rrjeti-i-ekselencesRrjeti i ekselencës UET: Certifikohen 100 më të mirët e vitit akademik 2017-2018

Tradita e vlerësimit të ekselencës vazhdon në UET. Edhe këtë vit Rrjeti i Ekselencës, është mbledhur, për të shpërblyer me certifikata 100 studentët më të mirë të këtij viti akademik, nga cikli Bachelor dhe Master.


“Mbledhja e studentëve ekselentë, në Rrjetin e Ekselencës, vazhdon prej 5 vitesh tashmë. Kjo është kthyer në një traditë, pasi ne kemi një politikë tashmë të konsoliduar që është TOP 5 dhe TOP 25 ku ne i kemi dhënë bursë ekselence të gjithë 5% më të mirë të Universitetit Europian të Tiranës dhe 25% e tyre kanë marrë pastaj gjysmë burse. Kjo politikë vjen sepse ne duam të mbështesim studentin që në momentin e fillimit të arsimimit të tij të lartë dhe deri në përfundim të tij dhe pse jo edhe më tej, kur ju të dilni në tregun e punës”- është shprehur Dr. Anisa Subashi, Drejtoreshë e Ciklit Bachelor në UET.
Në funksion të ekselencës, Universiteti Europian i Tiranës ka ndërtuar një seri programesh dhe projektesh, mes të cilave mbështetja e programit Top 5 (5% e studentëve më të mirë) dhe mbështetja e Top 25 (25% e studentëve më të mirë), të cilët do të ndërtojnë me ndihmën e UET karrierën e tyre të mëtejshme, akademike ose në tregun e punës.

Nga ana tjetër, UET si partner i tregut të punës përfshin një seri iniciativash që kanë filluar që me ndërtimin e bordeve të tregut të punës dhe përfshirjen e individëve të shquar nga bota e punës në proceset mësimdhënëse dhe këshilluese, në funksion të asistimit të tyre për burimet njerëzore në cilësinë që ata kërkojnë dhe anasjelltas, asistimin e studentëve në rrugën drejt tregut të punës.
Rrjeti i Ekselencës, është i përbërë nga një numër prej 100 studentësh ekselencës, nga të dyja ciklet e studimit, Bachelor dhe Master. Kriteri kryesor që diferencon këta 100 studentë nga kolegët e tyre, është mesatarja e lartë mbi 9.75. Ekzistenca e një strukture të tillë ka si synim kryesor promovimin e ekselencës që Universiteti Europian i Tiranës ka si objektiv të ketë. Studentët pjesë e tij nuk kanë vetëm rezultate të larta, por janë njëkohësisht pjesëmarrës aktivë në jetën studentore të universitetit dhe përtej saj.
Gëzim Cako, fitues i bursës ‘Pashko’, njëkohësisht edhe kryetari i Rrjetit të Ekselencës, kthehet pas studimeve Erasmus në Riga.
“Unë jam dyfish i gëzuar sepse së pari jam edhe unë pjesë e juaja, e 100 studentëve ekselentë, dhe së dyti, që ju përfaqësoj në çdo problematikë, paqartësi apo sugjerim që keni për të rritur cilësinë e universitetit tonë. Ju jeni motori që vini në lëvizje universitetin tonë dhe arsyeja që ai është më i miri vjen prej jush, sepse ju përbëni universitetin, ju jeni më të mirët”, është shprehur ai.
Studentët e pranishëm janë pajisur me certifikata mirënjohje për rezultatet e larta akademike si dhe për kontributin e tyre në aktivitetet e ndryshme të organizuar nga UET si dhe jetën studentore. Krahas tyre, të pranishëm ishin edhe prindërit e studentëve.
Flutura Nuka, mamaja e studentes ekselente Klementina Nuka, ndau me të pranishmit emocionet dhe mbresat e saj, në lidhje me këtë organizim.
“Ndjehem krenare jo vetëm sepse gjendem këtu midis studentëve ekselentë, që janë motori i një universiteti, por edhe sepse vajza ime më ka bërë, dhe vazhdon të më bëjë krenare edhe sot. Faleminderit Klementina”, ka thënë ajo.

tonin-gjuraj-300x300Rektori i UET Tonin Gjuraj: Ju jeni motori lëvizës i institucionit

Ndërkohë, i pranishëm në mbledhjen e Rrjetit të Ekselencës ishte edhe Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili u shpreh se studentët ekselentë janë krenaria e institucionit.

