Arben Cici u lind në Korçë më 1960. Pas diplomimit në Universitetin e Algjerit, Fakulteti i Përkthimit (1988), ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës, Katedra e Gjuhës Frënge (1988-1992).
Nga viti 1992 shërben në fushën e diplomacisë, përkatësisht: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse, Drejtor i Protokollit të Shtetit, Ambasador në Republikën e Kroacisë, Drejtor i Protokollit të Shtetit, Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës. Aktualisht është Ambasador në Mbretërinë e Danimarkës.
Mban titullin e Doktorit të Shkencave Historike që nga viti 1999. Aktualisht jep mësim në disa universitete publike dhe private në Tiranë dhe Prishtinë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë e ceremonialit diplomatik. Është autor i botimit të parë të ”Ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” (1988), bashkautor i librit ”Hyrje në teoritë politike moderne” (2009) dhe autor i shumë artikujve shkencorë e publicistikë në fushën e diplomacisë dhe më gjerë.
Zotëron gjuhët frënge, angleze, arabe dhe italiane. Fryt i interesave dhe i punës së tij shkencore në historinë e diplomacisë shqiptare është edhe libri ”Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934” që keni në dorë.

Kontakt: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. dhe Linkedin: Arben Cici

 
Kanë thënë për librin:
Ambasadori Cici, mbi bazën e një dokumentacioni e literature historike të dorës së parë, na ilustron më së miri qerthullin vicioz në të cilin lëvizi dhe u detyrua të lëvizë politika e jashtme shqiptare në atë periudhë të parë të konsolidimit të shtetit shqiptar.
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi
 
Libri me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, nuk ka rëndësi vetëm për qasjen objektive ndaj fenomenit historik qe ai analizon, por edhe për burimet e pasura primare arkivore shqiptare dhe të huaja, si dhe për burimet e shumta sekondare nga historiografia shqiptare dhe e huaj. Ai ka arritur të shfrytëzojë gjithashtu gjarësisht dhe shtypin shqiptar e të huaj të periudhës që merr në studim.
Prof. Dr. Valentina Duka
 
Libri është një ftesë për të hedhur një vështrim kritik në të shkuarën tonë, jo të largët, si dhe për të reflektuar rreth sfidave aktuale me të cilat përballet jo vetëm vendi ynë e rajoni, por edhe më gjerë.
Virgjil Muçi
 
Një libër i domosdoshëm ... dhe i shkruar me elegancë e profesionalizëm. Cici ofron një material të pasur arkivor për një periudhë të rëndësishme në historinë e ndërtimit e të zhvillimit të marrëdhënieve me Italinë. Është historia e shkruar ashtu si është ...
Valbona Nathanaili, Drejtore UET Press
 
Autori i studimit sjell të dhëna me interes dhe te dokumentuara për luftën politike të viteve 1921-1924 dhe përplasjet diplomatike të shtetit shqiptar e sidomos per interesin gjithnjë në rritje të Italisë për Shqipërinë. Veçanërisht pas dështimit të lëvizjes demokratike të 1924 dhe konsolidimit të pushtetit të A. Zogut si president i Republikës Shqiptare në plan të parë doli orientimi i jashtëm i shtetit shqiptar.
Prof.As. Adem Mezini