fatjoni-erviniAta janë studentë në degën Informatikë Ekonomike në Universitetin Europian të Tiranës dhe së bashku kanë ndërtuar një platformë online shitjesh, e cila u shpall edhe si ideja më e mirë e biznesit në një konkurs organizuar në mjediset e universitetit. Ata rrëfejnë si kanë nisur bashkëpunimin, si kanë punuar edhe në projekte të tjera dhe se si kanë në plan ta kthejnë platformën e tyre në një produkt të shitshëm

Për të vënë në jetë një projekt biznesi nuk mjaftojnë vetëm njohuritë, por duhet doemos edhe shpirti sipërmarrës. Kjo duket se nuk i mungon as Fatjonit e as Ervinit, dy studentët e Universitetit Europian të Tiranës, të cilët pak ditë më parë fituan çmimin e parë në konkursin “Ideja më e mirë e biznesit” me projektin e tyre Palma.al – një platformë online, e cila do të bëjë të mundur që bizneset të reklamojnë produktet dhe të gjejnë klientë në të.


Kishin një vit e gjysmë që punonin mbi të, por ishte shpirti i garës dhe vlerësimi me çmim që i shtyu ta çonin deri në fund realizimin e saj. Ky projekt, me t’u shpallur fitues ka marrë mbështetjen financiare nga Universiteti Europian i Tiranës dhe kompania “Pascucci”.

Nuk ishte hera e parë që dy studentët bashkëpunonin në një projekt.

Ervin Karmaj dhe Fatjon Rrapaj, të dy studentë në degën e Informatikës Ekonomike janë njohur qysh në vitin e tyre të parë të studimeve dhe që prej asaj kohe në çdo projekt shkollor kanë marrë pjesë bashkë. “Gjithmonë jemi përpjekur të sjellim diçka ndryshe ose shtesë në projekte, sepse na janë dukur pjesa më interesante e lëndëve” – rrëfejnë njëzëri ata, ndërsa kujtojnë se në vit të dytë u angazhuan në një projekt të UET, ku kompania Lufthansa kërkonte nga studentet zhvillimin e një software. Fatjoni, Ervini dhe dy studentë të tjerë ndërtuan një aplikacion në Android.

“Nga aty filluam të mendojmë seriozisht të vëmë në jetë ide serioze, që mos të dilnim nga UET vetëm me diplomën dhe aftësitë, por të kishim edhe një projekt që do të vazhdonte dhe pse jo të kthehej në biznes” – vijojnë ata.

Ervinit i lindi ideja e një platforme online që do të asistonte konsumatorin në blerje. “Por u desh motivimi i dy pedagogëve të UET, prof. asoc. dr. Ermira Qosja dhe dokt. Ertila Druga, që të fillojë puna për ndërtimin e kësaj platforme”- thonë ndërsa shtojnë se stafi akademik ka qenë gjithnjë mbështetës për ta. “Të jemi konkretë, pa ndihmën e stafit akademik nuk do arrinim të ishim të ishim kaq kërkues nga vetja jonë edhe të arrijmë potencialin e mundshëm që kemi për të dhënë në çdo projekt edhe ide. Pedagogët ishin gjithmonë pranë nesh me informacionin dhe njohuritë që na transmetonin gjatë çdo leksioni” –thotë Ervini.

Palma, platforma që i vjen në ndihmë konsumatorit

Palma, platforma e ndërtuar prej të dyve është ‘data bazë gjigante’, në të cilën ndodhen të gjitha produktet dhe ofertat e bizneseve që shesin produkte si veshje, elektroshtëpiake, bizhuteri, produkte kozmetike etj. Duke qene se ka mijëra biznese të tilla dhe qindra-mijëra produkte, konsumatori vihet në vështirësi për të gjetur produktet që do. Kështu databaza i kategorizon ato në bazë të preferencave te konsumatorit, duke i lehtësuar këtij të fundit gjetjen e produkteve.

Ata rrëfejnë se është ide e tyre e hershme dhe pas konkursit po mendojnë krijimin e një grupi pune dhe menaxhimi i saj do të bëhet prej tyre. “Dëshira jonë është që të japim maksimumin vetë drejt kësaj gjëje, sepse projekti na sfidon në limit dijet dhe aftësitë e gjithsecilit, dhe ne do të bëjmë më të mirën që të funksionojë”.

Ervin Karmaj: Nëse duam të jemi konkurrentë në treg, duhet të zhvillojmë njohuritë

Ervini rrëfen se njohuritë e marra në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës në degën Informatikë Ekonomike kanë qenë ndihmë e madhe. “Si në pjesën ekonomike ashtu dhe në pjesën e programimit. Kemi marrë bazat për çdo gjë që na duhet, por e dimë se nëse duhet të jemi konkurrentë dhe profesionalë në treg duhet të zhvillojmë më shumë njohuritë tona se sa ato që marrim në Bachelor”.

