselencës që ky universitet ofron, dhe ia ka dalë mbanë ta ruajë atë. Por sa e lehtë ka qenë për të kjo?

“Të jesh student ekselent, nuk mund të them se është e lehtë, pasi kërkon vullnet dhe përqendrim, por nuk do ta quaja as të vështirë. Gjithçka varet nga këndvështrimi. Personalisht, gjatë gjithë jetës sime shkollore, e kam konsideruar studimin si “punën” time, sepse ka qenë ndër të paktat përgjegjësi që kam pasur. Patjetër që me kalimin e viteve rritet shkalla e vështirësisë, por në të njëjtën mënyrë kam rritur edhe përpjekjet dhe intensitetin e studimit. Dëshira për të zotëruar sa më shumë njohuri në përgjithësi dhe sidomos dëshira për të pasur një formim të plotë në profesionin tim të ardhshëm, janë ato të cilat më frymëzojnë për të dhënë maksimumin tim”, shpjegon ajo.
Hera, tregon për gazetën MAPO, se çelësi i suksesit të saj nuk është gjë tjetër, veçse kombinimi i kuriozitetit dhe punës sistematike.