“Ju keni qenë, jeni dhe padyshim do të jeni krenaria e institucionit. Kjo është arsyeja përse ne tentojmë të jemi gjithmonë pranë jush dhe të ruajmë kontaktet me ju, edhe pas përfundimit të shkollimit tuaj. Nëse në një universitet vijnë studentët më të mirë, nuk ka stimul më të mirë që vetë universiteti të jetë në nivelin më të mire”, ka thënë ai.
Rektori Gjuraj ka shpjeguar ndër të tjera edhe zgjerimin që UET si institucion pritet në këtë dekadë të re të tij.
“Në këtë institucion pas dekadës së parë që u mbyll me 10 vjetorin, nis dekada e dytë e institucionit, dekada e “zgjerimit”. Për ata që nuk e dinë, ne kemi dorëzuar me kohë në Ministrinë e Arsimit dhe presim brenda muajit licencimin për disa programe të reja studimi, në të tre-ja ciklet, Bachelor, Master, Doktoraturë. Ne po ndajmë qartësisht shkencat sociale nga humanitetet. Institucioni nga 3 fakultete do kalojë në 5 fakultete. Nga 48 programe studimi do kalojë në 75 të tilla. Institucioni nga dhjetëra profile do të ketë 125 profile, të cilat “strehohen” nën çdo program studimi. Në tërësi do të ketë 750 lëndë. Pra, është një strukturim i qartë.”
Ai është shprehur se ky zgjerim vjen si përgjigje ndaj nevojave dhe kërkesave që paraqet realiteti sot.
“Fuqia e institucionit është kur di të përshtatet dhe t’i përgjigjet kërkesave të kohës. Ne ia kemi dalë sepse kjo tashmë është e certifikuar. Ne po bëjmë përpjekje serioze që të përshtatemi me standardet ndërkombëtare akademike. Ne jo vetëm i kemi brendësuar ato, por përpiqemi t’i zbatojmë me shumë sukses në mënyrë që në tërësi ne të kemi studentë që kur të dalin në tregun e punës të jenë të aftë profesionalisht, t’u garantojmë atyre mënyrën se si të aftësohen profesionalisht për tu përballur me sfidat e ndryshme, sociale, ekonomike”, ka thënë Rektori i Universitetit Europian të Tiranës.






Hermiona-300x300Hermiona Faruku: Në UET meritokracia funksionon

Hermiona Faruku është studente në Universitetin Europian të Tiranës dhe sapo ka përfunduar vitin e tretë të studimeve, në ciklin Bachelor, dega Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo është bërë pjesë e UET fillimisht pa përfituar një bursë. Më pas falë rezultateve të larta akademike, është shpërblyer me një bursë ekselence.
“Kur fillova studimet në UET, nuk përfitoja nga bursat që UET ofronte. Në fillim doja të studioja arkitekturë, por duke parë prirjet e tregut të punës vendosa të vij në UET dhe të studioj për Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke e vlerësuar si një degë të veçantë. Në vitin e dytë të studimeve përfitova një bursë ekselence, të cilën e rifitova edhe në vitin e tretë.”
Ajo shprehet mjaft e kënaqur në lidhje me eksperiencën e saj në UET.
“Vlerësoj shumë punën e pedagogëve të mi, kurrikulat e përzgjedhura si dhe aktivitetet e shumta që UET-i ofron. Ndjehem shumë mirë dhe shumë e vlerësuar që jam pjesë për herë të dytë e këtij organizimi që promovon ekselencën.”





Irini-Zoica-300x300Irini Zoica, Kur ekselenca shpërblehet

Irini Zoica është studente e UET në degën Juridik i Përgjithshëm. Ajo ka përfunduar studimet e saj edhe për këtë vit akademik me një mesatare shumë të lartë, 9.97. I pranishëm në këtë organizim, ku Irini u shpërblye me një certifikatë mirënjohje për arritjet e saj, ishte edhe babai i saj, Eduart Zoica.
“Dua të falënderoj babain tim. Vitin e kaluar në këtë sallë ka qenë mamaja ime. Sot është babai dhe teksa ishim ulur atje, më tha faleminderit që më ke bërë krenar. Unë dua të të them faleminderit ty babi. Pa ty nuk do ishte e mundur, faleminderit për besimin”, ka thënë Irini e emocionuar në momentin e marrjes së certifikatës.
Ndërkohë që edhe në sytë e babait të saj emocioni dallohet qartë dhe krenaria po ashtu.
“Të jesh prind është bukur, por të të bëjë vajza krenare është edhe më bukur”, është shprehur Eduarti, babai i Irinit.