Ervini e sheh konkursin “Ideja më e mirë e biznesit” si një sfidë. “Na shërben shumë sepse na bën të kalojmë ca vështirësi që kishim siç është e folura në publik dhe krijimi i një fjalimi dhe prezantimi dinjitoz i një projekti”.

Shpreson që pas përfundimit të studimeve të hyjë në tregun e punës. Por fillimisht sytë i ka te projekti i afërt, Palma. “Gjithashtu dua të filloj studimet në Master për informatikë më të avancuar. Informatika Ekonomike është një degë shumë e kërkuar në kohën që jetojmë, por

sipas mendimit tim duhet të jesh shumë konkurrent dhe i aftë në atë që bën që të jesh i sigurt. Besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur për këtë degë dhe universitetin e duhur për ta ndjekur”- rrëfen, ndërsa zbulon se gjithnjë i ka pëlqyer si informatika ashtu edhe menaxhimi, ndaj ishte me mendje të qartë. “E kisha të qartë çfarë doja të studioja, por nuk e kisha vendosur se te cili universitet. Pastaj pashë se në UET kishte degën konkrete dhe zgjodha të ndjek studimet aty”.

Pas zhvillimit të projektit “Palma”, Ervini thotë se të tjerë projekte mund të realizojnë së bashku, për t’u shndërruar në një skuadër të fortë me bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që kanë.

Fatjon Rrapaj; nga Shkencat Politike tek Informatika

Në fakultetin e Ekonomisë dhe posaçërisht në degën Informatikë Ekonomike përfundoi rastësisht. Kishte aplikuar për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës dhe kishte fituar të drejtën e studimeve. Kjo pasi kishte një bindje të brendshme në gjimnaz se prirej nga e folura në publik, debatet dhe ndërtimi i argumenteve. Ama kështu u rrotulluan ngjarjet dhe u desh të zgjidhja një universitet për të filluar, më rekomanduan UET, dhe zgjodha Informatikë Ekonomike vetë pasi m’u duk më sfiduese si degë. Shyqyr Zotit doli një zgjedhje mjaft e mirë për mua. Ama e theksoj nuk është thjesht dega, janë edhe pedagogët në UET, të cilët të ndihmojnë të zhvillohesh” –rrëfen Fatjoni, që tani në vend të ndërtimit të argumenteve dhe debateve, merret me ndërtimin e platformave.

Edhe Fatjoni është i mendimit se dijet e marra në auditor i kanë ndihmuar vërtet. “Edhe pse dijet qe merren brenda Bachelor nuk janë aq të thelluara sa të mjaftojnë për të qenë profesional ose të avancosh shumë drejt një disipline, është zhvilluar një mori lëndësh në lidhje me biznesin, projektimin, të folurën në publik dhe sigurisht programimin, që na ka dhënë një esencë rreth gjithë gjësë. Përveç kësaj, kemi kuptuar më mirë sa nuk dimë dhe se ne çfarë drejtimi duhet të përmirësohemi për të vënë në jetë siç duhet idenë tonë”.

Fatjoni vijon të thotë se nga pedagogët e UET merr jo vetëm dijet e lëndës, por edhe informacione shtesë “Dhe janë të hapur ndaj pyetjeve, gjë që jemi munduar ta shfrytëzojmë dhe na ka ndihmuar vërtet”.

Konkurse si ai ku sapo janë shpallur fitues, “Ideja më e mirë e biznesit”, Fatjoni është i mendimit se i shërbejnë në disa aspekte. “E para na nxisin të jemi folës më të mirë në publik dhe shitës më të mirë, gjithashtu të jemi më kreativë. Pastaj na sjellin me këmbë në tokë; pra shohim ku jemi vërtet, ideja ballafaqohet me konkurrentët, me jurinë dhe me audiencën. Kjo është vërtet e vlefshme, reagimi dhe vlerësimi i tyre tregon vërtet se sa të aftë jemi ne ta prezantojmë dhe sa bindëse dhe tërheqëse është vetë ideja”.

Pas përfundimit të studimeve Bachelor, thotë se do i japë edhe më shumë kohë projektit “Palma” dhe zhvillimit profesional në fushën e programimit.

Edhe pse në projekte janë angazhuar të dy bashkë, Fatjoni rrëfen se ishte hera e parë që merrte pjesë në një konkurs të këtij lloji. “Kam marrë pjesë vetëm në konkurse debati. Ishte hera e parë për mua që merrja pjesë në një konkurs të tillë, dhe ishte eksperiencë vërtet interesante”.

Edhe Fatjoni duket se do ta çojë përpara punën me Ervinin, jo vetëm në menaxhimin e platformës që u shpall fituese në konkurs, por edhe për ide të tjera, për t’u kthyer në të ardhmen, pse jo partnerë biznesi. “Mendoj se do të jemi në gjendje të zhvillojmë projekte interesante”.