VivianVivian Begaj është një ndër maturantet ekselente e cila ka zgjedhur të studiojë në UET, në atë degë të cilën ajo e quan degën për të cilën ka ëndërruar gjithnjë, Marrëdhënie ndërkombëtare.
Për shkak të rezultateve të larta të tri viteve gjimnaz, ajo është bërë menjëherë pjesë e Rrjetit të Ekselencës në UET.
“Të jesh një student ekselent për mua do të thotë të jesh një student i përkushtuar, të kalosh një pjesë të mirë të kohës pranë librave, të kesh vullnet dhe motivim për të zgjeruar gjithmonë dijet e tua. Megjithatë, veç rezultateve të larta, besoj se një student ekselent quhet dikush që ka pasion dhe dëshirë për të arritur diçka dhe këtë e reflekton në një karakter të fortë, të shkathët dhe me gatishmërinë për të sfiduar veten dhe për të lënë gjurmën e vet në shkollën ku studion”, shprehet ajo.
Vivian është mjaft e motivuar që rezultatet e larta të cilat e kanë ndjekur deri më tani ta shoqërojnë edhe në rrugëtimin e ri të cilin sapo e ka nisur, universitetin.

“Ruajtja e rezultateve të larta mendoj se është një sfidë për çdo student. Nuk do ta konsideroja si një sfidë të lehtë, por nuk mund të them se ka qenë tepër e lodhshme apo stresuese. Studimi sistematik më ka ndihmuar të mos e ndiej së tepërmi ngarkesën. Duke qenë një person që adhuroj të mbush kohën time me aktivitete ekstrakurrikulare, trajnime apo punë vullnetare shpesh jam përballur me vështirësi në menaxhimin e kohës dedikuar studimeve e aktivizimit në shoqëri civile, por mendoj se e kam kaluar sfidën me sukses. Kam arritur të bëj çdo gjë që kam dashur dhe uroj të vazhdoj kështu edhe gjatë studimeve të larta”.
Edhe pse në fillim të vitit të ri shkollor, Vivian duket se e ka pritur mjaft mirë këtë eksperiencë të re, duke qenë po e njëjta, e përkushtuar, me vullnet, energjike dhe mjaft aktive.
“Ëndrrat janë motivimi më i mirë i mundshëm”, thotë Vivian.