Tempus (Programi Trans-Europian i Lëvizshmërisë për Studime Universitare), themeluar në 1990-n, është një program i Komisionit Europian për të mbështetur modernizimin e arsimit të lartë përmes bashkëpunimit institucional midis vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve partnere në Ballkanin Perëndimor, Europën Lindore, Azinë Qëndrore, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Tempus synon harmonizimin e sistemeve të arsimit të lartë në vendet partnere me zhvillimet bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë në vendet anëtare të BE-së. Tempus promovon jo vetëm bashkëpunimin institucional, por edhe atë midis individëve në kuadër të programit Erasmus Mundus.

Nën PrograminTempus të Komisionit Europian financohen dy lloje kryesore veprimtarish:

- Projekte të përbashkëta në formën e partneriteteve midis institucioneve të arsimit të lartë në Bashkimin Europian dhe vendeve partnere, të cilat synojnë zhvillimin dhe modernizimin e kurrikulave akademike, materialeve dhe metodave të mësimdhënies si dhe përforcimin e sigurimit të cilësisë dhe menaxhimin e institucioneve të arsimit të lartë. Partneritetet përfshijnë bashkëpunimin midis institucioneve të arsimit të lartë, bizneseve, ministrive, organizatave joqeveritare si dhe organizatave të tjerë me fushë veprimtarie arsimin e lartë si në Bashkimin Europian ashtu edhe në vendet partnere.
- Masa strukturore të cilat synojnë zhvillimin dhe reformimin e sistemeve dhe institucioneve të arsimit të lartë në vendet partnere; përforcimin e cilësisë së tyre si dhe harmonizimin me zhvillimet në Bashkimin Europian.

Për më tepër informacion në lidhje me programin Tempus, referojuni Agjensisë Europiane Ekzekutive të Arsimit,
Audiovizualeve dhe Kulturës të Komisionit Europian (EACEA): http://ec.europa.eu/education/external-relation-programmes/tempus_en.htm