Profesori nga Kosova, Nexhmedin Spahiu mbajti  në Universitetin Europian të Tiranës leksionin e hapur mbi idenë e lindjes  së një kombi kosovar dhe konceptin e multietnicitetit dhe monoetnicitetit të kombeve

 

Ndërsa lëvizjet  mbi  projektin e Shqipërisë së madhe dhe  bashkimit kombëtar janë në kulmin e tyre,  shfaqen edhe alternativa të tjera e qasje krejt të reja mbi të ardhmen e hapësirës shqiptare, siç është ideja e lindjes së  kombit kosovar. Kjo ide e bërë me zë nga profesori kosovar, Nexhmedin Spahiu është  kundërshtuar shpesh  nga qarqet  e ndryshme politike, pro edhe mes analistësh e studiuesish shqiptarë. Por, z.Spahiu sqaroi për studentët fillesat e kësaj ideje dhe argumentat e tij akademike për çështjen.

 “Qëllimi im kur kam rrahur këtë çështje nuk ka qenë promovimi politik por një qasje akademike, e cila tek shqiptarët Kosovës e Shqipërisë është trajtuar pak e veçanërisht shumë pak pas luftës së dytë botërore. Në mesin e dy luftrave botërore ka pasur publicistë shqiptarë që e kanë trajtuar këtë çështje në mënyrë serioze si,  Branko Merxhani ,Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, e shumë autorë të tjerë të kësaj periudhe”.

Për të bërë dallimin mes etnisë si përkatësi biologjike , shtetit si dokument juridik dhe kombit -që sipas tij shpesh sjellin ngatërresë në kuptimin e gjerë- profesor Spahiu tha për të pranishmit që ndjeshmëritë e para se po lindte një komb i ri-ai kosovar i kishte pasur 20 vite më parë, e që prej asaj kohe ka elaboruar  idetë e tij, duke i artikuluar në botimet e tij apo edhe në media të ndryshme shqiptare.

“Si shqiptar i Kosovës e kam pasur të vështirë ta kuptoja. E kam kuptuar kur jam integruar në shoqërinë shqiptare. Në momentin që unë jo vetëm që u bëra shtetas shqiptar, por edhe mbrapa kur nisa punë në Universitetin e Tiranës e  kur kam qenë kryeredaktori gazetës ‘Albania’.  Nga ky moment kam kuptuar që politikisht shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk janë njësoj. Ka një dallim, i cili nuk ështëi gjuhës e i gjakut, jo i origjinës së përbashkët,  por i konstruksionit politik.  Pikërisht i asaj çka është kombi; një konstruksion politik. Shpesh kur themi kombi maqedonas apo amerikan themi se janë krijesë artificiale, por në fakt të gjitha kombet janë krijesa artificiale, janë krijuar nga njeriu, nga idetë politike”, u shpreh ai, duke shtuar se ndërgjegja e ekzistencës së kombit vjen me momentin kur  qytetarët bëhen bashkëpronarë të shtetit.  

Profesori u ndal edhe në konceptin e kombeve monoetnike e multietnike, duke e përkufizuar kombin kosovar që po lind- sipas tij-një komb monoetnik. “Një komb mund të konsiderohet multi etnik jo nga përbërja,  por nga qasja e shumicës që bën kombin  kundrejt  etnive të tjera,  pakicës. Kombi shqiptar është multietnik, sepse  qasja ndaj pakicës etnike në Shqipëri është integruese, afruese, Madje shqiptarët kanë zgjedhur edhe në mesin e qeveritarëve individë nga radhët minoritare.  Kjo sjellje e bën kombin  shqiptar multietnik”. Ndërsa qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës është krejt tjetër, sipas mendimit të profesorit. Plani i Ahtisarit mbi një komb multietniket, duket  se është shpërfilluar fare në praktikë.

“Në mesin e heronjve nuk ka asnjë pjesëtar të minoriteteve etnike, në mes të politikanëve, qeveritarët janë nga etnia e shqiptrëve. Kjo  atitudë e bën që  kombi kosovar të jetë monoetnike, përkundër tendencës  dhe insistimit të planit të Ahtisarit. Ai vijoi më tej me një deklaratë që mund të tingëllojë e fortë se modeli i Kosovës mbi monoetninë vjen nga ai i Beogradit, krejt ndryshe nga ai i Tiranës zyrtare.

Jo se kombi serb është monotenik, jo se përbërja e qytetarëve nuk ka pakica të tjera etnike, madje shumë më shumë se Shqipëria, por se presidenti i Serbisë nuk mund të jetë ai që është serb në etni apo orthodoks në fe. Askush nuk e përfaqson Serbinë ngar adhët e minoriteteve etnike. Pikërisht për këtë, kombi serb edhe pse zgjeroi shtetin,nuk arriti ta integrojë, ta ruajë, sepse duke mos pasur një qasje integruese, pro përjashtuese, etnitë e tjera krijuan vetëdijen kombëtare dhe luftuan kundër këtij shteti dhe krijuan shtetet e tyre.  Kjo  është ajo çfarë është kopjuar nga shqiptarët e Kosovës. Ndoshta në të ardhmen do të ndryshojë”, përfundoi ai.

 

Cikël leksionesh në UET me personalitete nga Kosova

Ky leksion u zhvillua në kuadër të një serie leksionesh nga personalitete të ndryshme nga Kosova nga të gjithë spektret politikë, analistë e gazetarë, për të afruar në tregun e arësimit për edukim të përbashkët dhe bashkëpunim të ngushtë në këto nivele. Ky cikël leksionesh ka nisur që prej shtatorit të 2011-ës me një vizitë të  rektorit të UET, Prof. asoc. Dr. Tonin Gjuraj, me një grup studentësh në Kosovë dhe do të vijojë deri në muajin korrik të këtij viti. Në këtë kuadër, pritet që  UET-in ta vizitojnë  edhe personalitete të  larta të  Shtetit të Kosoves.