krenar-zejnoDuke trajtuar më pas koncepte të tilla si gjuhët e para të shkruara apo miti dhe përralla, të cilat prodhuan religjionin dhe artin, Krenar Zejno ka shpjeguar se si fjala dhe imazhi kanë qëndruar të pandara përgjatë rrjedhës së kohës.

Përgatiti: Elda Dedja

Krenar Zejno, botuesi, shkrimtari dhe galeristi i njohur, ka zhvilluar një leksion të hapur në Laboratorin e Multimedias dhe të Grafikës Artistike UET, ku morën pjesë studentë, pedagogë dhe të ftuar të tjerë të këtij universiteti.
“Imazhi-Fjala, Vajtje-Ardhje” ka qenë kjo tema e zhvilluar prej tij.

Leksioni nisi me një prezantim të rëndësisë që piktogramet në guva kanë patur në historikun e bashkëpunimit të fjalës dhe imazhit. Piktogramet kanë qenë përpjekja e parë e njeriut për të plotësuar nevojën e tij për t’u shprehur. Me anë të tyre, njerëzit janë përpjekur të bëjnë bashkë tingujt, për të krijuar fjalë, e më pas fjali, shumësia dhe organizimi i së cilave do të përkthehej në kuptim. Duke trajtuar më pas koncepte të tilla si gjuhët e para të shkruara apo miti dhe përralla të cilat prodhuan religjionin dhe artin, Krenar Zejno ka shpjeguar se si fjala dhe imazhi kanë qëndruar të pandara përgjatë rrjedhës së kohës.
Me ilustrime të shumta, nga veprat e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve të njohur të periudhave të ndryshme kohore, ky “bashkëpunim” mes fjalës dhe imazhit është bërë edhe më i qartë.
Marrëdhënia midis poezisë dhe fjalës si dhe poetika ishin disa nga pikat që u trajtuan përgjatë këtij leksioni, së bashku me rëndësinë dhe peshën që zë arti në jetën reale.
Gjithashtu, veçanërisht për studentët e degës Komunikim-Dizajn, Zejno foli për logon dhe vështirësinë që paraqet procesi i krijimit të tyre, si edhe domethënien e logos.

“Të krijosh një logo do të thotë ta kthesh në ikonën e vet dhe përgjatë këtij procesi të duhet të përballesh me krijimin e diçkaje të re, origjinale, duke u mbështetur në ato çfarë di por njëkohësisht duke edhe i “harruar” ato”, -iu tha Zejno studentëve duke shtuar se krijimi i një logoje apo ikone nuk është punë e lehtë. “Krijimi kërkon të përfshish në të shumë gjëra që di, por njëkohësisht do që t’i ‘harrosh’. Ti duhet të krijosh diçka të re, por njëkohësisht mbi disa baza, pasi nuk mund ta krijosh atë nga hiçi”, përfundoi ai.
Përbashkimi dhe rrekja për veçim të fjalës dhe imazhit janë trajtuar në mënyrë shumë origjinale, duke e bërë prezantimin e tij një leksion të vyer, veçanërisht për studentët e degës Komunikim-Dizajn në Universitetin Europian të Tiranës.