Articles

UET gjen X Factor: pagëzohet Universitet dhe hap Shkollën Doktorale

Universiteti Europian i Tiranës bën hapin e madh përpara duke u kthyer me anë të një shndërrimi cilësor nga Shkollë e Lartë Universitare Jopublike, në Universitet. Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, nr. 657, të datës 28. 9. 2011, të fuqizuar edhe me botimin në Fletoren Zyrtare, UET bëhet kështu një nga dy shkollat e vetme të ciklit universitar në vend që i gëzohet statusit Universitet. UET feston kësisoj përvjetorin e pestë me një stimul të madh që i shtohet një vlerësimi gjithashtu të lartë marrë nga kompania gjermane CHE, e cila pas procesit të rankimit e shpalli Universitetin Europian të Tiranës si më cilësorin. Veç kësaj, institucioni që sot e tutje mund të quhet zyrtarisht dhe jo vetëm formalisht si Universiteti Europian i Tiranës, shënon edhe hapjen e Shkollës Doktorale sipas një vendimi zyrtar të Ministrisë së Arsimit, nr. 503, datë 07. 10. 2011, që mban firmën e kryetitullarit Myqerem Tafaj. Shkolla Doktorale e ngre siparin këtë vit akademik (2011-2012) dhe do të ofrojë diploma në shkenca ekonomike, shkenca sociale dhe në shkenca juridike. Universiteti Europian i Tiranës është njëri prej dy institucioneve të arsimit të lartë jopublik që ka fituar të drejtën e shkollës doktorale. Këtë të drejtë e ka marrë gjithashtu edhe “Zoja e Këshillit të Mirë”, që bashkë me UET-in i gëzohet edhe statusit ‘Universitet’. Këto të dyja institucione arsimore bëhen të vetmet deri më tani që kanë plotësuar kriteret për shndërrimin në universitete dhe gjithashtu për hapjen e shkollave doktorale.

Universitet/Shkollë e Lartë Universitare: Ndryshimi

Ku qëndron ndryshimi mes shkollës së lartë universitare dhe një Universiteti? Një Shkollë e Lartë Universitare ka një spektër më të ngushtë, qoftë të strukturës, qoftë të programeve, lëndëve dhe stafit pedagogjik. Për shembull, shkollë e lartë universitare quhet edhe një institucion i arsimit të lartë që ofron arsimin në një profil të vetëm, për shembull ai i Mjekësisë. Një rast tjetër që në fakt bën ndryshimin e madh mes dy emërtimeve është cikli i studimeve: institucionet e arsimit të lartë që kanë vetëm dy cikle të studimeve të larta, por jo ciklin e tretë, konsiderohen si shkolla të larta universitare. Cikli i tretë ose Doktoratura, është ajo që e kthen një shkollë të tillë në Universitet.

Shkolla Doktorale, UET prezanton pedagogët dhe degët

Studimet doktorale do të drejtohen nga profesorë të njohur vendës dhe të huaj. Universiteti Europian i Tiranës prezanton drejtimet e Shkollës Doktorale për të tria fakultetet

Doktoratura është hapi final në ciklin e studimeve universitare. Me këtë fazë, studentët mbyllin suksesshëm ciklin e studimeve të tyre. Por, studimet doktorale nuk lidhen thjesht dhe vetëm me një gradë ose titull. Ato në thelbin dhe filozofinë e tyre kanë kërkimin shkencor. Gjatë studimeve teoritë gjejnë aplikim dhe qasje në terrene konkrete dhe të prekshme. Studimet doktorale nuk duhet të zgjasin më tepër se katër vjet nga momenti i regjistrimit në një nga drejtimet që ofron Universiteti Europian i Tiranës. “Shkolla doktorale në UET nuk erdhi thjesht për inerci, pasi mbaruam ciklin e parë dhe të dytë, pasi u akredituam me sukses në gjithë programet e këtyre cikleve, por erdhi si domosdoshmëri dhe objektiv afatgjatë i këtij universiteti për t’u bërë realisht, jo thjesht një qendër e shkëlqyer akademike, por edhe një qendër performance për kërkimin shkencor, pjesëmarrëse aktive në të gjitha debatet që bëhen sot për kërkimin shkencor”, thotë Prof. Dr. Adrian Civici, drejtor i Shkollës Doktorale në UET. Sipas tij, do të tentohet të shkohet përtej shkollës, duke bërë që Universiteti Europian i Tiranës të shndërrohet në një qendër idesh.

Programet e doktoraturës orientohen në tre drejtime bazë që përfaqësojnë dhe kompetencat më të mira akademike e shkencore të UET. Në Shkencat Ekonomike shkolla doktorale do të orientohet në drejtimet e Financës, Menaxhimit, Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Menaxhimit të Sistemeve të Informacionit. Në Shkencat Sociale drejtimet doktorale do të jenë tek Shkencat e Komunikimi, Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Sociologjia dhe Antropologjia Sociale dhe Psikologji-Pedagogjia. Drejtimet në Shkencat Juridike do të përfshijnë Të Drejtën Publike, Të Drejtën Ndërkombëtare, Të Drejtën Civile dhe Të Drejtën Biznesi. Këto programe studimi realizojnë formimin e doktorantëve me dije e kulturë të thelluar ndërdisiplinore në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor koherent, si dhe garantojnë përgatitje shkencore e profesionale cilësore për doktorantët.

Pedagogët dhe metodologjia

Universiteti Europian i Tiranës ka në dispozicion 34 pedagogë me tituj: Profesor, Profesor i Asociuar ose me gradën PhD, të përfunduar jashtë vendit në universitete të njohura perëndimore. Këtij kontigjenti i shtohen edhe 6 profesorë nga Aston University në Birmingam të Anglisë. Këta profesorë në bazë të një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet UET dhe Aston University do të angazhohen në realizimin e së paku 30 krediteve teorike e metodologjike në vitin e parë,nga 60 të tilla në total. Formimi i “Doktorit të Shkencave” kërkon që një pjesë e studimeve të thelluara teorike

të zhvillohet nën drejtimin e profesorëve të huaj, në UET ose në Universitetin e Aston-it, në Birmingham, Angli, si dhe kryerjen e punës kërkimore në universitete ose institute kërkimore jashtë vendit, për një periudhë kohe të paktën tre mujore dhe jo më të gjatë sesa gjysma e kohëzgjatjes së programit të doktoratës. Studimet teorike janë të organizuara në raporte të drejta e të ekuilibruara ndërmjet formimit akademik, metodologjisë së kërkimit shkencor dhe formimit specifik të doktorantëve. Kursi teorik i doktoraturës vlerësohet nëpërmjet një provimi të përgjithshëm të organizuar nga Shkolla Doktorale dhe Këshilli i Profesorëve.