xmas-gifts-college-students-1Një listë me libra që mund t’i lexoni gjatë pushimeve të dimrit dhe disa filma për të cilët s’e keni gjetur kohën më parë t’i shikoni

Nga Elda Dedja

Festat e fundvitit përbëjnë periudhën më të shumëpritur për shumicën e studentëve, të cilët pas një kohe të gjatë përkushtuar studimeve dhe provimeve kanë më në fund mundësinë të relaksohen dhe t’iu përkushtohen vetes, familjes, miqve dhe pasioneve të tyre tërësisht. Ndonëse pushimi total është një tundim i ëmbël për studentët, kjo periudhë shkëputjeje nga studimet mund të shfrytëzohet fare mirë në mënyrë që të jetë produktive dhe të ketë efekte pozitive në vijimësi.

Bazuar mbi guidat e disa prej universiteteve më prestigjioze në botë ne ju rekomandojmë disa libra që mund të lexoni këto pushime dhe pse jo dhe disa filma që mund t’ju shoqërojnë në netët e gjata të dimrit.

Librat që mund të lexoni

Të lexosh libra është një nga mënyrat më të mira për të kaluar kohën e lirë. Leximi i tyre shërben jo vetëm për të kaluar kohën në një mënyrë interesante, por është njëkohësisht investim në vete. Për të gjithë ata të cilët duan të shpenzojnë kohën e tyre në praninë e një miku të mirë siç është libri, por edhe të shijojnë pushimet e shumëpritura, kjo është një listë me libra të cilët nuk kërkojnë shumë angazhim por njëkohësisht ia vlen t’i lexosh.

“Princi i vogël” nga Antoine de Saint-Exupery – Ky libër është shkruar nga shkrimtari, poeti dhe aviatori francez Antoine de Saint-Exupery. Princi i vogël është një novelë shumë popullore e vitit 1943 dhe libri i katërt më i përkthyer në botë. Libri flet për guximin, dashurinë, vetminë, miqësinë dhe humbjen…Një libër tek i cili çdokush do të gjejë veten.

“Alkimisti” nga Paolo Coelho – Alkimisti është një roman i autorit brazilian Paolo Coelho, i botuar fillimisht në vitin 1988. Një roman i cili tregon historinë e një bariu andaluzian në udhëtimin e tij në Egjipt, i cili vihet në kërkim të një thesari të cilin e ka parë në ëndërr se një ditë do ta bënte të tijin. Një bestseller ndërkombëtar, “Alkimisti” është një prej librave më popullorë në histori.

“Ferma e Kafshëve” nga George Orwell – Një nga veprat e mëdha të George Orwell, “Ferma e Kafshëve” është një roman alegorik dhe distopik i botuar fillimisht në Angli në vitin 1945. Duke kritikuar në mënyrë alegorike komunizmin, libri u refuzua fillimisht nga një numër botuesish amerikanë, por sot konsiderohet një prej librave më me ndikim që është shkruajtur ndonjëherë.

“Kjo anë e parajsës” nga F. Scott Fitzgerald– Një libër i cili flet për një student të privilegjuar të Princeton, i cili e gjen veten plotësisht të zhgënjyer pas diplomimit. Ai zbulon se jeta është krejtësisht e ndryshme pas mureve të kolegjit të tij, dhe tani ai duhet të kërkojë përsëri veten.

“Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë” nga Daniel Kahneman – Një libër i cili do ta ndryshojë tërësisht mënyrën se si mendoni për veten. Është një vepër nga një prej shkrimtarëve më interesantë dhe origjinalë të kohërave moderne. Ky libër do të jetë veçanërisht interesant për studentët e psikologjisë.

“I huaji” nga Albert Kamy – Pas leximit të këtij romani, të rinjtë do të kuptojnë se sa e rëndësishme është zgjedhja e tyre personale dhe sa indiferent është ndonjëherë universi. Historia e një personi që vrau një njeri dhe nuk u ndje fajtor na lejon të shohim se sa absurde mund të jetë bota rreth nesh.

