DNSH-1024x682Ka mbyllur punimet ditën e shtunë edicioni i pestë radhazi i konferencës ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare” organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.

Dhjetë profesorë të shquar nga universitete prestigjioze të Europës, dhe shtatëdhjetë punime u paraqitën si kontribut jo vetëm për komunitetin akademik dhe shkencor, por edhe për qeverisjen dhe politikëbërjen, duke qenë se ky edicion e kishte fokusin në rolin e shtetit si rregullator apo ofrues i të mirave dhe shërbimeve publike. Dy profesorë të njohur, të cilët paraqitën propozimet e tyre në këtë konferencë, Alessandro Ferrara nga Universiteti i Romës ‘Tor Vergata’ dhe Gëzim Visoka nga Universiteti i Dublinit kanë folur për Gazetën MAPO mbi punimet e tyre dhe sesi mund të implementohen këto përfundime në kontekstin shqiptar.

Në kornizën e diskutimeve mbi çeljen e negociatave, me profesorët e huaj ekspertë të disiplinave të ndryshme si politika, ekonomia, ligji, sociologjia, antropologjia, financa, arsimi etj., theksi u vu te ndjekja e standardeve të BE-së sa i përket konkurrencës së tregut në ofrimin e të mirave dhe shërbimeve.

Kjo konferencë dyditore që mblodhi nëntëdhjetë e pesë pjesëmarrës nga e gjithë bota dhe në shtatë sesione të ndara sipas disiplinave ka për qëllim të ofrojë produktin e saj si propozim për politikëbërje.

Kjo konferencë e përvitshme, është pjesë e projektit madhor “Inovative Albania” që synon ta kthejë universitetin nga një qendër e mësimdhënies në një qendër ku prodhohet dije konkrete. Ky aktivitet është pagëzuar edhe si Festivali i Ideve dhe Dijes shkencore, që do të prodhojë muzikën shkencore në formën e rezultateve të kërkimeve shkencore. Dy profesorë të njohur, të cilët paraqitën propozimet e tyre në këtë konferencë, Alessandro Ferrara nga Universiteti i Romës ‘Tor Vergata’ dhe Gëzim Visoka nga Universiteti i Dublinit kanë folur për Gazetën MAPO mbi punimet e tyre dhe sesi mund të implementohen këto përfundime në kontekstin shqiptar.

alessandro-ferrara-300x300Alessandro Ferrara: Italia dhe Shqipëria, të ngjashme në informalitet. Shteti idealisht rregullator, jo ofrues

Filozofi italian, profesor i Filozofisë Politike në Universitetin “Tor Vergata” të Romës dhe ish-president i Shoqatës Italiane për Filozofinë Politike flet rreth gjendjes së demokracisë në botë dhe rritjes së populizmit, duke e parë si rrezik për demokracinë. I pyetur sa ndryshon konteksti italian nga ai shqiptar sa u përket rregullimit apo ofrimit të shërbimeve publike, Ferrara thotë se sheh shumë ngjashmëri në informalitet.

Profesor, doja të dija ku konsiston punimi që paraqitët në konferencën “Ditët e Studimeve Shqiptare”?

Punimi im është pjesë e një studimi më të gjerë mbi gjendjen e demokracisë; në ç’gjendje është tani në botë. Është një seksion i veçantë mbi populizmin si një sfidë e kohëve të fundit dhe e rrezikshme për demokracinë kushtetuese liberale. Siç e thashë në fillim, ka sfida të tjera demokracia në botë, si për shembull mbi përmasën e elektoratit, kompleksitetin institucional, pluralizmi kulturor si edhe diferencimet e qytetarisë, që tani nuk konsistojnë vetëm te popullsia –kjo e fundit është një shtojcë e saj – dhe një sërë kushtet të tjera. Pra, jam i fokusuar te populizmi.

Ju jeni filozof. Do të doja të dija, si lidhen studimet filozofike me temën e kësaj konference; rolin e shtetit si rregullator apo ofrues i të mirave dhe shërbimeve publike?

Patjetër që lidhet, sepse një nga të mirat publike është një sistem demokratik funksionues. Si e tillë, pjesë e këtij sistemi është një ndarje efektive e pushteteve, një sferë publike që funksion ku këmbehen arsyetimet dhe opinionet, dhe një sërë kushtesh të tjera shteti rregullon në një farë mënyre atë që është në kulturën dhe në shoqërinë e gjerë dhe veçanërisht është përgjegjësia e shtetit për t’i siguruar këto kushte.

Prej sa kohësh është në fokusin tuaj të studimeve Ballkani dhe zhvillimet e tij?

