Kërkimi Doktoral në UET

Shkolla Doktorale e Universitetit Europian të Tiranës synon të drejtojë procesin e formimit të pedagogëve dhe kërkuesve të ardhshëm shkencorë në Shkencat Sociale dhe të Edukimit, në shkencat Juridike dhe Ekonomike. Shkolla Doktorale është struktura dhe terreni akademik ku kombinohet  puna kërkimore e nivelit më të lartë të punonjësve të stafit akademik të UET-it me mësimdhënien, trajnimin e përhershëm, mentorimin dhe drejtimin si akademik, ashtu dhe profesional të doktorantëve.

Kërkimi në Shkollën Doktorale në UET është pjesë integrale e Kërkimit Shkencor në Universitetin Europian të Tiranës dhe shkalla më e lartë e hulumtimit dhe punës individuale kërkimore, ndihmuar nga stafi i lektorëve dhe i studiuesve të UET-it. Por aq sa është hapi final i punës universitare, dhe rrjedhimisht dhe të supervizuar nga pedagogët, diploma apo dezertacioni është dhe hapi i parë i karrierës akademike të secilit doktorant. Duke pasur këtë parasysh, mentorimi që ne u japim kandidatëve doktoralë është i shumëfishtë: që nga puna individuale e secilit kandidat me udhëheqësin e tij shkencor, pjesëmarrja dhe prezantimet e punimeve të kandidatit para pedagogëve dhe kandidatëve të tjerë doktoralë brenda të njëjtit Drejtim Doktoral, si dhe vlerësimet anonime nga një anëtar i brendshëm—ose në raste të veçanta—nga një anëtar i jashtëm i stafit pedagogjik të progresit individual të kandidatit.
Përgjatë këtij procesi, doktoranti ka mundësinë të kontribuojë në të gjitha hallkat e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në UET, që nga puna në bibliotekë, organizimi i konferencave shkencore, etj.
Shumë prej studentëve tanë doktoralë japin mësim në orët e seminareve, kryesisht në nivelin Bachelor, si dhe janë ndihmës/asistentë shkencorë të udhëheqësve të tyre shkencorë.

Në bashkëpunim dhe me tria Fakultetet përbërëse, Shkolla Doktorale në UET ka strukturuar kërkimin shkencor dhe drejtimin e punës kërkimore të kandidatëve doktoralë sipas Drejtimeve Kërkimore dhe Akseve kërkimore të veçanta të anëtarëve të stafit të cilët janë udhëheqës të studentëve doktoralë. Drejtimet kërkimore janë prioritetet kryesore Kërkimore të Universitetit dhe drejtohen nga anëtarët e stafit me titujt më të lartë shkencorë brenda fushave përkatëse. Brenda grupit kërkimor, ata përfshijnë dhe anëtarët e tjerë të stafit pedagogjik, që udhëheqin tema në nivelin e doktoraturës dhe nivel specializimi, apo aksi i tyre kërkimor bie brenda këtij prioriteti/Drejtimi Kërkimor.

Organizimi i Shkollës Doktorale dhe i Kërkimit në UET sipas Drejtimeve apo Prioriteteve kryesore Shkencore synon të arrijë të paktën tre objektiva:
Së pari, të prodhojë ekspertizë të nivelit ndërkombëtar në një fushë të caktuar dhe ta kthejë UET-in në një burim të vazhdueshëm dijesh dhe konsulence si për komunitetin akademik, ashtu dhe për aktorë të tretë.

Së dyti, të çojë në rritje profesionale të stafit akademik dhe kërkimor të UET-it, brenda ekspertizave dhe fushave të tyre të interesit shkencor. Ky konceptim i punës kërkimore ndryshon nga trajnimi tradicional i trajnimit të studiuesve me gamën e gjerë të literaturës,  me probleme dhe çështje të ndryshme të disiplinës, brenda së cilës secili prej nesh punon dhe jep mësim. Nëpërmjet konceptimit të hulumtimit përmes Drejtimeve dhe Akseve kërkimore, ne synojmë krijimin e specializimeve dhe thellimin e vazhdueshëm të stafit dhe komunitetit të doktorantëve në UET.

Së fundmi, krijimi i një komuniteti ose i disa komuniteteve kërkimore të cilët ndërveprojnë vazhdimisht me njëri -tjetrin në funksion të gjetjeve dhe analizave sa më të arrira dhe bindëse. Drejtimi i madh kërkimor si dhe tri nëndrejtimet kërkimore përbërëse synojnë të sjellin bashkë në praktikë aftësitë dhe energjitë e një numri të caktuar pedagogësh dhe studiuesish, duke krijuar kështu grupe pune të qëndrueshme dhe bashkëpunim afatgjatë kolegjial.