Esterina-Molla--300x300Esterina Molla: Kënaqësi e dyfishtë të jem bursiste ‘Pashko’ dhe studente ekselente

Esterina Molla është studente në UET për degën Financë-Bankë dhe sapo ka përfunduar vitin e parë të studimeve.
“Jam shumë e lumtur dhe krenare për veten time, që jam pjesë e Rrjetit të Ekselencës. Padyshim që kjo ishte një sfidë për mua. Gjatë gjithë vitin kam patur dilemën nëse do të arrija të mbaja mesatare e lartë me të cilën jam futur në UET, por ia dola”, tregon ajo.
Esterina është fituese e bursës “Pashko” dhe për të është viti i parë në të cilin ajo është pjesë e Rrjetit të Ekselencës.
“Të jem një bursiste ‘Pashko’ dhe të ruaj mesataren e lartë falë së cilës kam fituar këtë bursë është dyfish kënaqësi për mua. Është shpërblim i punës së palodhur gjatë gjithë vitit akademik.”






Xhesi-Shkreta-300x300Xhesi Shkreta: Në UET të gjithë studentët kanë mundësinë të jenë pjesë aktive e jetës studentore

Xhesi Shkreta është studente në Fakultetin e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit në UET për degën Financë-Bankë, në vitin e dytë. Ajo është pjesë e Rrjetit të Ekselencës, për të dytin vit radhazi.
“Jam shumë krenare që jam pjesë e Rrjetit të Ekselencës. Në UET kam gjetur hapësirat e duhura për të studiuar cilësisht por edhe për të ndjekur pasionet e mia”, tregon Xhesi.
Ajo, krahas të qenit pjesë e ekselencës së UET, është edhe një studente mjaft aktive në jetën studentore që ky universitet ka.
“Në UET të gjithë studentët kanë mundësinë të jenë pjesëtarë aktivë të jetës studentore. Një nga organizimet e mia të preferuara ka qenë Kursi i Liberalizmit. Kam zgjedhur të jem pjesë e tij, pasi pas prezantimit me liberalizmin në lëndën Historia e Mendimit Ekonomik, të zhvilluar përgjatë vitit, kisha kureshtje të mësoja më tepër. Arrita të merrja njohuri mjaft të vlefshme nga Kursi dhe mendoj të bëhem sërish pjesë e iniciativave të tilla, pasi i konsideroj si një ndihmë mjaft e mirë për formimin tim akademik. Mendoj se tashmë mund ta konsideroj veten si liberale.”



Ageta-300x300Ageda Shiba: Zgjodha të studioja në UET, edhe pse kisha fituar në universitetin shtetëror

Ageda Shiba, është një ndër maturantët ekselentë, që zgjodhi UET për të studiuar në momentin kur duhet të zgjidhte arsimin e saj të lartë. Ajo sapo ka përfunduar vitin e tretë në degën Informatikë-Ekonomike me rezultate të larta, dhe kujton momentin kur bëri zgjedhjen e saj.
“Të gjitha degët që hodha i fitova. Informatika-Ekonomike ishte një degë që e fitova edhe në universitetin shtetëror por zgjodha të studioj në UET për shkak të kushteve që ofron dhe cilësisë së mësimdhënies dhe pedagogëve. Sot, pas tre vitesh, jam shumë e lumtur që kam bërë këtë zgjedhje.”
Ajo ka qenë pjesë ndër të tjera, e programit të shkëmbimit studentor Erasmus+, në Universitetin NOVA në Lisbonë.
“Erasmus+ ka qenë një ndër arsyet që kam zgjedhur UET. Eksperienca në Lisbonë ka qenë me të vërtetë mbresëlënëse dhe e vlefshme për mua”, tregon Ageda.