Në fakt, është hera e parë për mua në Shqipëri, por kam qenë në vendet të tjera të rajonit, madje edhe përpara shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kam qenë në Dubrovnik më 1991-shin dhe më pas në Serbi para tri vitesh, në Slloveni në vitet 2000. Jam familjar me këto vende të ndryshme, në periudha të ndryshme.

Sa ndryshon konteksti italian nga ai shqiptar sa i përket rolit që luan shteti?

Shoh shumë ngjashmëri mes Shqipërisë dhe Italisë. Gjatë konferencës kishte një prezantim mbi Informalitetin; sesi njerëzit negociojnë mënyrat e veta me rezultate efektive, pavarësisht ndërlikimeve formale ligjore dhe m’u duk shumë e ngjashme me atë që shohim në Itali, veçanërisht në jug të Italisë, ku kemi një lloj shoqërie të ngjashme. Ajo çka ndodh me informalitetin në Itali, trashëgimia e Berlusconit në 20 vitet e tij në pushtet, i cili la një vend të ndarë.

Sipas mendimit tuaj profesor, shteti duhet të jetë rregullator i tregut apo aktor në të?

Mendoj se në mënyrë ideale duhet të ishte rregullator, nëse ka shërbime që vijnë nga shoqëria, jo vetëm nga shoqëria civile, që prodhon atë lloj përfshirjeje aktive në shërbime dhe siguron nivelin e duhur të shërbimeve shteti duhet të sprapset dhe vetëm të mbështesë. Idealisht rregullator, pro nëse nuk eshët e mundur kjo, atëherë sipas planit ‘B’ duhet të jetë ofrues.

Ndërsa Shqipëria pret votimin për çeljen e negociatave drejt BE-së, çfarë rruge mendoni se duhet të ndjekë shteti për t’i njëjtësuar politikat vendase me ato të BE-së?

Mendoj se është një proces në vijim dhe mendoj se i përket Komuniteti Europian që heton situatën në Shqipëri për të thënë fjalën e tij se cilët hapa duhet të marrë. Nuk e njoh aq mirë situatën për të thënë se ç’duhet bërë, por zakonisht ajo që duhet është forcimi në ndarjen e pushteteve, forcimi në sundimin e ligjit, forcimi i sferës publike, pluralitetin e medias… Këto do të ndihmonin drejt rrugës së një integrimi të plotë në Bashkimin Europian.

gezim-visoka-300x300Gëzim Visoka: Integrimi në BE po nxit nacionalizmin e ri në rajon

Gëzim Visoka, As. Prof. për Studimet e Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit në Irlandë mbajti një kumtesë rreth ndërlidhjes së nacionalizmit, integrimit europian dhe paqes në rajon. I pyetur nëse integrimi europian është e vetmja rrugë për paqen, ai tha se vendet e rajonit duhet ta bënin këtë natyrshëm dhe jo të nxitur nga BE. Hyrja e tyre në bashkësinë europiane pa i zgjidhur konfliktet mund të gjenerojë konflikte të reja.

Nacionalizmi, dhe integrimi europian dhe paqja. Si i shihni të lidhura këto njëra në funksion të tjetrës?

Ekziston një lidhje e ngushtë mes procesit të integrimit në BE dhe ngritjes së nacionalizmit të ri në rajon, që po ndodh në atë kuptim duke parandaluar e vonuar paqen. Me fjalë të tjera vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse po duket se po përparojnë në drejtim të integrimit europian, po e përdorin këtë fazë për të avancuar agjendat e tyre nacionaliste e autoritare.

A mendoni se integrimi europian është e vetmja rrugë për të vendosur paqen në rajon?

Për momentin duket se është e vetmja alternativë apo platformë, që do i jepte shtysë shoqërive që të tejkalojnë ndasitë e së kaluarës e të bëjnë paqe të qëndrueshme. Kjo po ndodh prej kushtëzimeve që vijnë nga BE si edhe nga shtytjet e brendshme për reforma të ngjashme. Natyrshëm duhet të ishte e kundërta, që shoqëritë dhe shtetet të bëjnë paqe për hir të paqes dhe të marrin nisma të pavarura dhe jo të presin sa herë të vijnë funksionet europiane apo BE që të nxisë këto procese, sepse po u japim hapësirë dhe po u ikim raporteve direkte dhe lidhim një proces me një proces tjetër, paqen me integrim dhe po i bëjmë gjërat jo për hir të qëllimit primar dhe si e tillë kjo logjikë është e rrezikshme, sepse krijon varësi nga bashkësia ndërkombëtare dhe raporte komplekse dhe nuk ndërton besim direkt mes shqiptarëve e serbëve, maqedonasve dhe grekëve, serbëve dhe kroatëve, etj.