“Bota e Sofies” nga Jostein Gaarder – Historia e filozofisë e shpalosur në një mënyrë interesante, argëtuese, tërheqëse dhe lehtësisht të kuptueshme. Për të gjithë të apasionuarit pas filozofisë ky është një libër magjik, me një forcë të habitshme. Një roman aventuroz që shpjegon qartë rrugën e mendimit njerëzor, që nga mitet antike deri në botën e sotme.

Filmat që mund të shihni

Merrni kokoshkat pranë vetes sepse pushimet e dimrit janë koha e duhur për të parë filma të cilët do ta bëjnë ditën tuaj më interesante. Kjo është një listë me filma e cila i shkon për shtat veçanërisht kësaj atmosfere festive.

Elfi – Kjo është një rrëfenjë për Badin, një njeri i rritur në Polin e Veriut nga elfët. Kur merr vesh për natyrën e tij të vërtetë, Badi niset në kërkim të babait të tij të vërtetë dhe krejt papritur e gjen veten në botën e trazuar dhe cinike të njerëzve, por përmes pozitivitetit karakteristik dhe të pakufishëm (dhe pak falë magjisë së Krishtlindjeve), ai ndikon për të mirë në jetën e të gjithë atyre që takon.

Mrekullia në rrugën 34 (1947) – Një i huaj misterioz dhe me mjekër shfaqet duke pretenduar se emri i tij është Kris Kringle, menjëherë bëhet Babagjyshi i dyqanit Marsi, dhe duket se i mbush të gjithë me një frymë ekstra të Krishtlindjeve. Kur ai akuzohet se është i çmendur ngrihet pyetja: A besoni te Babagjyshi?

I vetëm në shtëpi – Kevin është një fëmijë i zgjuar, dhe pakëz problematik. Kur familja e Kevin niset për pushimet e tyre tropikale të Krishtlindjeve, ata aksidentalisht e lënë atë prapa, dhe ai e gjen veten të vetëm në shtëpinë e tij. Megjithëse në fillim mendon se po jeton ëndrrën e çdo tetëvjeçari, ai shpejt kupton se duhet të mbrojë veten dhe shtëpinë e tij kur një çift hajdutësh vijnë për të vjedhur shtëpinë e tij. Duke vënë mendjen e tij brilante në përdorim, Kevin vendos një sërë kurthesh që janë më tepër nga çfarë ky çift hajdutësh mund të përballojë.

Die Hard – John Mcclane është një polic nga Nju Jork, i cili po kërkon të riparojë martesën duke kaluar Krishtlindjet në Los Anxhelos me familjen e tij. Kur vendi i biznesit të gruas së tij ‘pushtohet’ nga terroristët e supozuar, John është i vetmi që mund të merret me to dhe t’i shpëtojë të gjithë.

Është një jetë e mrekullueshme – Ndoshta filmi klasik i Krishtlindjeve. George Bailey e gjen veten në fund të humnerës dhe e konsideron vetëvrasjen, ku krejt papritur, një engjëll i zbritur nga parajsa vjen për ta ndihmuar atë. Ai i tregon atij se si qyteti, dhe në të vërtetë, e gjithë familja e tij, do të kishte qenë ndryshe nëse George nuk do të kishte lindur.

Një mënyrë e mirë për të kaluar këto pushime është edhe ta shfrytëzoni kohën për t’ju përkushtuar pasioneve tuaja. Nëse keni lënë një pikturë pa përfunduar, bëni mirë të merrni furçat dhe bojërat sepse koha për t’i dhuruar vetes një vepër arti është në dispozicionin tuaj. Mund ta shfrytëzoni atë më së miri për të pasuruar dosjen tuaj. Nëse pasioni juaj është shkrimi ky do të ishte një moment i mirë për të krijuar dhe për të rigjetur frymëzimin për vitin e ri që po vjen. Nëse keni dëshirë të ndihmoni anëtarët e komunitetit tuaj, punët vullnetare janë një mundësi po aq mirë për të kaluar një kohë ndryshe. Cilido qoftë pasioni juaj, në cilëndo fushë, pushimet e dimrit janë një mundësi e mirë për t’ju përkushtuar atyre dhe për ta kthyer këtë moment në produktiv, interesant dhe frymëzues për të nisur një vit të ri plot me mundësi të reja.