Vizioni UET për Shkencën

Kërkimi shkencor në UET zë një vend qendror dhe është baza e mësimdhënies dhe e asaj çfarë bëjmë ne si staf universitar. Kërkimi shkencor bazohet në tri shtylla: Shkollën Doktorale, Revistat shkencore,  dhe Bibliotekën si dhe njësinë e lëndëve metodologjike në UET, duke filluar nga niveli Bachelor deri në atë Doktoral. Aktorët, të cilët përfshihen në të tria këto shtylla janë së pari departamentet, që ofrojnë ekspertizë në një numër drejtimesh kërkimore, ose prioritetesh kërkimore të UET-it. Po ashtu, departamentet kanë bashkëpunim të ngushtë dhe me Zyrën e Projekteve dhe Parteriteteve si edhe Qendrën UET, qendër kërkimore e atashuar me UET.

Kërkimi shkencor në UET ka disa prioritete dhe tipare baze.

Këto përfshijnë:

a. Impaktin shkencor

Në UET, ne synojmë të shkojmë drejt vlerësimit periodik të impaktit të punës shkencore të stafit mësimdhënies dhe kërkimor. Ky është një konceptim i ri dhe i guximshëm—kryesisht duke pasur parasysh kufizimet dhe disavantazhet e shkencave sociale dhe humane në Shqipëri që synon të sjellë në vëmendjen e studiuesve dhe të kërkuesve shkencorë nevojën për të ndërlidhur punën e tyre kërkimore me fusha të tjera të aktivitetit social dhe për të nxjerrë më në pah kontributin e gjetjeve dhe të analizave të tyre.

Matja e impaktit të hulumtimit shkencor kërkon një kombinim të matjes sasiore me atë cilësore. Produktet bazë të kërkimit shkencor përfshijnë që nga posterat dhe prezantimet në aktivitete kërkimore e deri te recensat, artikujt, monografitë dhe punën editoriale. Secili prej këtyre produkteve vlerësohet në bazë të vendit të botimit/shpërndarjes ose komunikimit, bordit recensues/editorial, dhe momentit të botimit/shpërndarjes apo komunikimit të këtij produkti.

b. Impaktin publik

Kërkimi shkencor në UET është pjesë e sferës publike: kjo nënkupton që dija dhe përparimi shkencor që arrin çdo produkt shkencor i stafit akademik në UET mund të ndihmojë në aspekte të ndryshme drejt arritjes së një shoqërie më të mirë, më të informuar dhe më kritike. Puna kërkimore në UET synon të jetë jo vetëm novatore, por dhe e komunikueshme që do të thotë të arrijë t’i flasë jo vetëm anëtarëve të komunitetit akademik, por dhe një audience joakademike.

c. Redaktimin “peer-review” dhe “blind review”

Përveç mekanizmave tradicionalë të vlerësimit të punës shkencore—nga Këshilli i Profesorëve dhe nga Bordi i Revistave Shkencore—UET synon të futë gjerësisht në të gjithë hallkat e vlerësimit të punës shkencore dhe dy praktika: recensimin kolegjial ose “peer review” dhe recensimin anonim ose “blind review”. Kjo do të thotë që produktet e punës kërkimore në UET vlerësohen nga më shumë se një recensues: recensuesit do të jenë ekspertë të fushës së  punimit dhe në shumicën e rasteve këta recensues do të jenë të panjohur për autorin e punimit. Një praktikë e tillë besojmë se do të sjellë një konsolidim më të mirë të recensës kritike në fushën akademike dhe do të sigurojë më mirë cilësinë e botimeve dhe të punës shkencore në përgjithësi. Revistat tona shkencore, Polis, Justicia, Educatio dhe Economicus e kanë praktikë të punës këtë model recensimi dhe Bordi ynë i revistave shkencore garanton ruajtjen e parimeve të objektivitetit dhe të rigorozitetit shkencor.

d. Fokusimin te metodologjia shkencore

Kjo nënkupton katër parime kryesore: Së pari, të shkruarit akademik ndjek disa rregulla të njësuara për të gjitha nivelet dhe disiplinat akademike; së dyti, puna kërkimore e çdo niveli përdor teknika dhe metoda të njohura dhe të pranuara nga komuniteti akademik ndërkombëtar; së treti, të shkruarit udhëhiqet nga një argument bazë (teza) e punimit; dhe së fundmi, puna kërkimore ka një relevancë dhe impakt si brenda fushës së kërkimit ose disiplinës përkatëse ashtu dhe jashtë saj.

e. Interdisiplinariteti

Kjo nënkupton që përveç thellimit dhe kontributeve të stafit tonë akademik dhe shkencor në fushat e tyre përkatëse të interesit, ne i mëshojmë dhe rëndësisë së punës brenda grupeve kërkimore në lidhje me disa çështje dhe problematika të cilat preokupojnë studiuesit e disa fushave dhe disiplinave njëherësh. Por me “interdisiplinaritet” nuk nënkuptojmë vetëm punën kolegjiale të një grupi specialistësh, që vijnë nga disiplina dhe fusha të ndryshme ekspertize—ajo çka kuptohet gjerësisht me “multidisiplinaritet”, por dhe  përdorimin e metodave dhe instrumenteve të kërkimit që bazohen mbi paradigma dhe premisa ontologjike dhe epistemologjike të ndryshme nga ato të pranuara gjerësisht nga disiplina e studimit/eve.

ë. Kontekstualizim

Me “kontekstualizim” ne nënkuptojmë dy gjëra: Së pari, fokusimin në problematikën dhe veçantitë e rastit shqiptar si dhe rasteve të tjera studimore nga rajoni i Ballkanit; dhe së dyti, nxjerrjen në pah të mënyrës/ave sesi rasti shqiptar apo rastet e vendeve të Ballkanit konfirmojnë, hedhin poshtë apo kritikojnë modele, qasje e teori të pranuara tashmë gjerësisht brenda disiplinave të shkencave sociale dhe humane. Në këtë kuptim, ne i japim rëndësi themelore kombinimit të qasjes teorike dhe analizës empirike (në terren).