Takim Doktoral (TD)

Takimi Doktoral është një takim periodik dhe i detyrueshëm i kandidatit doktoral me udhëheqësin e tij si dhe me të gjithë kandidatët e tjerë doktorantë të udhëhequr nga i njëjti pedagog. Kalimi nga njëri Takim Doktoral në takimin pasues shënon dhe progresin individual të doktorantit, i cili paraqet gjatë takimit pjesë të punimit të tij, sipas tematikës së Takimit Doktoral përkatës. Janë parashikuar shtatë takime të tilla përgjatë periudhës së studimeve doktorale. Secili takim ka një strukturë specifike për sa i përket tematikës mbi të cilin do bazojet prezantimi i doktorantit, i cili duhet të ndjekë me rigorozitet udhëzimet e rregullores mbi objektivat dhe pritshmëritë e secilit Takim Doktoral.
Objektivat kryesore të Takimit Doktoral janë:
•    Të unifikojë qasjet mes udhëheqësit/sve dhe doktorantit/ëve mbi kërkimin shkencor doktoral;
•    Të përgatisë doktorantët të komunikojnë në publik sa më qartë dhe me elokuencë mbi temën e projektit të tyre kërkimor;
•    Të mundësojë monitorimin e progresit individual të secilit doktorant me tezën/projektin individual;
•    Të forcojë bashkëpunimin dhe kolegjialitetin ndërmjet doktorantëve që udhëhiqen nga i njëjti udhëheqës, si dhe ndërmjet doktorantëve të të njëjtit drejtim kërkimor.

Kolokiumi Doktoral (KD)

Kolokiumi Doktoral është një konferencë doktorale që Shkolla Doktorale organizon në bashkëpunim me Fakultetet dhe Departamentet e UET me pjesëmarrjen, kryesisht, të kandidatëve doktoralë dhe të pedagogëve udhëheqës. Kolokiumi Doktoral është aktivitet i detyrueshëm shkencor për doktorantët dhe zhvillohet dy herë në vit (janë gjashtë kolokiume përgjatë ciklit doktoral trevjeçar). Secili kandidat duhet detyrimisht të marrë pjesë në të paktën tre nga gjashtë kolokiumet doktorale dhe në të paktën dy prej Kolokiumeve Doktorale që organizon ose bashkë-organizon Drejtimi i Madh Kërkimor përkatës. Doktoranti duhet të kumtojë ose të prezantojë një Poster në të paktën një prej Kolokiumeve Doktorale.

Kolokiumet Doktorale kanë këto objektiva kryesore:
•    Vlerësimin e progresit shkencor të doktorantëve, duke u bazuar në prezantimet e artikujve shkencore, posterave apo diskutimeve të literaturës së profilit apo Drejtimit të Madh Doktoral, brenda të cilit bie projekti kërkimor i kandidatëve;
•    Afrimin dhe krijimin e bashkëpunimit shkencor mes doktorantëve, si dhe mes pedagogëve udhëheqës brenda të njëjtit Drejtim Kërkimor dhe Profil Doktoral;
•    T’u mundësojë doktorantëve të përmbushin me anë të prezantimeve të tyre shkencore, kriteret e dosjes doktorale, specifikisht kriterin e prezantimit në konferenca kombëtare;
•    Të përgatisë doktorantët të komunikojnë në publik sa më qartë dhe me elokuencë mbi temën e projektit të tyre kërkimor, si dhe lidhur me progresin e arritur në kërkimin e tyre shkencor. Në rastet kur Kolokiumi Doktoral organizohet nga më shumë se një Drejtim i Madh Kërkimor dhe është i natyres ndër-disiplinare, kjo mundëson më së miri që doktoranti të prezantojë temën e tij përpara disa audiencave të ndryshme dhe specialistëve të fushave të ndryshme.