Programi i Promovimit të Kërkimit Rajonal (RRPP) synon të promovojë dhe përforcojë kërkimin në fushën e shkencave sociale në Ballkanin Perëndimor në mënyrë të tillë që të kontribuojë drejt zhvillimit të politikave në rajon. RRPP-ja synon të mbështesë kërkuesit e rinj shkencor në fushën e shkencave sociale përmes granteve kërkimore, trajnimeve metodologjike e tematike si dhe mundësive të shkëmbimeve dhe rrjetëzimeve rajonale e ndërkombëtare. RRPP-ja koordinohet nga Instituti Ndërfakultativ për Europën Lindore dhe Qendrore në Universitetin e Fribourg-ut në Zvicër dhe financohet nga Agjencia Sviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, Zvicër. Kërkimi shkencor është dimensioni qendror i këtij programi, i cili synon që deri në vitin 2013 të ketë realizuar disa projekte kërkimore rajonale cilësore në fusha që lidhen me proceset e tranzicionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fusha e përbashkët kërkimore është: “Ndryshimi politik, social dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor”. Në këtë kuadër, fushat kërkimore për thirrjet e vitit 2012 përfshijnë: (i) ndryshimi social dhe ekonomik dhe sfidat e (reja) të pabarazive shoqërore; dhe (ii) shteti, rrjetëzimi dhe informaliteti. RRPP-ja ka financuar dhe mbështetur disa projekte kërkimore në rajon, ka organizuar konferenca dhe takime shkencore, ka publikuar rezultatet e projekteve, artikuj shkencor dhe studime të tjera, duke kontribuar kështu në nxitjen dhe përmirësimin e kërkimit shkencor në fushën e shkencave sociale dhe në procesin e zhvillimit të politikave në rajon.

Për më tepër informacion në lidhje me RRPP-në ju lutem referojuni: http://www.rrpp-westernbalkans.net/en.html

Projekti RRPP i UET (kliko këtu)

"Fëmijët e rrugës në Shqipëri, Bosnie Hercegovinë, Maqedoni dhe Kosovë: Hapësira dhe identitete në përpjekjen për mbijetesë".

Qëllimi kryesor i këtij projekti kërkimor është që të analizojë mënyrat sesi fëmijët e rrugës i bëjnë rezistencë skajimit të shumëfishtë dhe përjashtimit nga ideologjia dhe ligjërimi dominues në shoqëri duke ndërtuar hapësira në zonat urbane brenda së cilave ata zhvillojne identitetet e tyre dhe strategji për të kontestuar skajimin dhe perceptimet negative të të tjerëve.