AleksjaAleksja Oruçi është studente në vitin e dytë, në degën Komunikim Dizajn. Si e tillë, karakterizohet nga një stil i veçantë dhe qëndrim që bie lehtësisht në sy. Krahas pasionit të saj për artin dhe fotografinë, Aleksja është edhe një ndër studentët ekselentë të UET, me rezultate mjaft të larta akademike.
“Një pjesë e mirë e studentëve kur fillojnë të studiojnë në universitet bien në rezultate dhe e përballojnë me më shumë vështirësi atë. Për mua ndodhi e kundërta, unë tani jam më mirë sesa në gjimnaz dhe kjo falë punës time. Në të vërtetë unë nuk kam studiuar dhe nuk jam përpjekur për t’u bërë më e mira apo më e mirë se dikush tjetër, unë thjesht jam përpjekur dhe kam “luftuar” për t’u përmirësuar, për të nxjerrë më të mirën nga vetja dhe kjo është më e vështirë sesa përballja me dikë tjetër, përballja me veten”, shprehet ajo në lidhje me të qenit pjesë e Rrjetit të Ekselencës.

Dëshira për të qenë një version më i mirë i vetes se dje, përkushtimi ndaj qëllimeve të tua por mbi të gjitha pasioni për artin duket se i kanë mundësuar Aleksjas të jetë jo vetëm një nxënëse shumë e mirë siç ka qenë në gjimnaz, por një studente ekselente siç është sot.
“Për të qenë një studente ekselente më motivon si fillim ndërgjegjja, për t’iu shpërblyer në një farë mënyre prindërve të mi sakrificat që bëjnë për mua, për t’i bërë krenarë e sigurisht për t’i shpërblyer vetes mundin, kohën e gjithë përpjekjet për të arritur atje ku unë dua.
Sukses për mua është çdo arritje sado e vogël, mbi të gjitha e bërë me dashuri. Suksesi im është të studioj atë çka unë dua, atje ku unë dua dhe ta dua me shpirt atë çka do të bëj në të ardhmen”, tregon ajo.