Pra, mendoni se Ballkani nuk është ende gati për integrimin europian, ku plagët e luftërave janë ende te freskëta mes shteteve. Vërtet që Kroacia ka hyrë në BE, por akoma nuk ka një situatë diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë…

Duhet të jenë procese të ndara; me rregull pajtimi duhet të ndodhte më herët e pastaj të vinin reformat shtetërore e procesi i integrimit. Kemi parë te Kroacia që edhe pse është shtet anëtar i BE-së është shumë e vështirë të reformohen, të pranojnë fajin apo të jenë më të hapur ndaj së kaluarës, qoftë për drejtësi qoftë për njohje të krimeve. Kur këto vendet të hyjnë në BE apo t’i afrohen anëtarësimit pa i zgjidhur problemet e së kaluarës ekziston rreziku të fuqizohen e të mos kenë shtytje për të ndryshuar. Kroacia nuk ka asnjë nxitje të merret me krimet e luftës, e ka mbyllur këtë fazë. Edhe Serbia po bën të njëjtën gjë.

Po Kosova?

Kosova është situatë më komplekse, është më e varur se këto vende dhe vetëm integrimi europian do i hapë rrugë pajtimit ose tejkalimit të ndasive dhe normalizimit. Nuk ekziston një proces kombëtar i pajtimit apo normalizimit me serbët; gjithçka është e lidhur me procesin e integrimit europian dhe me fjalë të tjera, Kosova e ka kushtëzuar pajtimin me Serbinë me procesin e integrimit dhe si e tillë është bërë instrument e një tjetër procesi; modernizmit të shoqërisë dhe paqes si dëshirë apo vullnet e aspiratë nuk i është dhënë rëndësi saç duhet të ketë. Ekziston rreziku që këto vende q ë të japin përshtypje se janë pajtuar dhe i kanë zgjidhur proceset historike mund të ndodhë që pasi të hyjnë në BE mund t’u rikthehen prapë e mund të fillojnë një konflikt të ri politik.

Çfarë këshillash keni si studiues për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë? Si mund të ketë një lloj bashkëjetese europiane?

Mendoj se në të kaluarën Shqipëria është sjellë shumë mirë ndaj rajonit, edhe pse Kosova e Serbia kanë pasur probleme me Maqedoninë historike nuk ka ndërhyrë dhe është rast i veçantë sesi shteti amë nuk ka ndërhyrë për ta radikalizuar edhe më tutje situatën. Shqipëria e ka arritur këtë aspiratë që të jetë përfaqësues i shqiptarëve në rajon. Serbia është e interesuar të bëjë kompromis historik me Shqipërinë, me shqiptarët, dhe jo me Kosovën, por unë mendoj se kjo qasje është e gabuar . Shqipëria nuk mund të përfaqësojë Kosovën për të zgjidhur problemin historik me Serbinë. Sepse problemi nuk ka qenë kurrë Shqipëri- Serbi, por shqiptarët e Kosovës me Serbinë. Interesi i Serbisë është të mohojë identitetin kosovar, por është interes kombëtar i shqiptarëve që të njihet identiteti kosovar, të paktën si identiteti shtetëror jo si identitet etnik, kombëtar. Dhe është interes i kosovarëve të identifikohen si kosovarë për hir të ekzistencës të shtetit, sepse kur mohohet identiteti shtetëror mohohet edhe ekzistenca e shtetit dhe kjo i intereson Serbisë të kthehet në nivelin primitiv shqiptarë-serbë dhe ta vërë në pazar ndarjen e Kosovës ose të vendosë Kosovën si zonë ndarëse mes shqiptarëve dhe serbëve dhe nuk është e vërtetë, sepse ekziston një adenitet i tretë që duhet pranuar.

Sa i përket Maqedonisë, Shqipëria ka luajtur rol konstruktiv kohët e fundit pse është parë si ndërhyrje në punët e brendshme, mirëpo Shqipëria ka çdo të drejtë të ngrejë zërin përmes kanaleve diplomatike dhe kornizave të të drejtave të njeriut.

Ka nisma për t’u kthyer në ligj si njohja zyrtare e gjuhës shqipe, por duket se ka një lloj konflikti nacionalist, etnik, më poshtë, në bashkëjetesë, jo në qeverisje. Cila mund të ishte një zgjidhje për këtë lloj mentaliteti mes këtyre dy popujve brenda një shteti ku ka grupe të ndryshme etnike? Si mund të shuhen këto konflikte pavarësisht iniciativave të drejtuesve politikë?

