Çfarë ju ofron një program master?

Universiteti Europian i Tiranës ofron rreth 24 programe Master Profesional dhe Master i Shkencave në fusha studimi si: Ekonomi, Financë, Qeverisje e Korporatave, Menaxhim, Marketing, Informatikë Ekonomike, E drejtë Publike, E drejtë Ndërkombëtare, E drejtë Biznesi, E drejtë Private, Shkenca Komunikimi, Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sociologji-Antropologji Sociale, Psikologji dhe Shkenca të Edukimit. Aktualisht janë në proces licencimi 7 programe të reja studimi.

Këto programe studimi përfshijnë njohuri teorike dhe praktike për të inkurajuar të menduarin kritik dhe kreativ të studentëve. Struktura e ndërtimit të programeve synon të sigurojnë njëkohësisht katër grupe njohurish:
-    njohuri dhe aftësi metodologjike;
-    njohuri teorike dhe aplikative;
-    njohuri për profesionin përkatës, si dhe
-    njohuri të thelluara në një profil më të ngushtë të fushës së studimit.

Studimet Master janë pikërisht ato që krijojnë profesionistin në botën e punës dhe të biznesit në kohën e sotme. Një diplomë Master do ju ndihmojë të ecni më përpara në karrierën tuaj profesionale. Shumë vende pune sot në nivelin fillestar kërkojnë një diplomë Master dhe pothuajse të gjithë pozicionet e menaxhimit të lartë dhe pozitat e larta profesionale kërkojnë një kualifikim të këtij niveli. Diploma Master i Shkencave është edhe një portë drejt studimeve doktorale dhe eksperiencës akademike.

Pse të zgjidhni një program Master Profesional?

Programet Master Profesional (MP) kanë natyrë aplikative dhe ofrojnë formim kryesisht praktik, për arritjen e objektivave profesionale sipas profilit të zgjedhur, me qëllim punësimin ose kualifikimin në një drejtim të ngushtë. Këto programe i përshtaten çdo moshe, çdo niveli, pas përfundimit të studimeve Bachelor.

Një diplomë Master Profesional zhvillon tek studenti aftësi për mendim të thelluar analitik dhe të pavarur, vlerësim kritik dhe profesional, aftësi për të zgjidhur probleme komplekse dhe për t’u rritur në karrierën profesionale. Një tjetër avantazh i diplomës Master Profesional është mundësia për t’u formuar plotësisht në fushën që ju intereson, si një përvojë e çmuar dhe garanci për tregun e punës.

Programet në Master Profesional ofrohen 60 kredite ECTS. Ato janë një nga produktet akademike më fleksibël  në UET, pasi këto programe janë vazhdimisht në proces përshtatje më kërkesat e tregut vendas dhe të zhvillimeve rajonale.

Frekuentimi
Për programet e studimit Master Profesional frekuentimi është i detyrueshëm në masën 80% (tetëdhjetë) të leksioneve dhe seminareve.

Diplomimi
Punimi i diplomës Master Profesional është një punim me karakter aplikativ, empirik. Punimi i diplomës duhet të jetë punim origjinal, ku studenti kryesisht aplikon një teori, skemë, parim në një objekt konkret studimi. Tema mund të jetë studim i një rasti ose studim krahasues. Ajo përmban 14-15 mijë fjalë. Diploma zhvillohet me ndihmën e një profesori që e udhëheq studentin deri në finalizimin e temës së diplomës.