lajm-shkurt-fq-3Departamenti i Informatikës, Matematikës dhe Statistikës në Universitetin Europian i Tiranës në bashkëpunim me kompaninë ALMOTECH zhvilluan një takim në të cilin u diskutua për zhvillimin dhe integrimin e platformave digjitale të komunikimit. Ndërkohë shefja e Departamentit të Informatikës, Matematikës dhe Statistikës në UET, dr. Teuta Xhindi, gjatë fjalës së saj theksoi se ky takim është shumë i nevojshëm për universitetin, që të arrijë të përshtatë sa më mirë dhe në mënyrë funksionale programet me tregun e punës. “Ky takim nuk është thjesht që kompania ALMOTECH të prezantojë shërbimet e saj, por është gjithashtu një mënyrë që UET të përshtatë programin e vet akademik me atë çfarë biznesi kërkon sot nga studentët që nesër do të jenë punonjës potencialë pranë këtyre kompanive”, u shpreh dr. Teuta Xhindi.

Përfaqësues të kompanisë ALMOTECH kanë prezantuar aplikacionin e tyre më të fundit, i cili quhet “Oferta juaj”. Kjo është një platformë inteligjente promovimi, e cila si qëllim kryesor ka prezantimin e fletëpalosjeve në mënyrë digjitale dhe sfera e shërbimeve të saj pritet të zgjerohet së shpejti. Pjesë e kësaj platforme janë aktualisht një numër i madh biznesesh shqiptare.
Kompania ALMOTECH është një kompani shqiptare e cila ka zhvilluar një sërë aplikacionesh të njohura për publikun e gjerë, siç është për shembull Komisariati Dixhital, aplikacionin HeforShe etj. Në bashkëbisedimin e zhvilluar me pedagogët dhe studentët e pranishëm, përfaqësuesit e ALMOTECH kanë treguar edhe në lidhje me eksperiencat që studentët e UET kanë patur në praktikat e punës, të zhvilluara në këtë kompani dhe pritshmëritë që tregu i punës ka kundrejt studentëve.
Ndërkohë, drejtori i IT-së në UET, Agim Kasaj, ka prezantuar UET Learning Management System, platformën e cila synon të realizojë komunikimin sa më efektiv midis pedagogëve dhe studentëve.
Ndërtimi dhe implementimi i UET Learning Management System është shtrirë në harkun kohor të një viti, ku studentët e UET kanë patur mundësinë të shfrytëzojnë këtë platformë që nga nëntori i vitit të kaluar, theksoi Kasaj. Gjithashtu gjatë prezantimit, drejtori i IT-së në UET, Agim Kasaj, ka shpjeguar se si funksionon kjo platformë digjitale komunikimi dhe mundësitë e shumta që ajo ofron, që nga njoftimet në lidhje me mësimin, notat, materialet e ndryshme, komunikimi me pedagogët etj., në mënyrë që procesi mësimor të plotësohet më së miri, jo vetëm në auditor por edhe jashtë tij.