Mendoj se hapi i parë i mirë është ndërmarrë, të paktën institucionet dhe korniza ligjore të njohë të drejtat historike dhe themeltare të shqiptarëve. Ndryshimi shoqëror merr kohë. Maqedonasit si popullatë, si etni e re në rajon, vuan nga shumë komplekse sa i përket identitetit, simboleve, por edhe fesë, si e tillë është shoqëri paranojake dhe i kanë parë si rrezik historik shqiptarët, por kohët e fundit shteti është hapur dhe i njeh të drejtat kushtetuese e ligjore. Natyrisht duhet të ndodhë hapi i radhës që shoqëria maqedonase të ndryshojë, të transformohet, që shteti të jetë multietnik, parimor në zbatimin e ligjit, t’i mbrojë e t’i njohë shqiptarët si të barabartë, me kalimin e kohës mund të ndryshojë. Diaspora maqedonase është shumë nacionaliste, kohët e fundit ishin shtytësit kryesorë për evitimin një marrëveshjeje me Greqinë për emrin, diasporat janë kështu. Pa u krijuar një klasë apo nismë mbarëkombëtare e ndëretnike në Maqedoni që e mbron paqen pluraliste dhe shtetin pluralist, nuk mund të luftohen forcat nacionaliste. Duhet të krijohet një rrymë e re e ndenjës maqedonase jo të etnisë , por të shtetit dhe të krijohet një shoqëri civile pluraliste që mbron të drejtat. Por fakti që Maqedonia është afër anëtarësimit në NATO dhe në BE ekziston mundësia që të krijojë mekanizma kompleksë institucionalë, politikë dhe shtytje nga brenda që shoqëria të hapet dhe ngadalë të shuhet ky tejkalim i urrejtjes dhe diskriminimit që është bërë.

A besoni se mund të ketë një bashkim kombëtar mes Kosovës e Shqipërisë?

Kosova kur është formuar si shtet, ka marrë obligim kushtetues që nuk do i ndryshojë kufijtë duke u bashkuar me vende të tjera. Njohja ndërkombëtare e Kosovës në statusin aktual është bërë me këtë premisë. Kosova e ka si parim të ruajë shtetësinë e saj dhe të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë dhe anëtarësim në OKB. Nëse dështon paqja e përhershme me Serbinë dhe njohja kolektive e Kosovës- e kam fjalën anëtarësim në OKB -Kosovës i jepet çdo e drejtë të eksportojë alternativa të tjera dhe në elitën intelektuale të Kosovës ka filluar të flitet hapur për mundësinë e ribashkimit si alternativë, ndoshta si kërcënuese apo paralajmërim për bashkësinë ndërkombëtare, por më vonë mund të jetë si alternativa e vetme e mbijetesës së Kosovës si shtet. Kosova nuk mund të mbijetojë pa qenë anëtare e OKB-së. Bashkimi kombëtar mund të jetë destabilizues, mund të jetë si plan B nëse dështon OBK. Por nëse ndodh do të krijojë destabilizim dhe konflikte të reja. Ekziston mundësia që Kosova të ndahet, të hapet çështje a e Republikës Serbe në Bosnjë, e mund të ketë shumë probleme që shkojnë përtej rajonit. Shpresa është që kjo të parandalohet me faktin që Serbia të pranojë të paktën që Kosova të bëhet anëtare e OKB. Është në rrugë e sipër për të nënshkruar një marrëveshje ligjore mes Kosovës dhe Serbisë që të mundësojë Serbisë anëtarësim të plotë në BE dhe Kosovës t’i hapte rrugën për në OKB. Faktori rus dhe kinez është pjesë tjetër e debatit që mund të jetë pengesë edhe nëse Serbia pranon, po ashtu edhe pse vendet e tjera të BE që nuk e kanë pranuar Kosovën. Jemi në një moment ku çdo opsion është i hapur. Bashkëpunimi funksional mes Shqipërisë dhe Kosovës është duke ndodhur brenda kornizës së integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal, por ka pasur vështirësi në bashkëpunim ekonomik; probleme me taksat dhe tarifat dhe shumë janë skeptikë që mund të ndodhë një bashkim natyral, sepse ka interesa ekonomikë e politikë nga të dyja anët që të mos ndodhë kjo. A do jetë shtet unitar apo jo, federatë apo konfederatë.? Ekziston shpresa që bashkimi të ndodhë në procesin e integrimit europian ku kufijtë rajonalë do të zbehen e do të bëhen simbolikë. Kjo është shpresa më e mirë që integrimit në BE do të ishte bashkim i të gjithëve. Po dështoi BE si projekt do të hapen mundësitë e unifikimit kombëtar po që do të jetë shumë problematik.